FRANCA PO RRËSHQET DREJT ANARKISË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 2 hours ago
- 3 min read

Nga z. Gavin Mortimer.
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Në një editorial të botuar të shtunën e kaluar, e përditshmja konservatore “Le Figaro” e përshkroi Francën si “një aeroplan pa krahë dhe pa pilot, që vegjeton në fund të pistës”.
Metafora e aviacionit ishte e duhur, duke qenë se 24 orë më parë, drejtori ekzekutiv i Ryanair-it, Michael O’Leary, kishte deklaruar se Franca - veçanërisht kontrollorët e saj të trafikut ajror – ishte shembulli klasik i joefikasitetit dhe paaftësisë.
Presidenti Makron nuk do të pajtohej. Ai beson se Republika është në gjendje të shkëlqyer dhe të hënën shprehu entuziazmin për samitin e ardhshëm, “Zgjidh Francën”, ku kompanitë do të inkurajohen të investojnë.
Por, përse dikush do të dëshironte të investonte sot në Francë?
Vendi ka kryeministrin e katërt brenda një viti dhe Asambleja Kombëtare i ngjan asaj që, kohët e fundit, një deputet e përshkroi si spital psikiatrik.
Kryeministri Sebastin Lëkrny (Sébastien Lecornu) është njeriu me mantelin e bardhë, por duket i rraskapitur pas vetëm disa javësh në detyrë.
Prioriteti i tij është të miratojë buxhetin deri në fund të vitit, por kjo po duket gjithnjë e më e pamundur në një Parlament tmerrësisht të ndarë.
Shumëkush beson se shpërndarja e Parlamentit është e pashmangshme në javët në vijim.
Krerët e biznesit në Francë janë të pashpresë. Shumë prej tyre, gjatë fundjavës, nënshkruan një letër të hapur ku lutën klasën politike të udhëheq e të mos imponojë thjesht taksa të tjera.
Zyra Kombëtare e Auditorit po ashtu është në kaos, duke paralajmëruar se Franca ka humbur kontrollin mbi ecurinë e financave sociale.
Deficiti i sigurimeve shoqërore pritet të arrijë në 23 miliardë euro këtë vit gjë që, sipas Zyrës, nuk është as i shëndetshëm dhe as i qëndrueshëm.
Një numër gjithnjë e më i madh francezësh e akuzojnë presidentin e tyre se nuk është me këmbë në tokë.
Makroni refuzon të pranojë përgjegjësinë për kaosin që ka shkaktuar në vend duke shpallur zgjedhje të parakohshme në qershor të vitit 2024.
Ai vazhdon thuajse gjithçka është në rregull, i bindur se është njeriu më i zgjuar në vend.
Javën e kaluar, Makroni organizoi Forumin e Paqes në Paris, ku parandalimi i konflikteve dhe ndërtimi i paqes ishin tema kryesore.
Por, në vend që të shqetësohet për konfliktet ndërkombëtare, ndoshta Makroni duhet ta përqendrojë vëmendjen te shtëpia e tij.
Disa ditë pas Forumit ndodhën disa të shtëna në kryeqytet, që lanë një të vdekur dhe tre të plagosur - të cilat besohet se lidhen me kartelet gjithnjë e më të dhunshme të drogës, tregtia vdekjeprurëse e të cilave po shtrihet në çdo qytet e fshat të Francës.
Rrallëherë kalon një javë pa lajme për një tjetër vrasje; në Marsejë, Paris, Dizhon, Ren, apo ndonjëherë në vende të qeta si Odankuri pranë kufirit zviceran.
Grabitja në Luvër mund të ketë tërhequr vëmendjen globale për guximin (dhe paaftësinë) e saj, por ka pasur edhe sulme të tjera të tilla para dhe pas.
Në shtator, një hajdut i vetëm hyri në Muzeun e Historisë Natyrore në Paris dhe vodhi ar nga një vitrinë në vlerë të 1.5 milionë eurove. Muajin e kaluar, një grua 24-vjeçare kineze u arrestua në Spanjë në lidhje me këtë vjedhje.
Në fillim të javës së kaluar, sabotatorët shkatërruan një pjesë të linjës hekurudhore mes Lonit dhe Avinjonit.
Vandalizmi ndërpreu për 24 orë shërbimet ndërmjet jugut të Francës dhe Parisit.
Policia dyshon se pas kësaj qëndron e njëjta celulë anarkiste, e cila, vitin e kaluar sulmoi sistemin hekurudhor të vendit - në prag të Lojërave Olimpike të Parisit.
Të enjten, disa burra të armatosur me pushkë automatike shpërthyen dyert e një laboratori për rafinimin e arit në Lion dhe vodhën 306 kilogramë metale të çmuara me vlerë të 28 milionë eurove.
Më pas u kapën, por policia në Paris ende po kërkon autorët e një tjetër grabitjeje që ndodhi po atë ditë, ku u vodhën bizhuteri me vlerë të 200 mijë eurove nga dyqani Swarovski.
Grabitjet ndaj objekteve tregtare janë rritur me 15 për qind në katër vitet e fundit.
Shumica e krimeve janë në rritje në Francë, përfshirë sulmet, përdhunimet dhe tentimet për vrasje.
Vendi nuk ka qeveri të qëndrueshme, as ndonjë strategji koherente dhe ka një president me një përqindje miratimi që ka rënë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave - në 11 për qind.
Kriminelët francezë e dinë që nuk ka pilot në kabinë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments