NASA: KOZMONAUTI RUS OLEG ARTEMIEV (ARTEMYEV) U LARGUA NGA MISIONI “SPACEX CREW-12” PAS AKUZAVE PËR SPIUNAZH TEKNOLOGJIK.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Një nga kozmonautët rusë më me përvojë, Oleg Artemiev (Artemyev), thuhet se është larguar nga misioni i radhës i NASA-s, “SpaceX Crew-12”, pas akuzave serioze për shkelje të legjislacionit amerikan ITAR, i cili, ka të bëjë me lëvizjen e teknologjive të ndjeshme të mbrojtjes.
Sipas raportimeve të mediave ruse dhe ndërkombëtare, kozmonauti 54-vjeçar akuzohet për fotografimin e dokumenteve dhe pajisjeve në qendrën SpaceX në Hothroun (Hawthorne) të Kalifornisë, gjatë përgatitjeve për misionin e vitit 2026.
Këto imazhe dyshohet se janë transferuar jashtë ambienteve nëpërmjet telefonit të tij personal celular.
Agjencia hapësinore ruse Roscosmos njoftoi zyrtarisht se z. Artemiev u hoq nga ekuipazhi për shkak të transferimit në një pozicion tjetër, por burime të tjera këmbëngulin se arsyeja është shumë më serioze.
Kozmonauti u zëvendësua nga z. Andrei Fediaev (Fedyaev).
Çfarë përcakton ITAR?
Rregulloret Ndërkombëtare të Trafikut të Armëve (një sërë rregulloresh të rrepta të ShBA-ës) ndalojnë eksportin, ndarjen ose transferimin e informacionit që lidhet me teknologjitë e mbrojtjes, siç janë komponentët e anijeve kozmike dhe planet teknike.
Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba të mëdha dhe, në raste të rënda, madje edhe dënime të gjata me burg.
Sipas gazetës investigative ruse “The Insider”, një hetim ndërkombëtar është nisur tashmë për incidentin.
Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se veprimet e z. Artemiev kishin për qëllim dëmtimin e Shteteve të Bashkuara, por çështja mund të klasifikohet edhe si spiunazh nëse rezulton se fotot ishin të destinuara për një qeveri të huaj.
Ekspertët e industrisë hapësinore po e quajnë incidentin një shkelje serioze.
Analisti Georgi (Georgy) Triskin tha se ishte e vështirë të imagjinohej se si një kozmonaut me përvojë të tillë mund të shkelte aksidentalisht rregullore kaq të rrepta.
Z. Artemiev kishte marrë pjesë në tre misione të mëparshme në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, në vitet 2014, 2018 dhe 2022, duke grumbulluar një total prej 560 ditësh në hapësirë dhe tetë shëtitjesh në hapësirë.
Misioni i vitit 2026 do të ishte i pari i tij në bordin e kapsulës Dragon të SpaceX.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)
















































Comments