top of page
E BARDHË SHIRIT.png

SI NUK DUHET LUFTUAR POPULIZMI | NJË MËSIM NGA RUMANIA.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 7 hours ago
  • 4 min read

Nga: z. Alek Rasll (Alec Russell).

Londër, Britania e Madhe | Politika është gjithmonë e lehtë për t’u interpretuar - pasi ka ndodhur ngjarja.

 

Pas revolucionit antikomunist të Rumanisë në vitin 1989, mes një lulëzimi të madh gazetash, në rrugë u shfaq një fletushkë ultranacionaliste.

 

E quajtur România Mare (Rumania e Madhe), ajo shumë shpejt frymëzoi një parti politike me të njëjtin emër provokues dhe me pikëpamje revanshiste.

 

Të dyja, fletushka dhe partia, pasqyronin një kthim në vitet 1930 të shekullit XX. Vit pas viti, ato qëndruan në periferi.

 

Ndërkohë, Rumania po lëvizte para - edhe pse në mënyrë të çrregullt - drejt normalitetit.

 

Në fillim të viteve 2000, ajo iu bashkua Bashkimit Evropian dhe NATO-s, një triumf pas periudhës së saj të vështirë nën komunizëm.

 

Megjithatë, dhe për fat të keq, fryma e România Mare-s, tani e lustruar me një lëmim të stilit trampian, është forca dominuese e vendit.

 

George Simion, një politikan i përshkuar nga etosi i së djathtës ekstreme, është kandidati kryesor në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës.

 

Cilido qoftë rezultati, shumë vende të BE-së që përpiqen të përballen me populizmin, duhet të mësojnë këtë nga Rumania: ajo është një rast studimi për mënyrën si të mos reagosh.

 

Nëse fiton Simioni, dikur një huligan futbolli, kjo do të përbëjë tronditjen më të madhe për Rumaninë që nga viti 1989.

 

Investitorët janë të tmerruar - po ashtu edhe zyrtarët e NATO-s dhe të BE-së, të cilët, kanë frikë se Rumania mund të bashkohet me Hungarinë si një anëtare rebele.

 

Askush nuk duhet të jetë i habitur.

 

Sigurisht që ka pasur ndihmës të gatshëm dhe të njohur për këtë valë populiste që çoi në fitoren e Simionit me 41 për qind të votave në raundin e parë.

 

Duket qartë se Moska orkestroi një fushatë kibernetike për të amplifikuar mesazhin e së djathtës.

 

Nxitja e telasheve zgjedhore përmes botëve është një qasje e njohur për Kremlinin - dhe jashtëzakonisht e lirë.

 

Më pas vijnë rrjetet e vjetra komuniste që thuhet se kanë financuar Aleancën për Bashkimin e Rumunëve (AUR) të Simionit dhe aleatët e tij.

 

Ish-sekuritatët (Securitate - shërbimi sekret i Rumanisë komuniste) e Bukureshtit u pasuruan pas vitit 1989, në stilin e grabitjeve të KGB-së (shërbimi sekret i BRSS-së).

 

Trashëgimtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre po nuhatin mundësi të mëdha për përfitim në një shtet të drejtuar nga Simioni.

 

Por, sado të dëmshme të jenë këto ndikime, fajtorët e vërtetë për ngritjen e së djathtës janë partitë e mëparshme, të cilat, janë alternuar në pushtet për 35 vjet në mënyrë të rehatshme dhe të korruptuar.

 

Një brez i ri gazetarësh dhe prokurorësh ka nxjerrë në dritë skandal pas skandali, veçanërisht nën Social-Demokratët.

 

Shikoni Kolektivin (filmi dokumentar rumun Colectiv i vitit 2019) i nominuar për çmimin Askër (Oscar), që shpërfaq korrupsionin në sistemin shëndetësor, dhe do të qani.

 

Siç dihet, qeveria në largim e koalicionit është ndoshta më e pastra që ka pasur ndonjëherë Rumania, por ajo erdhi shumë vonë për të zbutur pakënaqësinë popullore ndaj status quo-së. (Ajo ishte gjithashtu e pashpresë në komunikimin e mesazhit të saj).

 

Shtresa drejtuese e Rumanisë dështoi të ndajë përfitimet e globalizimit, ndërkohë që mbeti tepër e vetëkënaqur përballë kërcënimit nga e djathta.

 

Simioni ndërtoi profilin e tij si kundërshtar i vaksinimit gjatë pandemisë, duke shfrytëzuar një mosbesim ndaj shtetit kujdestar që vjen nga epoka komuniste.

 

Qëkur partia e tij AUR hyri në politikën qendrore në vitin 2020, nacionalizmi i saj shpeshherë është nënvlerësuar - nëse jo përkëdhelur - nga qendra politike.

 

Çfarë marrëzie ka dëshmuar kjo. Kur establishmenti më në fund kuptoi përmasat e kërcënimit, reagoi në mënyrë të vrazhdë, duke anuluar raundin e parë të zgjedhjeve të vitit të kaluar - kur një tjetër ultranacionalist, Kalin Georgesu (Călin Georgescu) fitoi - duke përmendur ndërhyrje ruse.

 

Ai më vonë u ndalua të merrte pjesë në përsëritjen e votimit nga Gjykata Kushtetuese, mbi bazën e provave të paqarta.

 

Në muajin shkurt, nënpresidenti amerikan JD Vens (Vance) tmerroi centristët evropianë kur e qortoi BE-në për kufizimin e lirisë së fjalës - pa përmendur tiraninë e Rusisë.

 

Por, ai kishte të drejt kur sugjeroi se reagimi ndaj Georgeskut ishte i tepruar. Dhe, po - befasi, befasi - ndalimi duket se ka nxitur të djathtën.

 

Për aktivistët e MAGA-s (Make America Great Again) në ShBA-ës dhe më gjerë, një fitore e Simionit do të ishte një tjetër gozhdë e mirëpritur në arkivolin e BE-së - edhe pse në tentimin për të tërhequr të moderuarit ai thotë se do të qëndrojë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

 

Kremlini duhet të jetë i ekzaltuar kur e sheh veten të vlerësuar si një kryemjeshtër i marionetave të Rumanisë, duke pasur parasysh faktin se vendi historikisht e ka urryer Rusinë.

 

Sa për gazetarët e mbetur të România Mare, ndonëse gjithçka dukej e pamundur, momenti i tyre tashmë ka ardhur.

 

Liberalët dhe pakicat etnike të Rumanisë kanë mbështetur shpresat e tyre të zbehta te Nikushor (Nicuşor) Dan, kryebashkiaku i Bukureshtit, një matematikan me një karrierë jo të bujshme.

 

Edhe nëse ai fiton, vendin e pret një trazirë, në mos një çrregullim i plotë.

 

George Iakobesku (Iacobescu), i cili, u largua nga Rumania nën komunizëm dhe përfundoi duke drejtuar një nga bizneset më të mëdha të pasurive të paluajtshme në Evropë, Canary Wharf Group, është i zhgënjyer me mbështetësit e AUR-it, veçanërisht nga diaspora e madhe në Bashkimin Evropian që votoi për të herën e fundit.

 

Ata po e shkatërrojnë vendin për të hequr menaxhimin e tij të kalbur”, thotë ai.

 

Është si të djegësh një pyll të tërë në vend që heqësh pemët e tij të kalbura”. Vërtet, kjo është një histori paralajmëruese.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page