A MUNDET EUROPA TË ARMATOSË UKRAINËN - APO EDHE VETEN?
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jan 23, 2024
- 5 min read
Nga gazeta Ekonomisti (The Economist).
Uashington, Amerikë | Luftërat e shkatërrimit, të cilat, tentojnë të bëhen konfliktet në shkallë të gjerë midis kundërshtarëve të sofistikuar ushtarakisht si Rusia dhe Ukraina, zakonisht vendosen nga cila palë ka industrinë më të mirë të armëve.
Ekonomia e Rusisë është gati 14 herë më e madhe se ajo e Ukrainës, por, burimet e kombinuara të aleatëve të Ukrainës, janë më të mëdha sa duhet të jetn në gjendje për të fituar.
Megjithatë, ndërsa konflikti hyn në vitin e tretë, është industria ruse e mbrojtjes ajo që po e kthen ngadalë luftën në favor të saj.
Asgjë nuk e tregon problemin më qartë se predhat e artilerisë. Në kulmin e kundërofensive të verës së Ukrainës, ajo përdorte rreth 7000 në ditë, dukshëm më shumë se rusët.
Kjo ka ndryshuar: që nga muaji i kaluar, ndërsa forcat ukrainase janë racionalizuar në 2000 predha në ditë, rusët kanë qëlluar pesëfishin e këtij numri.
Perëndimi tani përballet me një zgjedhje, tha z. Xhek Uotling (Jack Watling), një ekspert në RUSI (një think-tank në Londër), në fillim të këtij muaji.
Ajo mund t'i japë Ukrainës atë që i nevojitet, “ose t'i japë Rusisë një avantazh të pakthyeshëm.”
Si Amerika ashtu edhe Bashkimi Europian kanë probleme me dhënien e ndihmës.
Në Uashington, 61 miliardë $ ndihmë ushtarake mbahet në Kongres. Në Bruksel, 50 miliardë € (54 miliardë $) mbështetje financiare pengohet nga vetoja e liderit pro-rus të Hungarisë, Viktor Orban.
Ukraina është e shqetësuar se hiperpartizmi amerikan dhe armiqësia e z. Danlld Tramp (Donald Trump) do të pengojnë vazhdimisht mbështetjen nga Pentagoni.
Kjo mund t'i lërë ukrainasit plotësisht të varur nga Europa.
Deri më tani, europianët nuk kanë bërë keq. Ndihma ushtarake e përkushtuar e vendeve të BE-së ka tejkaluar 44 miliardë € të Amerikës.
Gjermania ka dhënë më shumë se 17 miliardë €; Edhe vendet nordike po gërmojnë thellë. Por tabloja është e copëtuar.
Franca ka kontribuar vetëm 0.5 miliardë €, megjithëse presidenti i saj njoftoi më 16 janar 2024 se më shumë janë në rrugë e sipër.
Marsin e kaluar, BE tha se do t’i blinte Ukrainës 1 milion predha artilerie gjatë një viti, nëpërmjet Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes. Deri në muajin e kaluar, ajo kishte furnizuar vetëm 480000, megjithëse Bashkimi Europian ende këmbëngul se totali do të përmbushet.
Këtë muaj Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, tha se do të ndihmonte anëtarët e Bashkimit Europian të blinin me shumicë 1000 raketa të mbrojtjes ajrore Patriot, me vlerë rreth 5 miliardë €.
NATO nuk mund të dërgojë ndihmë vdekjeprurëse drejtpërdrejt në Ukrainë, por urdhri do të lirojë anëtarët të transferojnë asetet e tyre të mbrojtjes ajrore.
Programi i Akti i Bashkimit Europian në Mbështetjen e Prodhimit të Municioneve (sa më shpejt), i nisur në muajin tetor, do të ndajë 500 milionë € për rritjen e prodhimit të predhave.
Megjithatë do të duhet kohë për të pasur ndonjë ndikim.
Më 9 janar, komisioneri i Tregut të Brendshëm të Bashkimit Europian Tieri Bretoun (Thierry Breton), propozoi një fond prej 100 miliardë €, për të nxitur industrinë e mbrojtjes së Evropës - jo vetëm për të ndihmuar Ukrainën, por për t’u mbrojtur kundër një tërheqjeje amerikane nga NATO, nëse z. Tramp (Trump) bëhet president.
Por, është e paqartë nëse dikush tjetër e mbështet këtë ide. Asnjë nga këto përpjekje nuk përmbush urgjencën e situatës. Shpenzimet ushtarake ruse janë rritur me 68% këtë vit, duke arritur në 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto së saj.
Sipas ministrisë së mbrojtjes të Estonisë, prodhimi rus i municioneve të artilerisë do të rritet në 4.5 milionë njësi këtë vit.
Z. Xhastin Brounk (Justin Bronk) i RUSI-t llogarit se Rusia po prodhon 100 raketa me rreze të gjatë veprimi në muaj, më shumë se dyfishi i kapacitetit të saj në fillim të pushtimit.
Prodhimi amerikan dhe europian i predhave është gjithashtu në rritje, por jo mjaftueshëm i shpejtë.
Prodhimi amerikan i predhave 155 mm është planifikuar të arrijë në 1.2 milion në vit, deri në vitin 2025, një rritje gjashtëfish nga viti i kaluar.
Z. Sash Tusa, një analist i mbrojtjes në Agency Partners, një firmë kërkimore e kapitalit, vlerëson se prodhimi europian do të arrijë në 1.25 milion.
Por, ndryshe nga Amerika, ku fabrikat e municioneve janë në pronësi të qeverisë, Europa varet nga firmat private, duke i bërë rritjet më pak të sigurta.
Europa ka katër prodhues kryesorë të municioneve: Rheinmetall e Gjermanisë, Bae Systems e Britanisë, Nexter në pronësi të qeverisë franceze dhe Nammo, në pronësi të qeverisë norvegjeze dhe finlandeze.
Pas luftës së ftohtë, ata u përqendruan në krijimin e më pak sistemeve, më të sofistikuara.
Z. Tim Louersoun (Tim Lawrenson) i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një institut kërkimor, thotë se ata u ngjanin artizanëve që prodhonin një numër të vogël produktesh të holla.
Përpara se të kalojnë në linja prodhimi me ritëm të lartë, ata duan që qeveritë të ofrojnë sigurinë e kontratave shumëvjeçare, thotë z. Xhen Pai (Jan Pie), i cili drejton ASD-në, organizatën europiane të tregtisë së mbrojtjes.
“Urdhrat tona janë tashmë tre herë më të larta se sa ishin në muajin mars, të vitit 2022”, tha z. Morten Brandtzaeg, shefi i Nammo-s.
Ai thotë se kapaciteti i rritur i prodhimit është aq i madh sa qeveria duhet të ndihmojë industrinë të ndajë rrezikun.
Prodhuesi europian më i prirur ka qenë Rheinmetall. Ai është angazhuar për prodhimin vjetor të 700000 fishekëve të artilerisë deri në fund të vitit 2024, dhe këtë vit do të hapë objektet e prodhimit dhe mirëmbajtjes në Ukrainë, për automjetet e blinduara.
Një mënyrë që Europa të ecë më shpejt mund të jetë lehtësimi i specifikimeve teknike.
Predhat gjithsesi rrallë do të plotësojnë kërkesat e preçizionit së saktë kur të gjuhen nga grykat e artilerisë shpesh të konsumuara të Ukrainës (vendit ndoshta do t'i duhen 2000 gryka të reja në vit).
Dhe rregulloret e sigurisë, për ruajtjen afatgjatë, kanë pak kuptim për predhat që do të shkrepen brenda disa ditësh. Në luftërat e acarimit, nevoja për sasi, pothuajse gjithmonë e tejkalon cilësinë.
Prodhimi i llojeve të tjera të municioneve, veçanërisht sistemet e raketave me shumë lëshime të drejtuara (gmlrs), dhe interceptorët e mbrojtjes ajrore me bazë tokësore (gbad), janë edhe më të vështirë për Europën.
Ministria e Mbrojtjes e Estonisë vlerëson se Ukrainës do t'i nevojiten 8.760 gmlr në vit deri në vitin 2025. Europa mund të bëjë gmlr dhe interceptues, por jo në shkallë të lartë.
Estonezët thonë se prodhimi vjetor për disa sisteme europiane të mbrojtjes ajrore është në shifra të vetme.
Z. Nikou Lenxh (Nico Lange), një ish-këshilltar i ministrisë gjermane të mbrojtjes, thotë se që prodhuesi më i madh i raketave në Evropë, mbda, të krijojë fabrika të reja, qeveritë duhet të blejnë të paktën dhjetë vjet prodhim.
Nëse do të bëheshin investime tani, ai mendon se raketat mund të fillojnë të mbërrijnë në vitin 2026.
Europa do të luftojë për ta mbajtur Ukrainën në luftë këtë vit, nëse ndihma amerikane mbaron.
Në terma afatgjatë, me mbështetjen amerikane në rritje të pasigurt, kontinenti nuk ka zgjidhje tjetër veçse të rindërtojë industrinë e tij të mbrojtjes.
“Ne kemi teknologjinë, duhet të ndërtojmë kapacitetet - thotë z. Brandtzaeg - Nuk mund të mos e bëjmë këtë.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios