PEKINI NUK DO TË NDËRHYNTE PËR TË MBROJTUR KARAKASIN NË PËRBALLJEN USHTARAKE ME UASHINGTONIN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 47 minutes ago
- 4 min read

Pekin, Republika Popullore e Kinës | Kina pothuajse me siguri nuk do të ndërhynte për të mbrojtur Presidentin Venezuelian Nikolas (Nicolas) Maduro nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin veprime ushtarake për ta larguar atë nga pushteti.
Ky është mendimi i shprehur nga analistët e konsultuar nga enti mediatik kinez “South China Morning Post”, sipas të cilit, një përballje midis Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës mund t'i sillte dobi Pekinit, duke forcuar një logjikë të zonave të ndikimit që në planin afatgjatë, do të mbështesnin edhe ambiciet kineze në Tajvan.
Në përgjigje të tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe Karakasit, fuqia kryesore aziatike deri më tani është kufizuar në dënime formale të ndërhyrjes së jashtme dhe thirrjeve të përgjithshme për moderim.
Megjithatë, nuk ka pasur shenja mbështetjeje konkrete për diktatorin çavisto-komunist Maduro, megjithëse perspektiva e veprimit ushtarak amerikan duket gjithnjë e më e mundshme.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur mbi dhjetë anije luftarake dhe 15000 ushtarë në Detin e Karaibeve, përveç zbatimit të kufizimeve të rënda në hapësirën ajrore të Venezuelës.
Pas muajsh sulmesh ndaj anijeve të dyshuara të trafikantëve të drogës, Presidenti Danlld Tramp (Donald Trump) tha se operacionet ushtarake tokësore ishin të afërta, duke e quajtur krizën e Karaibeve një luftë.
Diktatori çavisto-komunist Maduro, në pushtet që nga viti 2013, denoncon agresionin imperialist të ShBA-ës dhe premton të rezistojë deri në fund, por siç thekson gazeta kineze, partnerët e tij kryesorë ndërkombëtarë deri më tani kanë ofruar pak më shumë sesa shprehje solidariteti.
Moska kufizohet në monitorimin e situatës, Teherani dënon unilateralizmin e Uashingtonit dhe Kina bën thirrje për mbrojtjen e Amerikës Latine si një zonë paqeje.
Kjo qasje e kujdesshme nuk është e pashembullt.
Siç theksojnë ekspertët e konsultuar nga enti mediatik “South China Morning Post” Pekini tenton të mbrojë aksesin politik dhe interesat ekonomike, jo të ekspozohet ndaj mbrojtjes së regjimeve individuale nën presion.
Lidhur me Venezuelën në veçanti, me kalimin e viteve Kina është shndërruar nga partneri tregtar entuziast i Karakasit në kreditorin e saj të kujdesshëm.
Duke folur për gazetën kineze, z. Evan Ellis, një profesor në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, vuri në dukje se marrëdhëniet midis Pekinit dhe Karakasit janë larg të qenit idilike.
Për kompanitë kineze, Venezuela ka qenë një makth korrupsioni, vjedhjeje dhe kontratash të pamiratuara.
Një ndryshim qeverie do të ishte një humbje strategjike, por me shumë gjasa një përmirësim i biznesit.
Gjatë viteve të bumit të naftës, Kina investoi shuma të mëdha në Venezuelë; mbi 60 miliardë dollarë në kredi të mbështetura nga nafta bruto.
Sipas Qendrës së Politikave të Zhvillimit Global në Universitetin e Bostonit, Venezuela mbetet përfituesi më i madh i Amerikës Latine të financimit kinez, me 59.2 miliardë dollarë të disbursuar që nga viti 2007.
Megjithatë, rënia e çmimeve të naftës e ka detyruar Pekinin të ndalojë naftën; qëllimi tani nuk është të nisë projekte të reja, por të rikuperojë borxhet.
Bashkëpunimi midis Pekinit dhe Karakasit duket gjithashtu i dobësuar në frontet e energjisë dhe infrastrukturës.
Prodhimi i kompanisë shtetërore të naftës venezueliane PDVSA tani është më pak se gjysma e nivelit të vitit 2013, shumë sipërmarrje të përbashkëta që ajo krijoi me kompani kineze janë në vështirësi dhe projektet që janë simbole të bashkëpunimit dypalësh, siç është hekurudha Karakas-Puerto Kabelo (Cabello), mbeten të papërfunduara.
Disa furnizues dhe kompani ndërtimi kineze, të cilat, përballen me vonesa kronike të pagesave, janë larguar nga vendi.
Një sipërmarrje e përbashkët midis kompanisë kineze Inspur Group dhe kompanisë shtetërore të teknologjisë venezueliane BIT ka grumbulluar 40 milionë euro në kredi me probleme që nga viti 2016.
Dimensioni ushtarak i bashkëpunimit, dikur i rëndësishëm, është zvogëluar gjithashtu.
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), midis viteve 2010 dhe 2020, Karakasi thithi 85.8 përqind të eksporteve të armëve të Kinës në Amerikë; radarë, avionë stërvitorë të ndërmjetëm reaktivë K-8 dhe automjete të blinduara për kontrollin e trazirave, kryesisht gjatë presidencës së ish-diktatorit Hugo Çavez (Chávez).
Në vitet e fundit, Venezuela ka shprehur interes për avionin luftarak të lehtë L-15 dhe J-10C më të përparuar, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret drejt blerjes së avionit.
Shumë nga sistemet e armëve të furnizuara më parë nga Kina tani janë të vjetëruara dhe në gjendje të pasigurt operative për shkak të mungesave financiare dhe mirëmbajtjes së dobët.
Z. Paulo Filho, një kolonel brazilian në pension dhe analist në Qendrën për Studime Strategjike në Brasilia, vuri në dukje në këtë drejtim se pajisjet e prodhuara në Kinë të furnizuara forcave të armatosura të Venezuelës janë të vjetra dhe të vështira për t'u mirëmbajtur.
Duke pasur parasysh këtë pamje të përgjithshme, duket shumë e pamundur që Pekini t'i përgjigjet një krize në Venezuelë duke e ekspozuar veten ndaj rreziqeve të drejtpërdrejta, në vend që të përqendrohet në interesa më të prekshme dhe zhvillime të mundshme afatgjata.
Sipas entit mediatik “South China Morning Post”, në veçanti, nëse kriza do të gërryente më tej besueshmërinë globale të Shteteve të Bashkuara, ajo madje mund të hapte hapësirë gjeopolitike që Kina do të përpiqej ta shfrytëzonte në Indo-Paqësor.
Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e ShBA-ës në Venezuelë mund të konsolidonte më tej, sipas z. Filho, trendin global drejt kthimit të politikës së fuqisë, me qëllimin e ShBA-ës për të rivendosur kontrollin (në Amerikë), Rusinë që bën të njëjtën gjë në Evropën Lindore dhe Kinën që aktualisht po teston kufijtë e saj.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments