RAMA NJOFTON KRIJIMIN E NJË MINISTRIE TË RE | MINISTRE U ZGJODH ADEA PIRDENI.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jan 11, 2024
- 3 min read
Tiranë, Shqipëri | Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e një ministrie të re, e cila, do të drejtohet nga znj. Adea Pirdeni.
Njoftimin e dha përmes rrjetit shoqëror virtual Iks (X).
Ministria e re do të ketë në fokus kontrollin e administratës publike.
“Në këtë fazë të re zhvillimi të vendit dhe në kushtet kur Shqipëria po punon për kapitujt e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sapo ka hedhur me sukses hapin e parë të tyre, kërkohet një qasje e re ndaj administratës publike, për të rritur krahas pagave konkuruese dhe cilësinë e burimeve tona njerëzore, duke adresuar të gjitha hallkat e procesit të funksionimit të saj, nga rekrutimi deri tek promovimi i nëpunësve; duke rishikuar me një sy më kërkues e me ekspertizë më të konsoliduar organizimin e institucioneve, strukturat e funksionet e tyre, proceset e punës e të ndërveprimit mes tyre; duke krijuar kushte më të mira e mekanizma të qëndrueshëm për motivimin e për trainimin e trupës sonë të Shërbimit Civil dhe me radhë… Po ashtu është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen. Për ta nxitur këtë qasje të re dhe adresuar sfidat e mësipërme, do t’i dërgoj Presidentit të Republikës propozimin për miratimin e një tjetër anëtari të ri të kabinetit qeveritar, si Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Këtë detyrë do ta kryejë zonja Adea Pirdeni, e cila ka kryer tre vjetët e fundit rolin e zv.ministres së Drejtësisë, dhe ka spikatur me lidershipin e me profesionalizmin e saj, në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore”, tha Kryeministri Rama.
Cila është znj. Adea Pirdeni?
Znj. Pirdeni ka lindur në Tiranë më 1 tetor 1983, ku ka përfunduar studimet në fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, nga ku mori një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike.
Në vitin 2014 ka fituar titullin Magister Juris (MJur) me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit, dhe prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës.
Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani), dhe pranë Universitetit të Kansasit (ShBA).
Që prej vitit 2008, ajo angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative.
Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi, për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Znj. Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës së Avokatisë së Shqipërisë dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike. Nga muaji shtator, i vitit 2020, znj. Adea Pirdeni shërben si zv/ministre e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, duke mbuluar në portofolin e saj kryesisht çështje të integrimit europian, si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, për Kapitullin 23, mbi “Gjyqësorin & të Drejtat e Njeriut”, antikorrupsionin, dhe kuadrin strategjik në fushën e drejtësisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)













































Comments