LEZHË: DONIKA CURRI NGA TIRANA U ARRESTUA; U MERRTE TË DHËNAT VETJAKE QYTETARËVE DUKE U PREMTUAR SE DO T’I NDIHMONTE; TË DHËNAT VETJAKE I PËRDORTE PËR TË MARRË KREDI DUKE I FUTUR NË BORXHE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 26
- 1 min read

Lezhë, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Znj. Donika Curri.
Njoftim | Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë ka finalizuar operacionin e koduar “Kredia”, duke vënë në pranga një 33-vjeçare të dyshuar për mashtrim financiar me të dhëna personale të disa shtetaseve.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasja D. C., banuese në Tiranë, prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur.
Ajo mashtronte viktimat duke u kërkuar fotokopje të kartës së identitetit me premtimin e dhënies së ndihmës mujore.
Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre personale, aplikonte dhe përfitonte kredi në institucione të ndryshme financiare.
Operacioni policor është rezultat i administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve të mbërritura nga qytetare të ndryshme që ranë pre e kësaj skeme mashtrimi.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë transfertat e parave të përfituara nga kreditë, të cilat ishin derdhur në një llogari të administruar nga vetë e dyshuara.
Policia njofton se hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht skemën kriminale dhe për të identifikuar të mundshëm bashkëpunëtorë të saj, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit