top of page
E BARDHË SHIRIT.png

BUMI I INTELIGJENCËS ARTIFICIALE DO TË JETË I ZYMTË.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 3 days ago
  • 4 min read
ree

Nga z. Nikolas Krill (Nicholas Creel)*.

Gjeorgji, Amerikë | Inteligjenca artificiale (IA) po shkon drejt një kolapsi në treg.


Matematika që mbështet këtë përfundim është shumë e thjeshtë.


Kompanitë e mëdha teknologjike (Big Tech) pritet të shpenzojë mbi 400 miliardë dollarë në vitin 2025 për infrastrukturën e IA-së, shifër që pritet të rritet në dy trilionë dollarë në vit deri në vitin 2030.


Kjo pavarësisht faktit se parashikimet tregojnë se këto kompani nuk pritet që së shpejti të mbyllin hendekun mes të ardhurave dhe shpenzimeve.


Uoll-Stritit (Wall Street) i pëlqen t’i thotë vetes se ky hendek do të ngushtohet gradualisht përmes adoptimit të qëndrueshëm të kësaj teknologjie transformuese.


Kjo narrativë pretendon se ndërmarrjet do ta integrojnë ngadalë IA-në, se produktiviteti do të përmirësohet gradualisht dhe brenda pak vitesh rasti i biznesit të saj do të bëhet i qartë.


Problemi është se adoptimi i hershëm i IA-së po rezulton të jetë i paqëndrueshëm financiarisht, që do të thotë se mund të duhen disa vite - ose më shumë - që IA-ja të dëshmojë se është investim i vlefshëm për korporatat amerikane.


Ndërkohë, intensiteti kapital i IA-së e bën durimin të jetë luks të cilin investitorët nuk mund ta lejojnë.


Kur shpenzon qindra miliarda për infrastrukturë çdo vit, nuk mund të presësh thjesht vite me radhë për një adoptim organik.


Vetë kostot operacionale kërkojnë monetizim të shpejtë.


Se ky rast mund të jetë një flluskë burse, kjo forcohet kur kupton se Microsoft-i, Amazon-i, Google dhe Meta nuk po i shpenzojnë paratë që i kanë ruajtur në llogari kursimi.


Shumica e këtij investimi varet nga financimi rrethanor, një tipar i flluskës dot-com që rrit shumë mundësinë e dështimit financiar në zinxhir - nëse ndonjë hallkë shfaq dobësi.


Ndërsa shpesh krahasohet me këtë, një ndryshim kyç midis këtij tregu dhe bumit të telekomit në fillim të viteve 2000 është madhësia dhe shpejtësia e shpenzimeve.


Flluska dot-com bëri që kompanitë e telekomit të shpenzonin 121 miliardë dollarë në vit në kulmin e vitit 2000.


Shpenzimet e sotme për IA-në janë shumë më të mëdha - dhe të përqendruara në një periudhë më të shkurtër.


Gjithashtu, ndryshe nga vendosja e kabllove me fibër optike, infrastruktura e IA-së zhvlerësohet shpejt.


GPU-të (Njësitë e përpunimit të grafikave) bëhen të vjetruara pasi modelet e reja kërkojnë më shumë kapacitet përllogaritës.


Qendrat e të dhënave kërkojnë përditësime të vazhdueshme. Çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten.


Ora e numërimit mbrapsht, derisa kompanitë e AI-së të kenë nevojë për një infuzion të ri kapitali, nuk është vetëm duke kaluar - ajo po përshpejtohet.


Dinamika konkurruese mes kompanive të mëdha të IA-së vetëm e përkeqëson situatën.


Asnjë lojtar i madh nuk mund të përballojë të ngadalësojë shpenzimet, sepse rrezikon të mbetet prapa nëse një rival arrin ndonjë përparim.


Të gjithë janë të bllokuar në një garë armatimesh, ku ngadalësimi do të thotë humbje e çdo gjëje.


Që të mos jetë një flluskë burse, hendeku midis shpenzimeve dhe të ardhurave për kompanitë e AI-së duhet të mbyllet shpejt. Por, si?


Skenari i vetëm realist ku kjo mund të ndodhë është nëse OpenAI, Anthropic dhe Google arrijnë që IA-ja të zëvendësojë pjesë të mëdha të punës me paga të larta.


Kjo do të thotë se duhet që AI-ja të eliminojë dhjetëra milionë vende pune të punonjësve të dijshëm për ta marrë atë vlerë ekonomike për vete.


Analistët që brohorasin për suksesin e IA-së, në thelb po bëjnë tifo për papunësi masive në shumicën e profesioneve të klasës së mesme.


Rruga e mesme - ku adoptimi i IA-së do të jetë gradual dhe punonjësit do të kalojnë pa probleme ndërsa investitorët do të fitojnë kthime të arsyeshme - është një lojë në kontabilitet.


Shifrat thjesht nuk e lejojnë. Kur shpenzon 400 miliardë në vit, nuk po vendos bast për përparim të qëndrueshëm. Po luan bixhoz për një transformim historik dhe të shpejtë.


Skenari i flluskës është shumë më i thjeshtë.


Nëse teknologjia së shpejti nuk jep rezultate të mjaftueshme, rritja e të ardhurave do të ndalet dhe investitorët do të kuptojnë shpejt që matematika nuk ka bazë.


Flluska do të shpërthejë dhe investitorët do të pësojnë goditje.


Shkurtimet e fundit masive në ekipin e IA-së të Meta-s janë ndoshta një tregues që sinjalizon se kompanitë e IA-së mund të jenë duke e kuptuar se bumi po përfundon.


Historia ofron një paralajmërim të zymtë për atë që do të vijë. Rënia e telekomit nga viti 2000 në më 2002 fshiu qindra miliarda në vlerë tregu, ndërsa kompanitë u shembën nën peshën e shpenzimeve kapitale.


Kolapsi i IA-së do të jetë shumë më i madh. Është investuar më shumë kapital, janë të përfshira më shumë kompani, më shumë pjesë të tregut janë kapitalizuar mbi këtë histori.


Infektimi nuk do të ndalet vetëm te aksionet teknologjike.


Shpenzimet për infrastrukturën e IA-së tani janë përbërës kaq i madh i rritjes së PBB-së, saqë kolapsi i saj do të përhapej në gjithë ekonominë, duke na futur në recesion.


Bumi i AI-së nuk ka qenë kurrë i qëndrueshëm në këtë shkallë.


Pyetja e vetme është: sa tremujorë duhen derisa pjesa tjetër e Uoll-Stritit ta pranojë këtë.


*Profesor-asistent i Ligjit të Biznesit në Kolegjin dhe Universitetin Shtetëror të Gjorgjisë (Georgia College and State University).


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page