KRIPTOMONEDHAT JANË NJË KËRCËNIM PËR SISTEMIN FINANCIAR TË SHBA-ës.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 3 days ago
- 7 min read

Nga z. Den Deivis (Dan Davies)*.
Londër, Britani e Madhe | Kjo ka qenë një javë e mirë për interesat e Amerikës në kriptomonedha.
Ligji i quajtur Genius Act, i cili legjitimon një lloj kriptomonedhe të quajtur Stablecoin (me vlerë të qëndrueshme), avancoi në Senat dhe të enjten presidenti Tramp (Trump) organizoi një darkë gala për 220 mbajtësit më të mëdhenj të memekoinit të tij, $Trump.
Por, kjo nuk do të thotë se ka qenë një javë e mirë për Amerikën.
Stablecoin-ët, ashtu siç e sugjeron edhe emri, janë kripto-asete të garantuara nga asetet e tjera, si p.sh. dollari amerikan.
Z. Tramp dhe djemtë e tij e krijuan një të tillë të quajtur USD1, përmes kompanisë së tyre të kriptomonedhave, World Liberty Financial.
Monedhat dixhitale, si Stablecoin-ët, janë mjaft problematike, sidomos kur përdoren për përfitime personale politike.
Por, problemet e mundshme që ato paraqesin për sistemin financiar tradicional janë edhe më të thella dhe më shqetësuese.
Përkrahësit e tyre pretendojnë se ato do të fuqizojnë sistemin financiar amerikan; Trampi deklaroi se Stablecoin-ët do të “zgjeronin dominimin e dollarit amerikan”.
Në fakt, ato ka më shumë gjasa ta minojnë atë, duke nxitur mashtrime dhe shmangie të sanksioneve, duke gjeneruar rreziqe financiare dhe ndoshta duke lejuar ndonjë valutë tjetër që të zëvendësojë dollarin në tregtinë globale.
World Liberty Financial deklaroi se do ta mbështeste monedhën dixhitale me bono afatshkurta të Thesarit të ShBA-ës, me depozita në dollarë dhe mjete të tjera të barasvlershme me paranë.
Ashtu si dollari amerikan që përbën boshtin e sistemit financiar global, Stablecoin-ët ofrojnë një standard vlere ndaj të cilit maten kriptomonedhat, pa pasur nevojën për t’i konvertuar ato në dollarë të vërtetë përmes një llogarie të rregulluar bankare.
Interesat e kriptos dëshirojnë ta fshijnë kufirin midis kriptomonedhave dhe financave të rregulluara, duke i integruar Stablecoin-ët në sistemin zyrtar financiar amerikan.
Kjo do t’u lejonte atyre të lëviznin lirshëm mes botës së pakontrolluar të kriptos - ku vlerat ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme dhe mund të luash bixhoz edhe me memet më të fundit - dhe botës së rregulluar të financave tradicionale ku pasuritë dhe llogaritë mbrohen nga SEC-u (Komisioni i Letrave me Vlerë) dhe FDIC-u (Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave).
Me Trampin në Shtëpinë e Bardhë, industria e kriptomonedhave ka një mundësi të madhe, por kjo mundësi nuk vjen vetëm falë z. Tramp.
Kriptoja ka marrë mbështetje të ndjeshme dypartiake, duke u ndihmuar nga donacionet bujare për komitetet e veçanta të politikanëve (PAC) dhe duke i mundur politikanët skeptikë ndaj kriptos.
(Në vitin 2024, industria derdhi 40 milionë dollarë për të mundur Sherrod Brownin, një senator skeptik ndaj kriptos, në garën e tij të pasuksesshme për rizgjedhje në Ohajo).
Përkrahësit e Stablecoin-ëve argumentojnë se forcimi i kriptomonedhave do të forcojë edhe dollarin amerikan.
Senatorja Kirsten Gillibrand, demokrate nga Jorku i Ri dhe një nga bashkësponsoret e Genius Act, tha se është e shqetësuar që Amerika “thjesht po shikon ndërsa kundërshtarët tanë lëvizin figurat në tabelën e shahut” dhe se është “në rrezik të mbetet edhe më shumë prapa” Evropës dhe Kinës.
Ajo ka të drejtë kur thotë se vendet e tjera po ndërtojnë monedha dixhitale, ndërkohë që z. Tramp kundërshton planet për një dollar dixhital të emetuar nga Rezerva Federale.
Meqë shumica e Stablecoin-ëve janë të lidhura me dollarin amerikan, znj. Gillibrand thotë se rregullimi dhe promovimi i tyre do të forcojë dominimin e dollarit.
Nuk është fjala për një besim irracional në vetvete. Dominimi i dollarit në botë bazohet në një kombinim unik të stabilitetit ekonomik dhe politik të ShBA-ës, së bashku me një rrjet të përshtatshëm pagesash ndërkombëtare.
Kjo i lejon Shteteve të Bashkuara të përdorin si armë rolin e tyre qendror në financat globale.
Sanksionet ekonomike amerikane detyrojnë bankat ndërkombëtare të zgjedhin midis shërbimit për klientë që ShBA-ës nuk pëlqejnë dhe qasjes në sistemin financiar global të bazuar në dollarë.
Po ashtu, industria e kriptos beson se legjitimimi i Stablecoin-ëve do ta shndërrojë një ekosistem të pakontrolluar të kriptomonedhave dhe bursave - shumë prej të cilave, duhet theksuar, janë shpikur për të anashkaluar ose zëvendësuar hegjemoninë e dollarit dhe valutave të mbështetura nga shtetet - në një pjesë të zakonshme të sistemit financiar.
Të gjitha këto do të ishin në të mirë të industrisë së kriptos, por vijnë me rreziqe të mëdha për stabilitetin financiar global.
Fillimisht, mund të marrim si shembull deklaratat e entuziastëve të kriptos që ëndërronin dikur se një sistem privat dixhital do të zëvendësonte dollarin.
Z. Deivid Seks (David Sacks), përgjegjës i z. Tramp për inteligjencën artificiale dhe kripton, kishte shpresuar që kriptomonedha si Bitcoin mund të bëhej “monedha e re botërore”.
Hegjemonia financiare amerikane do t’i linte vend një tregu të lirë të udhëhequr nga sektori privat.
Nëse kriptoja bëhet e normalizuar, ka shumë arsye për të besuar se ajo do të përhapë kaos.
Stafi demokrat në Komitetin e Senatit për Bankat ka deklaruar se legjislacioni Genius do t’u lejonte bursave amerikane të tregtojnë Stablecoin-ët e emetuar nga kompani fantome, jashtë juridiksionit të plotë të rregullave amerikane.
Kritikët pohojnë se Tether-i, Stablecoin-i dominues jashtë juridiksionit të ShBA-ës, është përdorur nga kriminelë dhe individë që shmangin sanksionet për të anashkaluar kontrollin financiar.
Platforma të dizajnuara për të fshehur informacionin mbi transaksionet - të quajtura shërbime miksimi - janë përfshirë në skema ku hakerët nga Koreja e Veriut pastronin qindra milionë dollarë.
Edhe sikur të ekzistonte një strukturë e fortë rregullatore, ajo do të duhej të zbatohej.
Departamenti i Drejtësisë së ShBA-ës ka deklaruar së fundmi se, si çështje politike, nuk do të ndjekë penalisht disa platforma të kriptos, duke pranuar njëkohësisht se grupet terroriste si Hamasi dhe ISIS-i i përdorin këto platforma për të fshehur aktivitetet e tyre nga autoritetet e zbatimit të ligjit.
Memekoinët janë bërë të njohura për mashtrime, ku promovuesi ia shet publikut dhe më pas zhduket - por, paditë janë të pamundura në një administratë ku presidenti i sheh ato si burim fitimi personal.
Ndoshta shqetësimi më i madh lidhur me Stablecoin-ët është potenciali i tyre për të shkaktuar rrezik në të gjithë sistemin financiar.
Për shkak se nuk janë as plotësisht brenda as plotësisht jashtë sistemit tradicional financiar, ato paraqesin sfida të veçanta dhe serioze, për të cilat nuk ka përgjigje të qarta.
Për shembull, hartuesit e Genius Act propozojnë që të ketë raporte të rregullta mbi ndikimet e Stablecoin-ëve në stabilitetin financiar.
Por, ata nuk kanë një përgjigje të qartë për pyetjen thelbësore: A qëndrojnë Shtetet e Bashkuara pas Stablecoin-ëve që mbështeten në dollarin amerikan apo jo?
Në mënyrë më konkrete, nëse një Stablecoin do të përballej me probleme ose do të rezultonte si mashtrim, a do të shpëtonin me ndihmën e shtetit?
Një ndërhyrje e tillë do të mund të krijonte detyrime të mëdha për taksapaguesit amerikanë.
Kompanitë që janë “tepër të mëdha për të dështuar” janë të rregulluara dhe të mbikëqyrura rreptësisht - dhe kjo për arsye të mirë.
Por, nëse nuk shpëton një Stablecoin problematik, kjo do të krijonte një burim të ri rreziku sistematik për përdoruesit ndërkombëtarë të sistemit të dollarit.
Krizat financiare të tërheqjes së fondeve nga bankat (bank-run) ndodhin kur askush nuk e di saktësisht se kush është i ekspozuar ndaj një kolapsi zinxhiror dhe në çfarë mase - gjë që shkakton bllokimin e sistemit, pasi bankat tërheqin kreditë.
Pikërisht për këtë arsye, rregullatorët kërkojnë transparencë të plotë nga lojtarët e mëdhenj në tregun global të dollarit.
Shembulli i kompanisë që qëndron pas Tether-it është hipotetik. Drejtuesi i saj ekzekutiv ka përshkruar, me një sinqeritet të pazakontë, se si emetuesit e Stablecoin-ëve që kanë vendosur të qëndrojnë në Evropë janë detyruar të përdorin banka të vogla për të mbajtur depozitat e veta, sepse bankat më të mëdha nuk duan të punojnë me ta.
Por, nëse besimi te Stablecoin-ët do të binte dhe kërkesa për t’i kthyer në para reale do të arrinte, për shembull, 20 për qind të vlerës, ato banka të vogla do të përballeshin me një situatë të ngjashme me tërheqjen masive të depozitave.
Kush do të vepronte për të ndaluar përhapjen e një paniku të tillë në bankat e tjera?
Duhet të ishte dikush që ka kapacitet të madh për të ndërhyrë për shpëtim, në dollarë realë dhe jo në kriptomonedha me vlerë të paqëndrueshme apo të pasigurt.
Kjo është arsyeja se pse nuk ka një përgjigje të qartë për pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara duhet apo mund të qëndrojnë prapa Stablecoin-ëve që bazohen në dollar dhe pse shumë vende të tjera po përpiqen të ulin ekspozimin e bankave ndaj fondeve të bazuara në dollar.
Shtetet e tjera e shohin shtytjen e Amerikës për Stablecoin-in si një kërcënim.
Nëse Stablecoin-ët bëhen një armë e re nën kontrollin amerikan, atëherë ShBA-ës mund t’i përdorin për të depërtuar edhe më thellë në sistemet financiare të vendeve të tjera.
Për më tepër, aleanca e re në zhvillim mes dollarit dhe kriptos mund të mundësojë financimin kriminal në një shkallë të paparë.
Z. Filip Lein (Philip Lane), ekonomisti kryesor i Bankës Qendrore Evropiane, argumenton se mbështetja te Stablecoin-ët do të zhvendoste aktivitetin financiar nga euroja drejt kriptomonedhave të sektorit privat që bazohen në dollarin amerikan.
Kjo do ta bënte Evropën më të cenueshme ndaj presionit ekonomik nga Shtetet e Bashkuara.
Si pjesë e programit të Bashkimit Evropian për të ndërtuar autonomi strategjike - një term që i referohet shkëputjes graduale nga varësia ndaj Amerikës - Banka Qendrore Evropiane po punon për krijimin e një euroje dixhitale.
Kjo do të siguronte një rrjet alternativ pagesash, me privatësi dhe siguri të integruar, dhe, ndryshe nga Stablecoin-ët, do të ishte nën kontrollin e sektorit publik.
Në këtë rast, Stablecoin-ët nuk po e forcojnë dominimin e dollarit, duke u mundësuar ShBA-ës të mbërrijnë pjesën tjetër të botës.
Përkundrazi, ato mund të nxisin përpjekjet e vendeve të tjera për të shmangur këtë sistem.
Evropianët jo vetëm që po ndërtojnë rrugën e tyre të shpëtimit, por gjithashtu po planifikojnë një alternativë globale ndaj një sistemi të dominuar nga ShBA-ës, i cili, po shihet gjithnjë e më pak i besueshëm.
Një anëtar i bordit të Bankës Qendrore Evropiane, përgjegjës për projektin e euros dixhitale, ka filluar të flasë për “përdorimin e mundshëm ndërkombëtar” të një sistemi pagesash që “respekton sovranitetin e vendeve të treta, zbut rreziqet potenciale për to dhe u ofron mundësi të reja”.
Stablecoin-ët kishin për qëllim të përdornin fuqinë e dollarit për të stabilizuar universin kaotik të kriptos.
Por, në vend të kësaj, ato duken se janë në rrugë për të infektuar sistemin financiar të dominuar nga dollari me kaosin unik që sjell kombinimi i kriptos dhe i z. Tramp.
*Autor i librave me titull:
1- The Unaccountability Machine: Why Big Systems Make Terrible Decisions.
2- How America Weaponized the World Economy.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments