top of page
E BARDHË SHIRIT.png

BRSS-ja PUSHTOI EVROPËN LINDORE DUKE E QUAJTUR ÇLIRIM; RUSIA PO PËRSËRIT TË NJËJTIN KRIM NË UKRAINË.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 1 hour ago
  • 7 min read

Nga z. Sergei Lebedev.

Londër, Britani e Madhe | Shpesh dëgjojmë se paaftësia apo mungesa e vullnetit e Rusisë për t’u përballur me krimet e së kaluarës, ka çuar në rikthimin e tiranisë dhe të agresionit ushtarak që shohim sot.

 

Një narrativë e tillë zakonisht fokusohet vetëm te veprimet e brendshme sovjetike:

1- Kolektivizimi i detyruar.

2- Terrori i Madh i viteve 1930 të shekullit XX.

3- Sistemi i gulagëve dhe të tjera të ngjashme.

 

Disa prej këtyre gjërave janë njohur në mënyrë nominale si krime, por nuk është bërë asnjë përpjekje për të nxjerrë autorët para drejtësisë.

 

Demokratët e periudhës së perestrojkës në Rusi, në përgjithësi, ishin kundër drejtësisë kalimtare.

 

Megjithatë, krimi më i ndjeshëm politik i Bashkimit Sovjetik, pothuajse gjithmonë lihet jashtë diskutimit.

 

Dhe, dështimi i Rusisë për t’u përballur me këtë krim të veçantë është shumë më i rrezikshëm dhe ndikon në fatin e shumë kombeve.

 

Ky krim është pushtimi sovjetik i Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili, zgjati për dekada dhe që rezultoi me shumë të vrarë dhe të arrestuar, shkatërrimin e jetës shoqërore dhe kulturore dhe mohimin e lirisë. Padrejtësia ishte e jashtëzakonshme.

 

Krimet e brendshme sovjetike, të cilat, mbetën të pandëshkuara, të paktën u pranuan ligjërisht dhe viktimat e tyre u përkujtuan.

 

Por, jo edhe agresioni dhe pushtimi i jashtëm. Madje, as disidentët dhe liberalët rusë nuk rrezikuan ta trajtonin këtë çështje.

 

Kjo është arsyeja se pse, në lidhje me Evropën Qendrore dhe Lindore, ekzistojnë dy koncepte të kujtesës dhe historisë që zakonisht nuk mund të bashkëjetojnë, por përplasen dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën.

 

Ato janë krejtësisht të kundërta dhe nuk mund të pajtohen përmes diplomacisë: çlirimi sovjetik kundrejt pushtimit sovjetik.

 

Vetëm pasi trupat sovjetike u tërhoqën më në fund nga Evropa Lindore dhe Qendrore, 45 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndodhi çlirimi i vërtetë - kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe kombet e pushtuara gjetën rrugën drejt pavarësisë.

 

Por, ishte më e lehtë të riktheje apo të krijoje shtetësinë dhe pavarësinë sesa të arrije sovranitetin mbi kujtesën historike.

 

Imazhi progresist i Bashkimit Sovjetik në ditët e tij të fundit, shpresat e mëdha të momentit, e mbrojtën Moskën nga kritikat dhe akuzat serioze për pushtimin e Evropës Lindore.

 

Kjo përmbajtje ishte rezultat i një teprie besimi ose, ndoshta, thjesht i një pragmatizmi të kujdesshëm - dëshira për të mos e irrituar Moskën dhe për të mos minuar vullnetin e saj të mirë, për të mos e ngarkuar tepër humbësin e Luftës së Ftohtë.

 

Por, mbrojtja më e rëndësishme që gëzonte Moska ishte, sigurisht, statusi i saj si fituese ndaj nazizmit.

 

Rusia, si shteti pasardhës i vetëshpallur i BRSS-së, e ka ndërtuar profilin e saj politik ndërkombëtar mbi mitin e çlirimit sovjetik, i cili, i jep asaj kapital moral dhe u imponon territoreve të dikurshme të pushtuara një borxh mirënjohjeje për “çlirimin” nga nazizmi.

 

Po, humbjet sovjetike ishin reale. Dhe, megjithatë, është vërtet tragjike që këto humbje ndihmuan në nënshtrimin e kombeve që dëshironin lirinë, duke zëvendësuar një diktaturë me një tjetër.

 

Ushtari sovjetik, i përjetësuar nëpër statujat që ende shënojnë peizazhin e Evropës nga Berlini në Sofje, nuk ishte çlirimtar. Ai ishte skllavërues.

 

Dhe, asnjë sasi gjaku e derdhur nga sovjetikët, për të mposhtur nazistët, nuk mund të justifikojë rolin e tyre si pushtues.

 

Nuk është rastësi që sovjetikët hezitonin të pranonin madje edhe ekzistencën e paktit Molotov-Ribbentrop.

 

Në Rusinë moderne, dënohet çdo krahasim midis rolit të BRSS-së dhe të nazistëve.

 

Në vitet 1939 dhe 1940, Bashkimi Sovjetik pushtoi Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, si dhe pjesë të Polonisë, Finlandës dhe Rumanisë.

 

Për 22 muaj Bashkimi Sovjektik ishte një aleat besnik i Gjermanisë naziste.

 

Kjo valë e parë pushtimesh sovjetike nuk mund të maskohet në asnjë mënyrë si një “luftë kundër nazizmit”; ajo tregoi qëllimin e vërtetë të sovjetikëve.

 

Ajo që pasoi më pas ishte, në fakt, një ripushtim i zgjeruar gjeografikisht. Ky ishte një qëllim i veçantë i luftës, jo domosdo i lidhur me atë për të mposhtur nazistët.

 

Për fat të keq, njohja e pushtimit sovjetik si krim nuk është bërë pjesë thelbësore e historisë moderne evropiane.

 

Ai mbetet i kufizuar gjeografikisht në Lindje, i mjegulluar, i përfaqësuar në mënyrë të pamjaftueshme; ai bën pjesë në historitë e kombeve individuale, por nuk përbën një narrativë të fuqishme të përbashkët ndërkombëtare në kontinent.

 

Megjithatë, ky kuptim ka ndikim të thellë në jetën moderne evropiane dhe është kyç për sigurinë e Evropës.

 

Vetëm kur e kupton plotësisht mizorinë dhe pasojat e pushtimit sovjetik, mund të kuptosh shqetësimet e fqinjëve më të afërt të Rusisë, frikën e tyre të bazuar në histori dhe në nevojën e tyre për siguri.

 

Rajonet lindore të Ukrainës tani janë të pushtuara nga trupat ruse.

 

Për herë të parë që nga viti 1989, zona të mëdha të kontinentit evropian, ku banojnë miliona njerëz, janë nën kontrollin e një shteti pushtues.

 

Por, duket se shumë evropianë tashmë kanë harruar se çfarë do të thotë pushtimi.

 

Shtetësia ruse po u imponohet me forcë.

 

Në fakt, kjo është një skemë e dëbimit në masë, sepse ata që nuk pajtohen do të trajtohen si të huaj dhe do të detyrohen të largohen.

 

Rusia po ndjek të njëjtin rrugëtim si BRSS-ja, për shembull ndaj shteteve baltike, duke synuar rusifikimin e rajonit të pushtuar, ndryshimin e përbërjes kombëtare dhe përfshirjen në strukturën e vet shtetërore.

 

Pronat po konfiskohen dhe po rishpërndahen. “Banorët” e rinj po sillen për të formuar shtyllën kurrizore të regjimit pushtues.

 

Politikat e kujtesës po përmbysen, monumentet që shënojnë krimet sovjetike po zhduken, rrugëve po u rikthehen emrat sovjetikë si simbol i dominimit rus.

 

E gjithë kjo është pjesë e një sulmi ndaj identitetit kombëtar, një përpjekje për ta fshirë atë.

 

Shërbimet e sigurisë shtetërore të Rusisë përdorin gjerësisht teknika të filtrimit, dhe kushdo që konsiderohet politikisht i dyshimtë, mund të përfundojë në burg.

 

Torturat e rënda dhe dhuna seksuale janë të përhapura.

 

Të burgosurit ukrainas të luftës, të cilët janë liruar, raportojnë për të njëjtat metoda torture, keqtrajtim dhe uri të qëllimshme për t’i thyer fizikisht dhe mendërisht.

 

Kushdo që njeh historinë pas Perdes së Hekurt, e dallon menjëherë këtë model.

 

Gjithë ky ishte realitet i zymtë për Poloninë dhe Lituaninë, Gjermaninë Lindore, Rumaninë dhe të tjerë.

 

Dëbime masive, sundimi brutal i policisë sekrete, mohimi i pronës dhe i të drejtave civile … por, kjo kurrë nuk u kthye në një njollë të vërtetë për BRSS-në apo, më pas, për Rusinë.

 

Kurrë nuk u bë diçka për të cilën një komb ndien turp, diçka që kërkon drejtësi dhe ndëshkim, pranim dhe shpagim.

 

Dhe, ja ku jemi sot: pushtuesi është kthyer. Dhe, pushtuesi lufton pikërisht siç bënë sovjetikët.

 

Ushtria e Vladimir Putinit ka një avantazh të tmerrshëm ndaj ushtrive perëndimore, të cilat kanë investuar shumë për të mbrojtur trupat e veta.

 

Ajo mund të përballojë humbjet që do të ishin krejtësisht të papranueshme për çdo vend perëndimor.

 

Por, është gjithashtu mjaftueshëm e avancuar në aspektin teknologjik për të përballuar teknologjitë ushtarake të Perëndimit.

 

Shkenca perëndimore ishte e para që “dronifikoi” luftën, duke minimizuar përfshirjen e trupave në terren dhe duke përdorur makinat për detyra të reja.

 

Ushtria e Putinit, përveç përdorimit të dronëve të vërtetë, dronifikon edhe qenien njerëzore. Ajo i ka kthyer ushtarët në njësi me një përdorim.

 

Me pushtimin në shkallë të gjerë nga Rusia, kemi hyrë në një epokë të re: ndryshimi global i klimës morale.

 

Ashtu siç një tërmet mund të ketë pasojë në mbarë botën, apo një shpërthim vullkanik mund të ndotë qiejt mbi disa kontinente, agresioni i Rusisë po ndryshon klimën politike në shkallë globale.

 

Kjo është një pasojë tjetër shumë reale, por ende jo plotësisht e njohur, e luftës. Ndoshta është më gjithëpërfshirësja nga të gjitha pasojat.

 

Me mijëra trupa të dërguara në betejë dhe të vrarë nga ukrainasit që mbrojnë vendin e vet, Putini nuk merr thjesht disa pjesë të territorit ukrainas - ai gërryen peizazhin politik global, trondit aleanca, lodh durimin e votuesve në vendet e NATO-s dhe na tërheq poshtë në ferrin e relativizmit moral.

 

Çfarë mund të bëhet? Evropa Perëndimore dhe Jugperëndimore, e cila, kurrë nuk u përball me realitetin e pushtimit sovjetik, tani duhet t’ua japë një vëmendje zërave të atyre që e përjetuan atë drejtpërdrejt.

 

Është e vështirë të thuhet nëse Rusia do të mbahet përgjegjëse për krimet ndaj Ukrainës në një të ardhme të afërt.

 

Por, për të ndërtuar një të ardhme - një të ardhme të vërtetë - është thelbësore të zhvillohet një koncept kulturor dhe historik që i kundërvihet përpjekjes së Rusisë për të përçarë dhe sunduar.

 

Me nismën e Vaslav (Václav) Havelit, Joakim Gaukut (Joachim Gauckut) dhe disidentëve të tjerë të njohur, 23 gushti - data e nënshkrimit të paktit Molotov-Ribbentrop - është Dita e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit në Bashkimin Evropian, e njohur ndryshe si Dita e Shiritit të Zi.

 

Kuptimi i kësaj dite mundet dhe duhet të thellohet për të përfshirë një perspektivë më të gjerë mbi imperializmin rus, i cili, ishte pjesë e politikës komuniste sovjetike, por të cilin e ka mbijetuar.

 

Duhet ta kthejmë këtë ditë në një pikë qendrore të një politike të kujtesës afatgjatë dhe të koordinuar, për të forcuar institucionet ekzistuese, si Rrjeti Evropian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS), i cili, përfshin kryesisht vende të Evropës Lindore.

 

Po ashtu, duhet të ndërtojmë institucione të reja, nëpër kontinente, që t’i kundërvihen narrativave, si të së majtës ashtu edhe të së djathtës, të cilat, ende vazhdojnë të gjejnë justifikime për Rusinë.

 

BRSS-ja u rrëzua sepse uniteti i tij artificial u mbajt në këmbë me dhunë dhe shtypje.

 

Qëndrueshmëria e BE-së varet nga qëndrueshmëria e unitetit të saj vullnetar. Por, uniteti nuk është i garantuar.

 

Ai është produkt i njohjes së ndërsjellë dhe i dhembshurisë, i shumë urave kulturore që lidhin njerëzit.

 

Ka ardhur koha të fillojmë ndërtimin.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Commentaires

Noté 0 étoile sur 5.
Pas encore de note

Ajouter une note
bottom of page