JETËGJATËSIA GLOBALE DO TË RRITET ME 5 VJET DERI NË VITIN 2050.
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 17, 2024
- 1 min read
Uashington, Amerikë | Jetëgjatësia globale pritet të rritet me gati 5 vjet deri në vitin 2050, me rritje më të dukshme sidomos te meshkujt dhe në vendet ku jetëgjatësia është aktualisht më e ulët, si ato në Afrikën Sub-Sahariane.
Këtë e tregon studimi i ri Global Burden of Disease 2021, një analizë e gjerë periodike mbi temën e shëndetit që përdor punën e mbi 11 mijë bashkëpunëtorëve nga e gjithë bota.
Megjithatë, hulumtimi, i koordinuar nga Instituti Amerikan për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit dhe i publikuar në revistën The Lancet, tregon se vitet e karakterizuara nga shëndeti i dobët do të rriten gjithashtu, kryesisht për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit.
Siç theksohet nga studiuesit e koordinuar nga Amanda Smith dhe Kristoufër Mjurei (Christopher Murray), të cilët ekzaminuan të dhënat në lidhje me 371 sëmundje dhe 88 faktorë rreziku në 204 vende, rritja e jetëgjatësisë është nxitur kryesisht nga masat e shëndetit publik që kanë parandaluar dhe përmirësuar normat e mbijetesës për shumë çrregullime.
Të dhënat tregojnë veçanërisht se jeta ka tendencë të zgjatet mesatarisht me 4.9 vjet te meshkujt dhe 4.2 vjet te femrat, ndërkohë që pritet një rritje globale prej vetëm 2.6 vitesh me një jetë të mirë shëndetësore.
Sipas autorëve të studimit, rezultatet mund të përmirësohen më tej me ndërhyrjet që synojnë korrigjimin e sjelljeve që konsiderohen të pashëndetshme, si dieta e pabalancuar dhe pirja e duhanit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)








































