KINA PO SHFAQ FUQI DETARE NË UJËRAT E AZISË LINDORE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 3 min read

Pekin, Kinë | “Kina po zhvendos më shumë se 100 anije luftarake të marinës dhe rojes bregdetare nga portet e saj në ujërat e Azisë Lindore në shfaqjen e saj më të madhe detare të forcës deri më sot”.
E thënë kjo sipas burimeve dhe raporteve të inteligjencës të shqyrtuara nga agjencia kanadeze e lajmeve Rojtërs (Reuters).
Vendi është në mes të një periudhe tradicionalisht të ngjeshur ushtrimesh ushtarake, por Ushtria Çlirimtare Popullore nuk ka njoftuar ndonjë stërvitje në shkallë të gjerë me një emër zyrtar.
Por rritja e aktivitetit vjen ndërsa Kina dhe Japonia janë përfshirë në një krizë diplomatike pasi kryeministrja japoneze Sanae Takaiçi (Takaichi) tha muajin e kaluar se një sulm hipotetik kinez ndaj Tajvanit mund të shkaktojë një përgjigje ushtarake nga Tokio.
Pekini është zemëruar gjithashtu nga njoftimi i presidentit tajvanez Lai Çing (Ching)-te muajin e kaluar për një shpenzim shtesë prej 40 miliardë dollarësh në mbrojtje për t'iu kundërvënë Kinës, e cila, e pretendon ishullin si territor të vetin.
Anijet kineze kanë qenë duke u grumbulluar në ujërat që shtrihen nga Deti i Verdhë jugor përmes Detit të Kinës Lindore dhe poshtë në Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore, si dhe në Paqësor, sipas zyrtarëve të sigurisë në rajon.
Pretendimet e tyre u konfirmuan nga raportet e inteligjencës nga një vend në rajon që detajuan zhvillimin.
Dokumentet tregojnë se deri të enjten në mëngjes, në zonë vepronin më shumë se 90 anije kineze, nga më shumë se 100 që ishin në një moment më herët këtë javë.
“Operacionet tejkalojnë përforcimin masiv detar të Kinës në muajin dhjetor të vitit të kaluar, gjë që e shtyu Tajvanin të rriste nivelin e gatishmërisë”, thanë burimet.
Znj. Cai (Tsai) Ming-yen, drejtoreshë e përgjithshme e Zyrës së Sigurisë Kombëtare të Tajvanit, tha të mërkurën se Kina është aktualisht në periudhën më aktive për stërvitjet e saj ushtarake.
“Që nga mëngjesi i së mërkurës, Kina ka katër formacione detare që veprojnë në Paqësorin perëndimor dhe Tajvani po i monitoron ato”, tha Drejtoresha Cai (Tsai), pa dhënë detaje.
“Prandaj, ne duhet ta parashikojmë armikun sa më gjerësisht të jetë e mundur dhe të vazhdojmë të monitorojmë nga afër për çdo ndryshim në aktivitetet përkatëse”, tha ajo, kur u pyet nëse Kina mund të zhvillojë ushtrime të reja posaçërisht për Tajvanin para fundit të vitit.
“Tajvani e kupton plotësisht situatën e sigurisë në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin e gjerë dhe mund të sigurojë që nuk ka shqetësime për sigurinë kombëtare”, tha zëdhënësja e Zyrës Presidenciale Karen Kuo.
“Tajvani do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar çdo veprim të njëanshëm që mund të kërcënojë stabilitetin rajonal”, shtoi ajo.
“Një nga zyrtarët, i cili, ashtu si të tjerët, foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës”, tha se Pekini filloi të dërgonte një numër më të madh anijesh se zakonisht në rajon pas 14 nëntorit, kur thirri ambasadorin e Japonisë për të protestuar ndaj komenteve të Kryeministres Takaiçi (Takaichi) në lidhje me Tajvanin.
“Kjo i tejkalon shumë nevojat e mbrojtjes kombëtare të Kinës dhe paraqet rreziqe për të gjitha palët”, tha zyrtari i informuar për këtë çështje, duke shtuar se Pekini po testonte reagimet në kryeqytetet rajonale me vendosjen e pashembullt.
Së bashku me avionët luftarakë, disa nga anijet kineze në rajon kanë kryer sulme të simuluara ndaj anijeve të huaja.
Dy burime të tjera thanë se vendet në rajon po e monitoronin nga afër zhvillimin, por shtuan se deri më tani nuk besonin se zhvillimi paraqiste rreziqe të konsiderueshme.
“Ka shumë mobilizim; por me sa duket këto janë vetëm ushtrime rutinë”, tha një nga burimet.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)
















































Comments