PSE PAPËT E KANË RRUAR (POTHUAJSE) GJITHMONË MJEKRËN NDËRSA SHËN PJETRI NUK E RRUANTE?
- Agjencia Telegrafike Vox
- 5 hours ago
- 4 min read

Romë, Itali | Midis simbolizmit, disiplinës dhe traditës, mjekra mungon në fytyrat e papëve, por rishfaqet midis zgjedhësve kardinalë të konklavës së vitit 2025.
Mjekra, një simbol i lashtë i mençurisë dhe autoritetit, ka qenë gjithmonë e pranishme në jetën fetare: ajo mbahet nga murgjit, fretërit, patriarkët ortodoksë dhe, gjithnjë e më shumë, madje edhe nga priftërinjtë e rinj.
Megjithatë, midis papëve, ajo pothuajse është zhdukur.
Në shekujt e historisë papnore, papët me mjekër mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.
Arsyeja nuk lidhet me modën apo preferencat personale, por me zgjedhje specifike kulturore dhe teologjike.
Në Kishën Latine, rruajtja është konsideruar prej kohësh një shenjë disipline, edukate dhe ndarjeje nga bota Lindore, ku mjekrat janë normë.
Papë me mjekër: Papët me mjekër janë aq të rrallë sa mund të numërohen me njërën dorë.
Rasti më i njohur është ai i Julius II, i zgjedhur në vitin 1503, i cili, vendosi ta linte të rritej si shenjë pendese gjatë një fushate ushtarake dhe më pas vazhdoi ta mbante atë.
Në portretet e Rafaelit ai shfaqet me një mjekër të bardhë të kuruar mirë: një detaj që e bënte të dallueshëm dhe, për kohën, edhe paksa të çuditshëm.
Një shembull tjetër është Klementi VII, i cili, në vitin 1527 e adoptoi mjekrën pas plaçkitjes traumatike të Romës nga trupat perandorake.
Përsëri, kjo nuk ishte një zgjedhje estetike, por një gjest simbolik zie dhe shlyerjeje faji, siç ndodhte ndonjëherë në kulturat fetare të kohës.
Ai nuk e mbajti atë gjatë gjithë papatit të tij, por ishte një përjashtim i dukshëm dhe i dokumentuar. Pas tyre, mjekra pothuajse zhduket plotësisht nga skena papale.
Që atëherë ka pasur vetëm një papë tjetër, por jo me mjekër, por me një mjekër elegante në stilin e vonë barok: ishte Antonio Pinjateli (Pignatelli) - i periudhës kohore mes viteve 1615-1700 - i cili, nga konklava e vështirë e vitit 1691, doli i zgjedhur papë me emrin Inocenti XII.
Disa papë të shekullit të 19-të, si Piu IX dhe Leo XIII, u përshkruan me mustaqe të çelëta ose me mjekër të trashë në rininë e tyre ose në portrete joformale, por si papë ata iu përmbajtën imazhit të rruar pastër, tashmë të vendosur.
Nëse kthehemi më tej, në shekujt e parë të Kishës, ka të ngjarë që shumë papë - përfshirë Shën Pjetrin, një peshkatar hebre nga Galilea, Princ i Apostujve - mbanin mjekër natyrshëm, siç ishte e zakonshme në atë kohë.
Por këto janë deduksione historike ose përfaqësime të mëvonshme, jo prova të sigurta.
Ikonografia mesjetare dhe e Rilindjes, nga ana tjetër, e fiksoi me kalimin e kohës imazhin e Papës si një figurë të thjeshtë dhe të rruar pastër, dhe që atëherë kjo figurë mezi ka ndryshuar.
Në thelb, të vetmit dy papë me mjekër të dokumentuar plotësisht mbeten Julius II dhe Klementi VII. Pjesa tjetër është traditë, simbolikë... dhe brisk rroje.
Arsyet e mungesës së mjekrës: Mungesa e mjekrave midis papëve ka edhe rrënjë politike.
Ndryshe nga patriarkët lindorë, papët romakë zgjodhën të përfaqësonin rendin dhe maturinë e Kishës Perëndimore.
Rruajtja, në këtë kuptim, funksiononte si një kod vizual: i matur, i kontrolluar, uniform.
Sot situata ka ndryshuar. Mjekra është rikthyer, të paktën midis gradave të ulëta të klerit.
Në seminare, midis fetarëve të rrugës dhe në lëvizjet misionare, është bërë një shenjë identiteti dhe autenticiteti, si dhe e rrënjosjes në një spiritualitet më pak formal.
Në Konklavin e vitit 2025, shumë kardinalë me mjekra: Po sikur edhe kardinalët të fillojnë ta veshin atë?
Në konklavin e thirrur për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut, do të jenë të pranishëm disa kardinalë me mjekër:
1- Pierbatista Pixabela (Pierbattista Pizzaballa), Patriarku Latin i Jerusalemit.
2- Jozef Kuci (Joseph Coutts), Kryepeshkop Metropolitan Emeritus i Karaçit (Pakistan).
3- José Kobo Kono (Cobo Cano), Kryepeshkop Metropolitan i Madridit.
4- Kardinali Mikola Biçok (Mykola Bychok).
5- Peshkop Eparkial i Shenjtorëve Pjetër dhe Pavël të Melburnit të Ukrainasve (Australi).
6- Berhaneyesus Demerew Souraphiel, Kryepeshkopi Metropolitan i Addis Abeba (Etiopi).
7- Arlindo Gomes Furtado, peshkop i Santiago de kabo (Cabo) Verde (Arkipelag i Kepit të Verdës).
8- Kristobal (Cristóbal) López Romero, Kryepeshkop i Rabatit (Marok).
9- Vinsente Bokalik Iglik (Vicente Bokalic Iglic), Kryepeshkop i Santiago del Estero (Primat i Argjentinës).
10- Klimis (Cleemis Baselios), Kryepeshkop i Madh i Trivandrumit të Siro-Malankaras (India).
11- Dominik Jozef Methju (Dominique Joseph Mathieu), Kryepeshkop i Teheran-Ispahanit të Latinëve (Iran).
12- Fabio Biaxho (Baggio), nënsekretar i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Integruar Njerëzor.
Prania e tyre tregon për një ndryshim në kodet vizuale të Kishës.
Fytyra me mjekër nuk është më një tabu. Një mjekër nuk mjafton për të qenë Papë, por një ditë mund të kontribuojë në dhënien e figurës së Papës një imazh të ndryshëm, ndoshta më të vjetër, ndoshta më universal.
Në fund të fundit, Papa i parë, Shën Pjetri, ishte një peshkatar galileas. Dhe askush nuk mendonte kurrë se ishte i rruar.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments