DUBLIN: KOMISIONI IRLANDEZ PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE SHQIPTOI GJOBË PREJ 530 MILION € NDAJ TIKTOK-ut | U AKUZUA SE VJEDH TË DHËNAT E PËRDORESVE DHE I ÇON TE PARTIA KOMUNISTE E KINËS.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 2 days ago
- 2 min read

Dublin, Irlandë | “TikTok” u gjobit me 530 milionë € për shkelje të Rregullores së Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave duke lejuar që disa nga të dhënat e saj të përfundojnë në Kinë.
Platforma e mediave sociale virtuale në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance” ka njoftuar tashmë se do të apelojë.
Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) ka vendosur që platforma kineze e videove të shkurtra nuk ka arritur të tregojë se të dhënat personale të përdoruesve të BE-së gëzojnë nivelin e lartë të mbrojtjes së kërkuar nga legjislacioni evropian.
Në veçanti, duket se disa prej tyre janë të arritshme nga distanca nga stafi në Kinë.
Për këtë arsye, autoriteti irlandez e dënoi gjigantin e mediave sociale me një gjobë prej 530 milionë eurosh, duke e urdhëruar kompaninë të zbatojë ligjin brenda gjashtë muajve.
Gjoba e vendosur ndaj “TikTok” është shumë më e lartë se ajo e treguar nga disa rrjedhje informacioni në shtyp nga fillimi i këtij muaji që flisnin për 500 milionë euro, por është gjithashtu e treta më e lartë ndonjëherë pas atyre të vendosura ndaj kompanisë “Meta” për Facebook prej 1.2 miliardë eurosh dhe ndaj Amazon prej 746 milionë eurosh.
Pasi tha se nuk ishte dakord sepse Komisioni nuk i mori parasysh masat e sigurisë që ishin tashmë në fuqi, “TikTok” njoftoi se do të paraqesë një apel të plotë.
“Ne nuk pajtohemi me vendimin dhe planifikojmë të paraqesim një apel të plotë”, tha znj. Kristin (Christine) Grahn, drejtuese e marrëdhënieve institucionale të “TikTok” për Evropën.
“Në veçanti, gjoba nuk e merr parasysh Projektin Clover, iniciativën tonë prej 12 miliardë eurosh për sigurinë e të dhënave, lider në industri, e cila, përfshin disa nga mbrojtjet më rigoroze të të dhënave në botë”, shpjegoi znj. Grahn.
“Në vend të kësaj, ajo përqendrohet në një periudhë specifike vitesh më parë, para zbatimit të Clover në vitin 2023, pa marrë parasysh masat e sigurisë që janë aktualisht në fuqi”, tha ajo.
“Ne nuk kemi marrë kurrë kërkesa për të dhëna të përdoruesve evropianë nga autoritetet kineze dhe nuk u kemi ofruar kurrë atyre të dhëna të përdoruesve evropianë”, shtoi ajo.
Në Evropë, “TikTok” ka 175 milionë përdorues dhe 6000 punonjës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Kommentare