EUROPA PERËNDIMORE NUK MUND TË INJOROJË ALEATËT E SAJ LINDORË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 10, 2024
- 6 min read
Nga z. Artin Dersimonian*.
Bruksel, Belgjikë | Është e vërtetë e historisë diplomatike, që nëse një vend apo aleancë, do që të arrijë një paqe kompromisi me një kundërshtar, së pari, duhet të ndihet mjaftueshëm i sigurt.
Prandaj, sugjerimi i diplomatit të lartë Thomas Graham se për të menaxhuar këtë periudhë kritike në kontinent, “qëllimi afatgjatë i SHBA duhet të jetë ringjallja e një sistemi sigurie të bazuar në bashkëpunimin me Rusinë, por, ndoshta në mënyrë paradoksale, rruga drejt tij kalon përmes një përpjekje afatshkurtër, për të siguruar Europën kundër Rusisë.”
Në të vërtetë, dy vitet e fundit të luftës në Ukrainë, kanë theksuar frikën në vendet fqinje, që ndajnë një kufi me Rusinë.
Të gjitha këto frikëra, përqendrohen në një pushtim ose sulm të mundshëm rus, dhe megjithëse mund të jenë të gabuara - duke marrë parasysh dështimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë - ato janë, për arsye historike, të skalitura në ndërgjegjen publike.
Megjithatë, gjatë diskutimeve të mia të fundit me ekspertë në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, ishte përgjithësisht e qartë, se pas pushtimit të Rusisë, shumë në këto vende, ndjenin se frika e tyre ishte e justifikuar - dhe se europianët perëndimorë, i kishin injoruar ato shumë lehtë.
Dhe tani, këto shqetësime duhet të trajtohen, ndonëse jo në mënyrën maksimaliste, që duket se mbrojnë disa skifterë vendas, dhe të Uashingtonit.
Çuditërisht, vendet balltike janë shfaqur deri më tani si mbështetësit më të zëshëm të pranimit të Ukrainës në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Polonia është një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, duke ofruar armë dhe furnizime për Kievin, duke ofruar strehim për mbi një milion ukrainas, dhe duke lejuar përdorimin e territorit polak për transportin e furnizimeve ushtarake perëndimore në Ukrainë.
Megjithatë, ofensiva e vitit 2023 e Ukrainës tani ka dështuar qartë, me luftën e mbyllur në një ngërç, në rastin më të mirë, dhe duke shkuar drejt fitores ruse, në rastin më të keq.
Si të tilla, vendet e Europës Perëndimore dhe SHBA duket se kanë pranuar në heshtje nevojën eventuale për negociata, dhe një formë të kompromisit territorial.
Dhe ndërsa shpresat për fitoren e Ukrainës zbehen edhe më tej, presioni për një paqe të negociuar do të rritet.
Çdo lëvizje drejt një armëpushimi do të përballet me kundërshtime të forta nga shumë polakë dhe baltë (balltikas), megjithatë, pasi ata instinktivisht do të mendojnë se kjo është një shenjë se Perëndimi po i braktis.
Një argument i shprehur në mënyrë të neveritshme, gjatë diskutimeve të mia në Poloni dhe Lituani, ishte frika se vendet e Europës Perëndimore thjesht nuk kujdesen sa duhet, për sigurimin e territorit të aleatëve të tyre lindorë.
Dhe disa bashkëbisedues theksuan se frenimi i shtuar në Europën Qendrore dhe Lindore, është më i rëndësishëm për sigurinë e tyre kombëtare, sesa të shohin Ukrainën të rimarrë të gjitha territoret e saj të pushtuara.
Sigurimi i këtyre vendeve për sigurinë e tyre, si rrjedhim, mund të luajë një rol të dobishëm në pakësimin e kundërshtimit të tyre, ndaj një paqeje kompromisi në Ukrainë.
Një mënyrë për të adresuar këtë ankth, do të ishte përmes një strategjie parandaluese, me qendër europiane, e cila, synon të zbusë këto frikëra pa provokuar në mënyrë të panevojshme Rusinë.
Në fund të fundit, elitat ruse të sigurisë shqetësohen shumë më tepër për trupat amerikane në kufijtë e tyre, sesa për njësitë europiane.
Dhe pasi kanë sinjalizuar interesin e tyre, Franca dhe Gjermania tani po lëvizin në këtë drejtim - megjithëse ngadalë.
Brigada e ushtrisë gjermane që do të vendoset përgjithmonë në Lituani pas disa vitesh është një shembull i kësaj, dhe do të ndihmonte “të pakësojmë frikën tonë”, më tha ekspertja e njohur lituaneze e sigurisë Margarita Šešelgyte.
Dhe ndërsa prania në rritje e Francës në rajon është gjithashtu shkak për optimizëm, për çdo ndryshim real në pozicionin e mbrojtjes së Europës përgjatë kufijve të saj lindorë, mbetet punë e rëndësishme për t'u bërë.
Për shembull, vendosja e një brigade, qoftë edhe një “të fuqishme”, sipas fjalëve të ministrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius, do të ishte një rrugë e dobishme, për të siguruar që një sulm rus, do të shkaktonte automatikisht një përgjigje të NATO-s.
Kjo nuk do të ishte domosdoshmërisht aq mbresëlënëse në aspektin ushtarak, por, duke qenë se në fakt ka shumë pak rrezik që Rusia të pushtojë Baltikun, ose Poloninë, dhe të sigurojë një luftë katastrofike me NATO-n, një forcë e vogël europiane, mund të qetësojë aleatët lindorë, pa zemëruar Moskën, ashtu siç do të bënte një forcë amerikane.
Për më tepër, rritja e parandalimit të udhëhequr nga europianët në Europën Qendrore dhe Lindore është diçka që SHBA duhet të inkurajojë dhe mbështesë gjithashtu.
Kjo jo vetëm që do të lehtësonte barrën mbi trupat dhe burimet financiare amerikane, por do të inkurajonte europianët që të ringjallnin forcat e tyre të armatosura, dhe të luanin një rol më serioz edhe në sigurinë e kontinentit.
Krahas një pranie të shtuar ushtarake, europianët gjithashtu duhet të krijojnë prodhim ushtarak të bashkuar.
Aktualisht, Europa nuk mund të prodhojë as miliona predha artilerie, që premtoi t'i dorëzojë Ukrainës, deri në muajin mars.
Prandaj, rritja e prodhimit në një mënyrë pan-europiane, do ta poziciononte më mirë atë për çdo krizë, apo konflikt të ardhshëm, duke ofruar siguri edhe për aleatët e saj lindorë.
Bashkimi Europian tashmë ka mekanizma ekzistues, të tillë si Bashkëpunimi i Strukturuar i Përhershëm, dhe Fondi Europian i Mbrojtjes, të cilët, duhet të ndihmojnë në nxitjen e një zhvillimi të tillë.
Dhe në këtë rast gjithashtu, aftësia e forcuar e mbrojtjes, mund të pakësojë frikën e Europës Perëndimore ndaj Rusisë, duke inkurajuar kështu një gatishmëri, për të kërkuar kompromise të arsyeshme me Moskën.
Duke pasur luksin për t'u mbështetur në Amerikë, shumë vende europiane e kanë parë sigurinë pothuajse si një mendim të mëvonshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Por, disa nga ekspertët me të cilët fola, theksuan se me angazhimin e ardhshëm strategjik të Uashingtonit të pasigurt, tani është koha e fundit që Europa të fillojë të bëjë shumë më tepër, për mbrojtjen e saj.
Për më tepër, duke pasur parasysh ndjenjën shumë të përhapur dhe të justifikuar në SHBA, se europianët janë “të lirë” në shpenzimet e tyre ushtarake - siç vuri në dukje edhe ish-presidenti Bërek Oubama (Barack Obama) - ky është një hap i domosdoshëm, nëse çdo prani dhe mbështetje e SHBA-së duhet të garantohet në afatgjatë.
Së fundi, për të siguruar që mosmarrëveshjet që mund të lindin nga një zgjidhje për Ukrainën të mos bëhen toksike, Gjermania dhe Franca duhet të jenë më të hapura ndaj perspektivave dhe frikës së aleatëve të tyre lindorë.
Në këto linja, ekspertët me të cilët fola, menduan se me një qeveri të re, miqësore me Brukselin në Varshavë, tani është koha për të rigjallëruar Trekëndëshin e Vajmarit - një grupim jozyrtar i Berlinit, Parisit dhe Varshavës, i nisur mbi 30 vjet më parë.
Dhe duke qenë se përfshirja e Polonisë - ku pikëpamjet pro-SHBA dhe pro-NATO-s mbeten të forta - mund të ndihmojë në zvogëlimin e shqetësimeve të Uashingtonit për një projekt europian të vetëm, SHBA-të duhet ta inkurajojnë gjithashtu këtë.
Sigurisht, një rol më i fortë i Polonisë në Bashkimin Europian, sjell rrezikun e armiqësisë edhe më të madhe të BE-së ndaj Rusisë, së bashku me të.
Megjithatë, ndërsa çështja e anëtarësimit në BE për Ukrainën bëhet më e spikatur, është e mundur që Polonia të marrë një pozicion më të nuancuar për mbështetjen e saj të pakushtëzuar për Ukrainën.
Siç më tha z. Andrzej Bobinski, drejtor menaxhues i Polityka Insight në Varshavë: “Polakët në përgjithësi e mbështesin Ukrainën sepse po luftojnë Rusinë... jo për shkak të një dashurie të vërtetë për Ukrainën.”
Mosmarrëveshja e vazhdueshme e Polonisë për grurin me Ukrainën, dhe bllokimi i kufirit me Ukrainën nga kamionistët, janë pararojë e asaj që mund të bëhet kundërshtim serioz ndaj reformave, dhe kostove të mëdha, që përfshihen në anëtarësimin e vendit në bllok.
Dhe formati i Vajmarit (Weimar) do të paraqiste një rrugë për të hedhur bazat për këto ndryshime jashtëzakonisht komplekse dhe të vështira.
Këto përshtypje dhe komente janë rezultat i një udhëtimi kërkimor në Poloni, Lituani dhe Hungari gjatë nëntorit 2023, ku autori u takua me dhjetëra ekspertë të politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Z. Artin DerSimonian* është një hulumtues i ri, në programin Eurasia, në Institutin Quincy for Responsible Statecraft.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
留言