REPUBLIKA FEDERALE E GJERMANISË KRIJOI NJË GJYKATË ARBITRAZHI PËR TË ZGJIDHUR PRETENDIMET PËR VEPRA ARTI TË VJEDHURA NGA KOHA E NAZIZMIT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 14 hours ago
- 3 min read

Berlin, Republika Federale e Gjermanisë | Gjykata e arbitrazhit e sapokrijuar e Qeverisë Federale të Gjermanisë filloi veprimtarinë e saj të hënën, me qëllim përmirësimin e kthimit të pronës kulturore të sekuestruar gjatë epokës naziste.
Gjykata zëvendëson Komisionin Këshillimor të hershëm, të njohur zakonisht si Komisioni Limbach, i cili, u krijua në vitin 2003.
Ai prezanton mundësinë e apelimit të njëanshëm, duke i lejuar secilës palë të apelojë pa pëlqimin e palës tjetër.
Kjo shënon një largim nga korniza e mëparshme, sipas të cilës, të dyja palët duhet të bien dakord përpara se të mund të vazhdojë një apelim.
Për herë të parë, të mbijetuarit e Holokaustit dhe trashëgimtarët e tyre ligjorë mund të iniciojnë drejtpërdrejt procedurat e arbitrazhit për të kërkuar veprat e artit dhe pasuritë e tjera kulturore, veçanërisht nga koleksionet publike.
E krijuar nëpërmjet një marrëveshjeje administrative midis qeverisë federale, shteteve gjermane dhe shoqatave komunale më 26 mars 2025, gjykata përbëhet nga 36 gjyqtarë.
Ajo bashkëkryesohet nga ish-gjyqtarja e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Elisabeth Steiner, dhe ish-Ministri-President i Saarlandit dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Federale, Peter Müller.
Me seli në Berlin, zyra e arbitrazhit funksionon si një sekretariat formal dhe vepron sipas rregullave të rrepta procedurale që synojnë të sigurojnë transparencë dhe qëndrueshmëri gjatë gjithë procesit.
Panelet e arbitrazhit do të lëshojnë vendime detyruese të udhëhequra nga një kornizë vlerësimi e strukturuar që lejon thjeshtime provash dhe supozime ligjore.
Kjo kornizë synon zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve afatgjata për dëmshpërblim, gati tetë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë regjimit nazist, familjeve të panumërta hebreje iu morën prona kulturore, duke përfshirë piktura, libra, mobilje dhe sende të tjera personale.
Në vitin 1998, Gjermania, së bashku me 43 vende të tjera, nënshkroi Parimet e Uashingtonit për të adresuar kthimin e artit dhe pronës kulturore.
Që atëherë, hulumtimi i origjinës në muzetë, bibliotekat dhe arkivat gjermane ka rezultuar në kthimin e më shumë se 7700 veprave të artit, 27500 librave dhe mijëra objekteve arkivore.
Megjithatë, Komisioni Këshillimor ofroi një fushëveprim të kufizuar; në më shumë se 20 vjet, ai zgjidhi vetëm 26 raste.
Z. Hans-Jürgen Papier, i cili, kryesoi Komisionin në vitin 2017 dhe më parë shërbeu si president i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, e përshkroi procesin si grindje të padenjë për veprat e artit, duke përmendur mungesën e autoritetit të Komisionit për të nxjerrë vendime detyruese.
Ndër rastet e shquara që tani preken nga reforma është vepra Madame Soler e artistit Pikaso (Picasso).
Pas 16 vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për të rimarrë pikturën nga Koleksionet e Pikturës së Shtetit Bavarez, trashëgimtarët e bankierit hebre Paul von Mendelssohn-Bartholdy tani janë në gjendje të ndjekin kërkesën e tyre drejtpërdrejt kundër muzeve, të cilët, më parë kishin rezistuar.
Muzeumet federale dhe shtetërore, duke përfshirë Koleksionin e Pikturës së Shtetit Bavarez, Hamburger Kunsthalle dhe Fondacionin e Trashëgimisë Kulturore Prusiane, e kanë miratuar sistemin e ri.
Megjithatë, deri më tani më pak se 50 nga 11000 komunat e Gjermanisë i janë bashkuar zyrtarisht iniciativës.
Ndërkohë, vepra “Nata” e artistit Maks Mekmen (Max Beckmann) dhe shumë kërkesa të tjera për dëmshpërblim janë në pritje para gjykatave të reja.
Avokatët mbeten të ndarë në lidhje me atë që vendimet e para të gjykatës do të sinjalizojnë për të ardhmen e dëmshpërblimit të epokës naziste në Gjermani.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)
















































Comments