top of page
E BARDHË SHIRIT.png

REVOLUCIONI I INTELIGJENCËS ARTIFICIALE DO TË SJELLË PROSPERITET | RRITJA E INDUSTRISË PRISHI MODELET E VJETRA EKONOMIKE POR SOLLI PASURI TË PAIMAGJINUESHME.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 10 minutes ago
  • 5 min read
ree

Nga z. Fil Grem (Phil Gramm) dhe z. Majkll (Michael) Solon.

Uashington, Amerikë | Spekulimet më të mëdha për inteligjencën artificiale (IA) janë përqendruar te potenciali i saj për të zhdukur vende pune dhe në politikat që qeveria mund të zbatojë për të kontrolluar IA-në dhe për të zbutur efektet negative të punëtorëve kundrejt papunësisë së përkohshme ose të përhershme.


Mes gjithë këtij pesimizmi dhe thirrjeve për mbrojtje nga ana e shtetit, është e rëndësishme të kujtojmë se dritarja jonë e vetme drejt të ardhmes është e kaluara.


Që nga ndryshimet kolosale që erdhën që nga Revolucioni Industrial e deri te Revolucioni Dixhital i çerekshekullit të fundit, përmirësimet në teknologji kanë krijuar një sërë vendesh pune që i kanë tejkaluar shumë më shumë - si në numër, ashtu edhe në cilësi - ato që janë eliminuar, duke ngritur edhe standardin e jetesës.


Historia ofron shembuj paralajmërues për mënyrën se si interesat e veçanta dhe frika publike mund të krijojë politika shtetërore të cilat vonojnë përparimin dhe rrisin koston e tranzicionit.


Për një ekonomi mesjetare që mezi ishte rritur për 1500 vjet, Revolucioni Industrial në Mbretërinë e Bashkuar çliroi një përqendrim më të madh të të mirave materiale sesa kishin përjetuar ndonjëherë njerëzit e zakonshëm.


Nga viti 1840 deri më 1900, pagat reale u dyfishuan dhe jetëgjatësia mesatare u rrit me 22 përqind - nga rreth 41 në 50 vjeç. Popullsia u dyfishua dhe punësimi u rrit me 80 përqind.


Në Amerikë, rritja gjatë Revolucionit Industrial ishte e përmasave biblike.


Nga viti 1870 deri më 1900, produkti i brendshëm real bruto u trefishua, popullsia dhe forca e punës pothuajse u dyfishuan dhe prodhimi në sektorin e prodhimit u rrit gjashtëfish.


Të ardhurat reale për frymë u rritën me 110 përqind midis viteve 1865 dhe 1910, ndërsa pagat reale të punëtorëve në industri u rritën me rreth 173 përqind.


Jetëgjatësia u rrit me një të katërtën, ndërsa kostot reale të ushqimit, veshjes dhe strehimit ranë me rreth 50 përqind.


Gjatë Revolucionit Dixhital të çerekshekullit të fundit, PBB-ja reale e ShBA-ës u rrit me 66 përqind.

 

Të dhënat e Byrosë së Statistikave të Punës tregojnë aftësinë e jashtëzakonshme të ekonomisë amerikane për të përthithur teknologjinë e re.


Që nga viti 2000, mesatarisht pesë milionë amerikanë në muaj janë shkarkuar nga puna ose janë larguar vetë, por ekonomia ka krijuar 5.1 milionë vende pune më të paguara - për çdo muaj.


Ky shkatërrim krijues nuk është risi. Në vitin 1810, 81 përqind e amerikanëve punonin në bujqësi; sot vetëm 1.2 përqind.


Në vitin 1953, 32 përqind e amerikanëve punonin në fabrika. Edhe pse prodhimi industrial real është katërfishuar, pjesa e fuqisë punëtore në sektorin e prodhimit ra në 7.8 përqind në vitin 2025.


Askush nuk e kuptoi shkatërrimin krijues të Revolucionit Industrial më qartë sesa Karl Marksi.


Ai e ka parë Revolucionin Industrial si një fuqi që çlironte forcat më të mëdha dhe më kolosale prodhuese sesa të gjitha gjeneratat paraardhëse së bashku brenda rreth njëqind vjetësh.


Por, Marksi gjithashtu pa shkatërrimin e instrumenteve të vjetra të prodhimit që shqyenin lidhjet e llojllojshme feudale që lidhnin njeriun me eprorin e tij natyror, duke mos lënë asnjë lidhje mes njerëzve përveç interesit të zhveshur vetjak dhe pagesës së pashpirt me para.


Fatkeqësisht, Marksi i ka parë këto ndryshime jo si agimin e lirisë ekonomike dhe si ngritje e njerëzimit, por si fillimin e një epoke të re shfrytëzimi - një pikëpamje që dikur varfëroi dhe skllavëroi gjysmën e botës dhe ende ushtron ndikim në gjithë planetin.


Përderisa Marksi i ka parë si efektet krijuese ashtu edhe ato shkatërruese të Revolucionit Industrial, reagimi i publikut u përqendrua pothuajse tërësisht tek ato shkatërruese.


Historiani britanik Arnold Toinbi (Toynbee) e quajti Revolucionin Industrial një periudhë po aq shkatërrimtare dhe të tmerrshme si çdo periudhë tjetër në të cilën një komb ka kaluar ndonjëherë.


Një dhomë në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Uashington mban pikturat e titanëve të industrisë amerikane - si dhe të gazetarit ekonomik Henri Xhorxh (Henry George).


Etiketa pranë portretit të Henri Xhorxhit (George) përfshin këtë vlerësim për Revolucionin Industrial në Amerikë: “Të pasurit u pasuruan më shumë, të varfrit mbetën të pafuqishëm, klasa e mesme u zhduk”.


Në Britani, artizanët e pushuar të tekstilit u përfshinë në terrorizëm industrial duke shkatërruar makineritë, si tezgjahët, në Kryengritjet e Luditëve.


Qeveria dërgoi trupa dhe Parlamenti vendosi dënimin me vdekje për të ndaluar shkatërrimin.


Në Amerikë, mekanizimi, ekonomitë e shkallës dhe marketingu masiv shkatërruan konkurrentët lokalë duke ofruar çmime më të ulëta dhe produkte me cilësi më të lartë.


Fillimisht shtetet dhe më pas qeveria federale kërkuan të kufizonin prodhuesit e mëdhenj dhe efikasë me rregullore të epokës progresive të cilat për 90 vjet mbrojtën prodhuesit në kurriz të konsumatorëve.


Në shekullin XIX, qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe të ShBA-ës ishin të vogla dhe kryesisht jo-ndërhyrëse.


Sot, të dyja ato janë të mëdha dhe të mbushura me interesa politike të gatshme për të zgjeruar rolin e shtetit në ekonomi.


Senatori Berni Sendërs (Bernie Sanders) ka përqafuar kauzën e luditëve, duke bërë thirrje për taksimin e robotëve.


Ish-Presidenti Baidn (Biden) nxori një urdhër ekzekutiv që vendos mbikëqyrjen shtetërore mbi përdorimin e IA-së dhe që kërkon që IA-ja të promovojë sindikalizmin, përmirësimin e mjedisit dhe avancimin e barazisë dhe të të drejtave civile.


Presidentja e AFL-CIO-s (Federata Amerikane e Punës dhe Kongresi i Organizatave Industriale) ka deklaruar se punonjësit po kundërshtojnë inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e tjera të cilat përdoren për të eliminuar punëtorët apo për të na shfrytëzuar. Dhe, ky është vetëm fillimi.


Thuajse çdo diskutim për IA-në kërkon ndihmë të gjerë ekonomike për të pushuarit nga puna.


Ndërsa, një kor gjithnjë e më i zëshëm bën thirrje për të ardhura të garantuara.


Këto propozime nuk shfaqin aspak vetëdijesimin se ndonëse asistenca për përshtatjen tregtare, papunësia e zgjatur dhe sistemi ynë i mirëqenies mund të jenë pa dyshim me qëllime të mira, ato kanë penguar kalimin e punëtorëve në vende të reja pune.


Pengesat ndaj IA-së tashmë janë ngritur.


Ish-Presidenti Baidn (Biden) nisi një valë procesesh anti-trust ndaj kompanive të mëdha teknologjike të cilën administrata Tramp (Trump) e ka vazhduar në masë të madhe.


Rasti i veçantë amerikan - ku amerikanët janë më produktivë dhe kanë standard më të lartë jetese - varet pjesërisht nga aftësia jonë e jashtëzakonshme për t’u përshtatur me ndryshimin.


Evropa e ka të vështirë shkarkimin e njerëzve nga puna, gjë që kufizon mundësinë për krijimin e vendeve të reja të punës.


Në Kinë, shumica e subvencioneve industriale shkojnë për industritë jokonkurruese, jo për fituesit potencialë të së ardhmes.


Pavarësisht të gjitha kostove të tranzicionit, teknologjia industriale dhe sistemi i tregut arritën atë që asnjë mbret bamirës me dhuratat e tij, asnjë peshkop dashamirës me bamirësinë e tij, asnjë proteksionist merkantilist apo ndonjë esnaf i fuqishëm nuk mundi të arrinte; një rritje të madhe të kapacitetit prodhues që vazhdon ta pasurojë botën tonë.


Nëse politikat për të zbutur kalimin në epokën e IA-së i bazojmë në rezultatet e provuara dhe jo në synime të mira, dhe nëse e lejojmë tregun të zhvillojë dhe përthithë teknologjinë e IA-së, atëherë mund të arrijmë një mrekulli të dytë ekonomike - që do të pasurojë Amerikën dhe botën.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page