PUTINI PO HA MBËSHTETËSIT E TIJ | KËSHTU BIEN DIKTATORËT.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 3 days ago
- 3 min read

Nga z. Hamish de Bretton-Gordon.
Moskë, Federata Ruse | Makineria e fuqishme e propagandës ruse, që vloi javët e fundit, duket se ka pësuar një goditje të rëndë.
Putini tani po gëlltit “idiotët e dobishëm”, njerëzi tek të cilët ishte mbështetur për të projektuar një realitet alternativ përpara botës: jo atë të një shteti të përjashtuar, të zhytur në krime lufte, por të një shpëtimtari që na mbron prej nazistëve imagjinarë dhe ekstremistëve fantazmë.
E vërteta, sigurisht, është se përkrahësit e tij vijnë nga skajet politike, nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme.
Mjafton të dëgjosh kampionin e vetëshpallur të popullit, Xhorxh Gallouei (George Galloway), duke lavdëruar Kremlinin, ose retorikën e paqëndrueshme të komentuesve të skajshëm, si aktori pensionist Stivn Sigll (Steven Seagal) që lavdëron udhëheqjen e Putinit, për të kuptuar se sa larg shtrihet ky ekosistem i dezinformimit.
Por, kthesa e fundit e Kremlinit kundër disa prej mbështetësve të tij më besnikë është me të vërtetë domethënëse.
Këto spastrime gjithnjë e më staliniste sugjerojnë se po shkërmoqet makineria e propagandës e ndërtuar për të fshehur krimet e luftës të Putinit dhe për të justifikuar një luftë të paligjshme dhe shkatërrimtare për qytetarët rusë.
Rritja e jashtëzakonshme dhe rënia spektakolare e Roman Alekhinit - një “Z-bloger” i njohur pro-luftës, i shpallur tani si agjent i huaj nga regjimi i Putinit - ka tronditur komunitetin e internetit që për gati katër vjet kishte besuar se kishte leje të heshtur për të kritikuar mënyrën se si po zhvillohej lufta. Kjo fantazi tani ka marrë fund.
Teksa mijëra aktivistë kundër luftës ranë në burg, kultura paralele e blogerëve ushtarakë ultranacionalistë u përkrah, u financua dhe pati qasje të privilegjuar.
Ata shërbyen si një valvul e miratuar për të shfryrë zemërimin për luftën. Por, tani as ata nuk janë më të sigurt.
Sergei (Sergey) Markov, dikur zë i besueshëm pro-Kremlinit, gjithashtu është shpallur agjent i huaj - një etiketë me tone të errëta nga koha e Stalinit, dikur e rezervuar për armiq të vërtetë të shtetit.
Sot ajo përdoret lirshëm për të ndëshkuar këdo që del jashtë vijës gjithnjë e më të ngushtë të partisë.
“Kur kjo makineri shtypjeje nis, nuk mund të ndalet”, paralajmëron Vladimir Kara-Murza, figura opozitare britaniko-ruse e dënuar me 25 vjet, në një kamp modern burgimi, për kritikën ndaj luftës - një dënimi të cilit i mbijetoi vetëm falë një shkëmbimi mes të burgosurve në vitin 2024.
Ai i tha entit mediatik “The Telegraph” se:
1- “Kthehuni prapa te Bashkimi Sovjetik nën Stalinin. Fillimisht u sulmuan armiqtë politikë, pastaj sistemi filloi të gëlltiste vetë njerëzit e vet”.
Edhe pse Kremlini krenohet për përfitime përreth Pokrovskit dhe Zaporizhias, këto përparime të hamendësuara kanë ardhur me një kosto të madhe në jetën njerëzore ruse - humbje të cilat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u fshehur.
Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm rusë përballen me çmime të larta të karburanteve dhe të ushqimeve, ndërsa klima e brendshme po ndryshon.
Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që kemi parë aparatin e dezinformimit të Moskës në një rrjedhë të plotë të çmendurisë.
Pas përpjekjes së dështuar për vrasjen e Sergei Skripalin-it në Salisbëri në vitin 2018, Kremlini lëshoi një valë marrëzish.
Një nga pretendimet më absurde ishte se (helmi nervor) Noviçok ishte prodhuar personalisht nga kryeministrja e atëhershme Tereza Mei (Theresa May) në (qendrën kërkimore) në Port on Daun.
Kam komentuar në atë kohë se po ta kishin akuzuar Mergëret Theçërin (Margaret Thatcher), e cila, në fakt kishte studiuar kimi në Oksford, ndoshta do të kishte qenë pretendim paksa më i besueshëm. S’ka nevojë të thuhet që kjo nuk u prit mirë në Moskë.
Gjithë kjo shërben si kujtesë e fortë se regjimet autoritare rrallë bien nga presioni i jashtëm.
Ato kalben nga brenda, duke shkatërruar vetë njerëzit që dikur e kanë mbajtur gjallë.
Për këtë arsye, Perëndimi dhe sidomos Evropa duhet ta rrisin presionin ndaj Putinit, pasi nuk jam i sigurt se në këtë fazë do të marrim shumëçka nga ekipi i MAGAs (Make America Great Again).
Putini duhet të kuptojë se alternativa ndaj tërheqjes është fund i turpshëm, më i ngjashëm me rrëzimin e Stalinit sesa me një pensionim triumfues.
Një paqe e drejtë për Ukrainën duhet të jetë e vetmja rrugëdalje që i mbetet, dhe ne duhet të sigurohemi që ai ta kuptojë këtë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments