BURKA ËSHTË SIMBOL I SHTYPJES JO I LIRISË PËR GRATË.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 4 hours ago
- 6 min read

Nga znj. Kamila Tominei (Camilla Tominey).
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Mothin Ali, nënkryetar i Partisë së Gjelbër, ka akuzuar Rabrt Xhenrikun (Robert Jenrick) për racizëm, për shkak të dëshirës së tij për të ndaluar burkën - një pretendim i çuditshëm në lidhje me një veshje që bartet nga njerëz të shumë racave të ndryshme.
Nëse qëndrimi i sekretarit në hije të drejtësisë zbatohet njësoj për të gjithë ato që e mbajnë atë, përfshirë konvertitët e bardhë në Islam, atëherë si mund të jetë ai racist?
Indinjata e Aliut pasoi lajmin se deputetët në Portugali kishin votuar për të kufizuar burkat dhe niqabet në shumicën e hapësirave publike, duke ndjekur shembullin e ndalesave në vende të tjera të Evropës, si Franca, Austria, Belgjika dhe Holanda.
Këto vende nuk kanë vepruar nga ndjenjat raciste, por në emër të kohezionit shoqëror, sigurisë dhe të drejtave të grave.
Megjithatë, nënkryetari i të Gjelbërve këmbëngul se komentet e Xhenrikut (Jenrick) janë thjesht të fundit në listën gjithnjë e më të gjatë të deklaratave provokuese, të bëra nga drejtuesit konservatorë, me qëllim të nxitjes së ndarjeve raciste në komunitetet tona.
Kjo vjen nga një njeri i cili rabinin Zekaria Dojç (Zecharia Deutsch) - kapelan hebre nga Lidsi - e quajti bërllok, i neveritshëm dhe kafshë për shkak se, për tre muaj pas mizorive të Hamasit më 7 tetor, ai shërbeu si rezervist në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Rabini dhe gruaja e tij më pas morën qindra kërcënime për vdekje, duke i detyruar ata dhe dy fëmijët e tyre të fshiheshin - me këshillën e policisë.
Ata më vonë u larguan nga Britania - drejt Izraelit. Nëse Aliu vërtet është i shqetësuar për ata që nxisin përçarje, ndoshta duhet të hedhë vështrimin më afër vetes.
Aliu, gruaja e të cilit mban niqabin e plotë të zi, këmbëngul duke thënë se:
1- “Çfarë vendosin të veshin gratë, është vendim që u takon grave, jo këtij apo ndonjë burri tjetër”. Por, e vërteta është se për shumë gra, burka nuk është fare zgjedhje.
Edhe pse Kurani flet për veshje modeste, ai nuk urdhëron gratë të mbulohen nga koka te këmbët.
Në suren Al-Ahzab (33:59) thuhet se:
1- “O ti i Dërguar, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen si gra të ndershme e të mos ngacmohen nga të tjerët”.
Ndërsa në suren An-Nur (24:31) thuhet se:
1- “Thuaju edhe besimtareve të ulin shikimin dhe të ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin hapur zbukurimet përveç asaj që është e dukshme dhe të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre, e të mos i shfaqin zbukurimet e tyre përveç ndaj bashkëshortëve të tyre, baballarëve të tyre, ose ndaj vjehrrave të tyre, ndaj bijve të tyre ose bijve të burrit, ndaj vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve dhe djemve të motrave të tyre, ndaj grave ose robëreshave që i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbyesve të moshuar e të pamundur, ose fëmijëve të vegjël që nuk u zgjohen ndjenja turpi nga të parët e gjinisë tjetër”.
Këto ajete udhëzojnë për modestinë, por nuk kërkojnë mbajtjen e burkës.
Ideja se gratë duhet të mbulohen krejtësisht është zhvilluar dhe imponuar - pothuajse gjithmonë - nga burrat, si imamë, dijetarë dhe klerikë që interpretojnë këto tekste dhe imponojnë kuptimin e tyre.
Nëse burka do të ishte vërtet simbol fuqizimi, gratë do ta kishin përqafuar atë kur u është dhënë liria për të zgjedhur.
Por, është e kundërta. Shihni Iranin përpara revolucionit të vitit 1979; gratë mbanin funde të shkurtra dhe buzëkuq.
Kur ajatollahët morën pushtetin, ata nuk i ftuan me edukatë gratë të mbuloheshin - ata e bënë këtë të detyrueshme.
Ose, merreni shembullin e Afganistanit. Pas rrëzimit të talibanëve në vitin 2001, gratë me padurim hodhën tutje burkat e rënda të kaltra që i kishin shtypur ato për vite me radhë.
Akti i tyre i zbulimit u bë simbol i çlirimit. Kur talibanët u kthyen në pushtet 20 vjet më vonë, u rikthye edhe burka e imponuar sërish nga burrat me armë.
Ky është realiteti që Aliu refuzon të pranojë. Burka nuk është emblemë feministe; është mjet kontrolli.
Vdekja e znjsh. Mahsa Amin në vitin 2022, e rrahur nga policia e moralit në Iran për refuzimin e saj për të mbajtur hixhabin, duhet ta kishte hequr çdo dyshim.
Anembanë botës, gratë rrezikojnë jetën për të hequr këto veshje. Ndërkohë, të ashtuquajturit progresistë i cilësojnë ato si simbole të identitetit kulturor.
Sigurisht, disa gra zgjedhin të mbulohen, dhe në shoqëritë liberale ato duhet të jenë të lira ta bëjnë këtë.
Por, liria ka dy anë. Një grua që zgjedh të mos mbajë burkën duhet të respektohet po aq sa ajo që zgjedh ta mbajë, përfshirë gratë që lindin në komunitete të rrepta fetare dhe që mund të duan të largohen nga ai realitet.
Ajo që shpesh neglizhojnë liberalët është se si fillon ky formësim që në moshë të hershme.
Një studim i vitit 2017 nga Shoqata Nacionale Laike tregoi se 42 përqind e shkollave islame për vajza në Angli - 59 nga 142 - kërkonin hixhabin si pjesë të uniformës.
Kjo përfshin 27 shkolla fillore që mësojnë vajza vetëm katër vjeçe.
Një tjetër studim mësoi se pothuajse një në pesë shkolla fillore e kishin hixhabin pjesë të uniformës.
Në Birmingem, pothuajse gjysma e shkollave fillore e përfshinin atë; në Touer-Hamlets, më shumë se një e treta.
Mendoni për këtë; mijëra vajza myslimane britanike do të rriten pa e ndier ndonjëherë frymën në flokët e tyre. Kjo nuk është ndjeshmëri kulturore - është privim nga përvojat e fëmijërisë.
Në shkollën fillore “Islamia” në Brent, shkolla e parë myslimane në Angli e financuar nga shteti, rregullat janë thellësisht shqetësuese.
E themeluar nga Jusuf (Yusuf) Islami, këngëtari dikur i njohur si Ket Stevns (Cat Stevens), kodi i uniformës për vajzat përcakton që fundet duhet të jenë më të gjata se kyçi i këmbës dhe shamitë duhet të jenë të tipit amira ose kimar, duke mbuluar plotësisht kokën, qafën dhe supet.
Edhe modelet e flokëve pritet të pasqyrojnë etosin islam. Nxënëset që në moshën shtatëvjeçare udhëzohen të vishen në mënyrë të caktuar për aktet e adhurimit, dhe deri në vitin e gjashtë vajzave u mësohet në mënyrë eksplicite ndjenja e veshjes modeste.
Kjo nuk është liri zgjedhjeje - është indoktrinim.
Kështu që, kur Aliu deklaron se çfarë zgjedhin të veshin gratë është vendim i grave, ai përsërit një trillim të zakonshëm.
Në praktikë, shumë vajza myslimane rriten pa e pasur kurrë këtë zgjedhje. Të sfidosh kulturën që u mohon atyre autonominë nuk është islamofobi, është mbrojtje elementare.
Askush nuk argumenton që shteti duhet të diktojë se çfarë duhet të veshin gratë.
Por, as shoqëria nuk duhet të pretendojë se burka, apo hixhabet te fëmijët, janë shprehje neutrale e besimit fetar.
Ato janë pjesë e një sistemi më të gjerë që përcakton vlerën e një gruaje përmes mënyrës se sa shumë ajo fshihet.
Franca, Belgjika dhe vendet e tjera kanë vendosur kufizime jo nga armiqësia ndaj Islamit, por për shkak të bindjes se në një demokraci liberale, njerëzit duhet të takohen ballë për ballë dhe se gratë nuk duhet të ndihen të detyruara të fshijnë identitetin e tyre në publik.
Në Britani, edhe ngritja e kësaj pyetjeje shkakton zemërim.
Por, debati nuk ka të bëjë me racën, por me të drejtat - në veçanti, të drejtën e grave dhe vajzave për të pasur kontroll mbi trupin e tyre.
Hipokrizia qëndron te pretendimi për të mbrojtur lirinë e grave, ndërkohë që shpërfillet fakti se miliona gra e kanë të mohuar atë në emër të fesë.
Kur një politikan perëndimor vë në pikëpyetje burkën, ai akuzohet për mungesë të ndjeshmërisë kulturore.
Kur një grua iraniane e djeg atë, shpallet heroinë.
Të dyja palët po shprehin të njëjtin qëndrim; vlera e një gruaje nuk duhet kurrë të varet nga sa pjesë të trupit ajo fsheh.
Liberalët thonë se gratë duhet të veshin çfarë të duan. Jam dakord. Por, ajo liri duhet të nënkuptojë më shumë sesa e drejta për t’iu bindur një rregulli të vendosur nga burrat.
Duhet të përfshijë të drejtën për të kundërshtuar, për të refuzuar kodet e modestisë, për t’u veshur si të duash, dhe për të jetuar pa frikë apo turp.
Deri sa kjo të jetë realitet, burka nuk do të jetë një veshje çlirimi, por simbol kontrolli.
Dhe, ata që e mbrojnë si shenjë fuqizimi, nuk po mbrojnë të drejtat e grave, por po i mbyllin sytë ndaj shtypjes së tyre.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments