PUTINI PO TALLET ME NE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 1 hour ago
- 3 min read

Nga z. Rabrt Kllark (Robert Clark).
Londër, Britani e Madhe | Jo për herë të parë në mandatin e tij të dytë, presidenti Tramp (Trump) është në rrezik që të mashtrohet sërish nga Putini, në lojën kryesore të këtij viti të pokerit diplomatik me rrezik të lartë.
Pasi bëri fushatë vitin e kaluar, në një garë zgjedhore ku Ukraina ishte në qendër të vëmendjes - simbol i dështimit të agjendës së politikës së jashtme të Uashingtonit dhe i një nevoje të perceptuar për t’u rikthyer te parimi “Së pari Amerika” - Trampi premtoi vazhdimisht se do ta përfundonte luftën trevjeçare “që në ditën e parë”.
Njëqind e njëzet ditë më vonë, dhe me asnjë fund realisht të dukshëm të luftës, në horizont, presidenti zhvilloi një telefonatë private dyorëshe me Putinin, në një tjetër përpjekje për ta vënë më në fund diktatorin rus nën kontroll.
Kësaj here, në vend të kërcënimeve për të vazhduar financimin e Kievit, Trampi iu drejtua biznesmenit brenda Putinit, duke ofruar premtime për “potencial të pakufishëm” në marrëdhëniet tregtare të Rusisë, me pjesën tjetër të botës, pas konfliktit.
Edhe pse është e kuptueshme që Trampi - i cili pëlqen ta imagjinojë veten si mjeshtri i marrëveshjeve në botë - përpiqet t’i drejtohet Putinit si i barabartë dhe si një biznesmen, presidenti rus, sigurisht, nuk është asnjë nga këto të dyja.
Në rastin më të mirë, ai është një ish-agjent karriere i rangut të ulët i KGB-së, dhe tani një diktator i dorës së dytë, i cili, pothuajse e humbi pushtetin e brendshëm kur ish-ndihmësi i tij i kthyer në rebel, Jevgeni (Yevgeny) Prigozhini, kërcënoi me një grusht shteti në Moskë, pothuajse dy vjet më parë.
Trampi mund të ketë të metat e veta, por nuk është një despot i dorës së dytë - dhe ta trajtosh Putinin si të barabartë dhe tani si koleg biznesmen, jo vetëm që është një nënvlerësim ndaj vetes, por gjithashtu rrezikon ta inkurajojë Putinin.
Brenda më pak se katër muajsh, strategjia e Trampit për t’u përballur me Putinin ka kaluar nga aleat simpatik; më pas në burim irritimi; në kërcënim për rritje të ndihmës ushtarake për Ukrainën (perceptuar si një kërcënim pothuajse ekzistencial nga Kremlini); dhe tani në premtime për tregti të pakufishme me ShBA-ës.
Strategjia e duhur që duhej ndjekur nga fillimi, sigurisht, do të kishte qenë kufizimi i rreptë i qasjes së Rusisë në tregjet financiare globale të udhëhequra nga ShBA-ës.
Kryeministri Starmër (Starmer) - për hir të së vërtetës - ka udhëhequr një raund të ri sanksionesh - si ndaj individëve rusë, ashtu edhe ndaj flotës famëkeqe të Rusisë.
Edhe BE-ja, pavarësisht dashurisë së saj për gazin rus, ka vendosur sanksione të reja.
Pra, pse është Trampi tani kaq i etur për ta qetësuar Putinin dhe për të ofruar potencialisht miliarda në marrëveshje tregtare si një shpërblim për një marrëveshje armëpushimi nga ana e Rusisë - në një luftë të përgjakshme të cilën rusët e nisën pa asnjë arsye të nevojshme?
Vetëm përmes një strategjie të menduar keq, të shoqëruar me padurim strategjik dhe arrogancë diplomatike, mund të mendojë Trampi se kjo thirrje e fundit ndaj Putinit do të sjellë ndonjë ndryshim domethënës në tonin apo qëndrimin nga Moska.
Nëse mund të gjykohet nga përfaqësuesit e nivelit të ulët të Kremlinit që u dërguan në Turqi javën e kaluar, për t’u takuar me zyrtarë ukrainas, Putini do të vazhdojë ta zvarrisë këtë proces në nivele kryesisht pa kuptim, ndërkohë që ka gjasë të nxjerrë premtime të tjera për përfitime financiare nga Trampi.
Tani ka ardhur koha që Trampi të përveshë mëngët dhe të tregohet i ashpër ndaj Putinit.
Për tre vjet - dhe me të drejtë që nga viti 2014, në mos edhe që nga 2008 - Putini është tallur me Perëndimin, me udhëheqjen e tij të dobët dhe të përçarë përballë vazhdimësisë së sjelljes agresive dhe luftënxitëse të Rusisë.
Trampi është i dëshpëruar për një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë.
Nëse ai mendon se do ta arrijë atë duke u afruar me Putinin përmes telefonatave të vona të natës dhe duke e shpërblyer me marrëveshje tregtare fitimprurëse, atëherë atë e pret një vit shumë zhgënjyes.
Trampi duhet të tregojë veten - ose do ta pësojë, bashkë me Perëndimin, nga Putini për tre vjet e gjysmë të tjera - pa përmendur këtu 120 ditët e fundit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments