JAPONI: NJË KOMUNË NGRE NJË BARRIERË PËR TË ERRËSUAR PAMJEN E MALIT FUXHI NGA TURISTËT E HUAJ.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 27, 2024
- 2 min read
Tokio, Japoni | Fujikawaguchiko, një komunë në prefekturën japoneze të Jamanashit, ka vendosur të ngrejë një barrierë 2.5 metra të lartë dhe afërsisht 20 metra të gjatë, për të errësuar pamjen e malit Fuji përgjatë një rruge, e cila, pikërisht për shkak të panoramës, është bërë një vend takimi i mbushur me njerëz për turistët e huaj.
Kjo është raportuar nga mediat japoneze, sipas të cilave, autoritetet vendore janë të acaruar nga vrazhdësia e turistëve dhe mosrespektimi i rregullave nga ana e tyre.
“Është për keqardhje që duhet përdorur kjo masë sepse disa turistë nuk janë në gjendje të respektojnë rregullat”, deklaroi për mediat lokale një zyrtar komunal, sipas të cilit, shumë turistë hedhin mbeturina në tokë, dhe kalojnë rrugën duke mos e përfillur trafikun.
Pavarësisht tabelave të veçanta të vendosura nga autoritetet komunale dhe përdorimit të personelit të sigurisë, problemi duket se është përkeqësuar muajt e fundit dhe disa turistë madje kanë dhunuar pronën private - duke përfshirë çatinë e një klinike dentare aty pranë - në përpjekje për të marrë foto sa më sugjestive te vullkani i famshëm japonez.
Pas krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, Japonia po përjeton një bum në turizmin ndërkombëtar.
Ajo regjistroi një rekord të të gjitha kohërave me mbi 3 milionë vizitorë në muajin mars.
Në qytete dhe resorte turistike të ndryshme në Japoni janë rindezur polemika dhe debate edhe për efektet negative të fluksit të madh të vizitorëve të huaj.
Iniciativa e ndërmarrë nga bashkia e Fujikawaguchiko nuk është unike: distrikti Gion - distrikti i njohur i geishave të Kiotos - ka vendosur, për shembull, të ndalojë turistët të hyjnë në rrugë të vogla private, në përgjigje të ngacmimeve të pësuara nga argëtueset tradicionale japonezë.
Ende në zonën e malit Fuji, megjithatë, disa bashki kanë vendosur të vendosin një taksë për vizitorët që synojnë të ngjiten në mal, në mënyrë që të luftojnë grumbullimin e tepërt, dhe të mbledhin fondet e nevojshme, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































