MFE HAP PROCEDURAT E APLIKIMEVE PËR PROGRAMET E STREHIMIT SOCIAL | 320 MILIONË LEKË PËR VITIN 2024.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 27, 2023
- 2 min read
Tiranë, Shqipëri | Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hapur procedurat e aplikimeve për programet e strehimit social, të cilat, do të financohen nga buxheti i shtetit, në vitet 2024-2025.
Procedurat përcaktojnë llojet e projekteve që do të financohen nga buxheti i shtetit pjesërisht apo plotësisht, kushtet që duhet të plotësojnë bashkitë për t’u kualifikuar, si edhe formatin dhe dokumentacionin e aplikimit.
Në buxhetin e vitit 2024 është parashikuar një fond prej 320 milionë lekësh, për financimin e projekteve të reja.
Tre janë llojet e programeve sipas të cilave kategorizohen projektet që do të financohen:
1- Banesa sociale me qira.
2- Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfra dhe të pa favorizuara.
3- Streha të përkohshme.
Në programin “banesa sociale me qira” parashikohen projekte të financueshme që mund të sigurohen nëpërmjet adaptimit të objekteve ekzistuese që janë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, blerjes nga tregu, kur çmimi i blerjes së banesave në treg është më i ulët se kostoja e ndërtimit, dhe ndërtimit të ri në truall në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Në programin “përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfra dhe të pa favorizuara”, parashikohet financimi i projekteve për përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht në zona informale, ku banojnë më shumë se 50 familje (kryesisht në zona të banuara nga minoriteti rom), që janë në proces legalizimi, përmirësimin e infrastrukturës në zona banimi me mungesë shërbimesh si ujësjellës, kanalizime, ose ku këto shërbime janë të papërshtatshme; si dhe përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese për familje.
Në lidhje me “përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese”, për familje, ato do të kenë në fokus individë apo familje pa të ardhura, nga pakica kombëtare rome, dhe egjiptiane, familje që ka në përbërje persona me aftësi të kufizuara, familje e përbërë nga të moshuar me moshë mbi 65 vjeç, që jetojnë vetëm, familjet me më shumë se katër fëmijë, vajza, nëna, gruaja viktima të dhunës, grua kryefamiljare, ku fëmijët në ngarkim të kenë moshën nën 18 vjeç, etj.
Në programin streha të përkohshme parashikohet financimi i projekteve që kanë të bëjnë me blerje dhe montim të kontenierëve, tendave, etj., si edhe adaptim të një objekti ekzistues për banim.
Hapja e procedurave për programet e strehimit social, për kategoritë në nevojë, bëhet vetëm pak ditë pasi qeveria me ndryshimet në buxhetin e vitit 2023 akordoi bonuse sociale për shtresat vulnerabël, pjesë e paketës së solidaritetit për festat e fundvitit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjenia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)











































Comments