TRAMPI REFUZON TË PRANOJË SE PËR NETANJAHUN DHE PUTININ LUFTA E PËRHERSHME ËSHTË E VETMJA MUNDËSI.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 2 days ago
- 5 min read

Nga z. Simon Tisdall.
Londër, Britani e Madhe | Benjamin Netanjahu dhe Vladimir Putini zhvilluan një bisedë telefonike miqësore, në fillim të këtij muaji, me rastin e 80-vjetorit të disfatës së Gjermanisë naziste.
Udhëheqësi izraelit dhe ai rus kanë shumë të përbashkëta. Të dy pretendojnë se po luftojnë ende heroikisht kundër nazistëve - në Gazë dhe, përkatësisht, në Ukrainë.
Ky mashtrim shërben për të justifikuar vrasjen masive të civilëve, humbjet e mëdha në radhët e trupave dhe koston e jashtëzakonshme ekonomike dhe të imazhit.
Ndoshta kjo ndihmon të flenë më mirë natën.
Bibi dhe Vladi: njerëzit më të kërkuar në botë - dhe ndoshta më të përçmuarit.
Mbikëqyrja e vrasjeve, gjymtimeve dhe traumave të mijëra fëmijëve është vetëm një nga sjelljet që ata kanë të përbashkët.
Këta dy “burra të fortë” autoritarë e kanë zhytur secili vendin e vet në statusin e të përjashtuarve globalë dhe në një gjendje degradimi moral.
Konflikti i mban në pushtet. Ata ushqejnë ndjenjat patriotike për të trembur kundërshtarët e brendshëm dhe për të përbuzur kritikët e jashtëm si antisemitë, simpatizantë të terroristëve ose rusofobë.
Ata bëjnë luftë sepse kanë frikë nga paqja. Të dy janë në arrati nga drejtësia ndërkombëtare, me urdhër-arreste të lëshuara për krime të rënda.
Netanjahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë ua mohojnë palestinezëve të drejtën për një shtet të pavarur - të njëjtën të drejtë që e shpallën themeluesit e Izraelit.
Po ashtu, Putini refuzon realitetin e Ukrainës si një shtet sovran.
Të dy projektojnë vizione mesianike dhe ekspansioniste për një “Izrael të madh” dhe një perandori të ringjallur sovjetike.
Në themel të këtyre ideve qëndron një mentalitet supremacist racor dhe ultranacionalist.
Udhëheqësit evropianë parashikojnë se Putini, nëse mbetet i pandëshkuar, do të kthejë armët kah ata.
Netanjahu tashmë e ka zgjeruar luftën në Gazë duke përfshirë Libanin, Jemenin dhe Sirinë.
Raportet më të fundit të inteligjencës amerikane sugjerojnë se ai po përgatitet të sulmojë Iranin, me shpresën për të sabotuar bisedimet bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Dhe, paqebërësit e mundshëm, veçanërisht presidenti amerikan Danlld Tramp (Donald Trump), nuk arrijnë të kuptojnë një ngjashmëri tjetër thelbësore: asnjëri prej tyre nuk dëshiron realisht paqe të qëndrueshme.
Lufta e përhershme është opsioni i tyre i preferuar, gjendja e tyre e natyrshme. Ata mbështeten në dhunë - për të mbijetuar. Nëse luftimet ndalen, ata e dinë se i pret një përballje potencialisht shkatërruese.
Çfarë do të thonë njerëzit në Rostov mbi Don, Omsk apo Nizhni Novgorod, kur veteranët që kthehen të tregojnë çfarë ndodhi realisht në front?
Sa do të zgjasë Putini kur elitat ruse të fillojnë të llogarisin koston marramendëse ekonomike dhe shoqërore të këtij basti të dështuar?
Kur të vijë paqja, Netanjahut do t’i duhet të përballet me zgjedhje - dhe ndoshta me humbje.
Më pas mund të vijë edhe burgu, për akuzat për ryshfet dhe korrupsion.
Gjykata Penale Ndërkombëtare do të kërkojë dorëzimin e tyre. Të dy mund të përfundojnë të rrëzuar dhe të braktisur.
Prandaj, ata kanë frikë nga paqja.
Dhe, pikërisht për këtë arsye, këmbëngulja e vazhdueshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftërave - mbështetur nga ndihma ushtarake dhe ekonomike e shtuar për Ukrainën, si dhe nga sanksionet më të forta dhe presioni diplomatik ndaj qeverisë izraelite - është mënyra për të rrëzuar dy nga figurat më të errëta të kohës sonë.
Nuk është çudi që kjo dyshe, marrëdhënia e të cilëve ka qenë herë pas here e tensionuar që prej dy dekadash, shkëmbyen “përshëndetje të ngrohta” në telefon. Ata tani kanë nevojë për njëri-tjetrin.
Ndoshta folën për mënyrat se si të heshtin kritikët si Keër Starmër (Keir Starmer), ashtu siç Netanjahu u përpoq brutalisht të bënte javën e kaluar.
Netanjahu mendon se mizoritë e tmerrshme të Hamasit më 7 tetor 2023, i japin atij të drejtën të bëjë çfarë të dojë, sado të paligjshme apo imorale të jenë veprimet e tij.
Ai gabon. Ose ndoshta ai dhe Putini kanë metoda të njëjta për mënyrat se si të manipulojnë, lavdërojnë dhe mashtrojnë Trampin - një lojë në të cilën të dy janë mjeshtër.
Triumvirati Netanjahu-Putin-Tramp, kjo lojë cinike politike është pengesa kryesore për paqen në të gjitha frontet.
Politikat kaotike që karakterizuan mandatin e parë të Trampit po arrijnë nivele të reja dhe të rrezikshme të paqëndrueshmërisë në mandatin e tij të dytë.
Nëse synohet t’u jepet fund luftërave dhe të mbyllet epoka Netanjahu-Putin, fuqia dhe ndikimi amerikan duhet të përdoren plotësisht në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e Uashingtonit.
Për momentin po ndodh e kundërta.
Gjatë një vizite në Gjirin Persik, Trampi më shumë i ngjante një tregtari të guximshëm ambulant sesa një presidenti amerikan.
I pandjeshëm ndaj palestinezëve të uritur në Gazë, ai po përpiqet - me vonesë - të frenojë teprimet e turpshme të Netanjahut dhe ta ndalojë nga bombardimi i Iranit.
Por, kjo nuk do të thotë se Trampi ka ndryshuar mendjen për Palestinën. Tani që ideja e tij groteske për një “rivierë në Gaza” ka dështuar, ai duket se e ka humbur interesin.
Nuk ka asgjë për të fituar.
Nëse armëpushimi i përkohshëm në Gazë rivendoset dhe lirohen më shumë pengje, Trampi do të marrë meritat.
Por, problemi themelor mbetet: ai po ndihmon dhe armatos një kryeministër të ashpër dhe një klikë qeverisëse të ekstremit të djathtë që - si neokonservativët amerikanë pas sulmeve të 11 shtatorit - po shfrytëzojnë mizoritë e Hamasit për të shtyrë përpara një agjendë shoviniste duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, madje duke shkuar edhe më tej, duke kërcënuar me gjenocid.
Në çështjen e Ukrainës puna nuk qëndron më mirë. Trampi e sabotoi një ultimatum të përbashkët britaniko-francezo-gjermano-polak që i kërkonte Putinit të pranonte menjëherë një armëpushim 30-ditor, duke pretenduar se ai dinte më mirë.
Por, kur foli me presidentin rus të hënën e kaluar, ai u tërhoq. Edhe një herë, Putini e bëri Trampin budalla dhe përçau ShBA-ës dhe Evropën.
Agimi i momentit kur Trampi kupton se nuk është as Zot e as Papë, dhe se forca e personalitetit të tij nuk mjafton për të zgjidhur të gjitha problemet e botës, ofron një fije shprese për Gazën dhe Ukrainën.
I mërzitur, Trampi kërcënon se do të tërhiqet. Ah, sikur ta bënte! ShBA-ja duhet të mbetet e angazhuar në shumë nivele.
Por, një qëndrim Trampist i heshtjes presidenciale do të ndihmonte shumë në çështjen e paqes.
Si një mjek mashtrues që diagnostikon gabimisht problemet, Trampi i përkeqëson gjërat.
Çdo ditë, Netanjahu dhe Putini vazhdojnë të kryejnë krime, kryesisht falë mikut të tyre pa ide dhe narcisist në Shtëpinë e Bardhë. Çdo ditë, më shumë jetë fëmijësh shkatërrohen.
Trampi duhet të ndalojë së luajturi teatër dhe të delegojë përpjekjet për paqe në Gazë dhe Ukrainë te diplomatët profesionistë amerikanë, te të dërguarit në OKB, ndërmjetësit arabë dhe evropianë, shefat e inteligjencës dhe ekspertët ushtarakë.
Me pak fjalë, duhet t’ua lërë këtë çështje atyre që dinë çfarë bëjnë.
Sa për Netanjahun dhe Putinin, ai duhet të lajë duart prej tyre.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários