top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PRESIDENTËT TRAMP; PUTIN; SHI (XI) DHE EPOKA E RE E NEOIMPERIALIZMIT.

Writer: Agjencia Telegrafike VoxAgjencia Telegrafike Vox

Nga enti mediatik Kohërat Financiare (Financial Times).

Londër, Britania e Madhe | Mbase keni dëgjuar për neoliberalizmin dhe neokonservatorizmin. Por, tani, mirë se vini në epokën e neoimperializmit.

 

Momenti më goditës në fjalimin inaugurues të presidentit Danlld Tramp (Donald Trump), muajin e kaluar, ishte premtimi i tij se ShBA-ja do ta konsiderojë sërish veten si një komb në zgjerim - një i tillë që rrit pasurinë tonë, zgjeron territorin tonë.

 

Janë zbehur shpresat se retorika e z. Tramp mbi zgjerimin territorial ishte thjesht një figurë boshe stilistike.

 

Referencat e presidentit ndaj territoreve të huaja që dëshiron të përvetësojë, janë shumë të shpeshta për t’u injoruar apo hedhur poshtë.

 

Z. Tramp ka pohuar se Amerika me siguri do të marrë Grenlandën. Ai është zotuar të rimarrë” Kanalin e Panamasë. Shpesh thotë se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i Amerikës. Javën e kaluar, ai madje pretendoi pronësinë mbi Gazën.

 

Fiksimi i tij për të zgjeruar territorin ka habitur edhe disa nga mbështetësit e tij.

 

Por, ambiciet ekspansioniste të presidnetit Tramp janë më të lehta për t’u kuptuar nëse shihen si pjesë e një prirjeje globale.

 

Dy udhëheqësit e tjerë botërorë që ai duket se i konsideron si të barabartë - presidentët Vladimir Putin dhe Shi Xhinping (Xi Jinping) - gjithashtu e shohin zgjerimin territorial si një objektiv kyç kombëtar dhe si pjesë të pretendimit të tyre personal për madhështi.

 

Zëdhënësit rusë shpesh e përdorin sigurinë kombëtare si justifikim për luftën në Ukrainë.

 

Por, vetë z. Putin është rikthyer në mënyrë obsesive te ideja se Ukraina nuk është shtet i vërtetë, por pjesë e botës ruse.

 

Z. Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, dikur i tha një të besuari se, para se të pushtonte Ukrainën, z. Putini kishte dëgjuar tre këshilltarë: “Ivanin e Tmerrshëm. Pjetrin e Madh. Dhe, Katerinën e Madhe”.

 

Këta sundimtarë mbikëqyrën zgjerimet e mëdha të territorit rus, me Katerinën që avancoi thellë në Ukrainë.

 

Z. Putin, pa dyshim, do të dëshironte të largohej nga skena historike duke rikthyer kontrollin rus mbi zemrën e ish-perandorisë së tij të vjetër - Ukrainën - dhe ndoshta edhe më në perëndim.

 

Në mënyrë të ngjashme, presidenti Shi (Xi) e sheh marrjen nën kontroll të Tajvanit si çështje kyçe për fatin kombëtar të Kinës dhe për trashëgiminë e tij historike.

 

Në një fjalim të fundit, ai deklaroi: “Tajvani është një territor i shenjtë i Kinës”.

 

Presidenti Shi (Xi) ka thënë se çështja e Tajvanit nuk mund të kalohet më nga një brez në tjetrin. Përfundimi i ribashkimit të Kinës do të ishte një arritje e madhe që mund t’i siguronte atij një status të ngjashëm me atë të Mao Cedunit, themeluesit të Republikës Popullore të Kinës.

 

Interesi i presidentit Tramp për perandorinë është shfaqur kohëve të fundmit.

 

Këshilltarët e tij po përpiqen me vështirësi të racionalizojnë në retrospektivë deklaratat e tij mbi Grenlandën, Panamanë dhe madje edhe Gazën - një proces që tashmë njihet si sanewashing (përpjekje për të minimizuar radikalitetin e një personi ose ideje për ta bërë atë më të këndshëm për publikun e gjerë).

 

Ashtu si me z. Putin, qasja fillestare e sanewasher-ëve është të ofrojnë një shpjegim të rrënjosur në sigurinë kombëtare.

 

Grenlanda ka minerale kritike; kinezët po hedhin sytë drejt Kanalit të Panamasë. Por, Kanadaja? Gaza? Këtu shpjegimet racionale zëvendësohen me ngritje supesh - ose edhe me të qeshura të përmbajtura.

 

Meqenëse nuk ka një arsye bindëse strategjike për ambiciet territoriale të presidentit Tramp shpjegimi më i qartë alternativ është se kjo lidhet me madhështinë e tij vetjake.

 

Nëse Çmimi Nobel për Paqe mbetet i paarritshëm, presidenti Tramp të paktën mund të arrijë të gdhendë fytyrën e vet në faqen e Malit Rashmor (Mount Rushmore) duke zgjeruar territorin amerikan.

 

Ideja se presidenti thjesht dëshiron të rrisë sipërfaqen e Amerikës, u bë më e besueshme pas telefonatës së tij famëkeqe me kryeministren daneze, Mette Frederiksen.

 

Mendohet se ajo i ka ofruar presidentit Tramp pothuajse gjithçka që mund të dëshironte, përveç sovranitetit mbi Grenlandën.

 

ShBA-ja mund të kishte më shumë baza ushtarake ose të drejta mbi mineralet. Por, kjo nuk e qetësoi atë. Ai donte vetë Grenlandën.

 

Shpresat e presidentit Tramp për të marrë nën kontroll Kanadanë ose Gazën ende duken të pamundura.

 

Por, Kanali i Panamasë dhe Grenlanda janë më të cenueshme: forca ushtarake amerikane do të ishte dërrmuese po të vendosej kundër panamezëve ose danezëve.

 

Me ShBA-në, Rusinë dhe Kinën të udhëhequra nga burra me ambicie ekspansioniste, pasojat janë të zymta për sistemin aktual ndërkombëtar.

 

Bota mund të kalojë nga një epokë ku shtetet e vogla mund të pretendonin mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar, në një realitet ku, siç thoshte Tukididi, të fortët bëjnë çfarë duan, të dobëtit vuajnë çfarë duhet të vuajnë.

 

Një botë e tillë mund të jetë e pajtueshme me një paqe të brishtë mes fuqive të mëdha, bazuar në sfera ndikimi - me ShBA-në të përqendruar në hemisferën perëndimore, Rusinë në Evropën Lindore dhe Kinën në Azinë Lindore.

 

Gjatë shekullit XIX, fuqitë e mëdha madje organizuan konferenca për të ndarë botën mes vete - si Konferenca e Berlinit (1884-1885), e cila, ndodhi në kulmin e ndarjes së Afrikës.

 

Por, një ndarje e tillë do të ishte natyrshëm e paqëndrueshme. Marrëveshjet mes fuqive të mëdha në shekullin XIX, përfundimisht u shpërbënë në luftërat botërore të shekullit XX.

 

Rritja e ideologjive imperialiste ka gjithashtu pasoja për politikën e brendshme. Perandoritë kanë tendencën të prodhojnë perandorë.

 

Politikat e jashtme ekspansioniste të presidentëve Putin dhe Shi (Xi) ecin paralelisht me një kult personaliteti brenda vendit dhe me shtypje politike.

 

Ambiciet e presidentit Tramp jashtë vendit shoqërohen me një fokus të ashpër për të shkatërruar armikun nga brenda.

 

Z. Illn Mask (Elon Musk), i cili, po luan një rol kyç në këtë, ka thënë se çdo ditë mendon për fatin e Perandorisë Romake dhe ka sugjeruar se Amerika mund të ketë nevojë për një “Sula modern” - për diktatorin romak që vrau qindra kundërshtarë, ndërsa reformonte shtetin.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page