POLONI | QEVERIA PO INVESTON 2 MILIARDË € NË NDËRTIMIN E NJË SISTEMI ANTI-DRON TË TEKNOLOGJISË SË FUNDIT (PAS TESTIMEVE QË KREU RUSIA NË MUAJIN SHTATOR PËR TË PARË A ISHTE NË GATISHMËRI PËR LUFTË).
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 28, 2025
- 2 min read

Varshavë, Poloni | “Polonia po ndërton një sistem të ri anti-dronë të teknologjisë së fundit përgjatë kufirit të saj lindor, një projekt që do të zgjasë dy vjet; i cili, do të kushtojë dy miliardë €”.
Kështu tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, pas një ndërhyrjeje masive të dronëve rusë në hapësirën ajrore polake në fillim të këtij viti.
“Presim që faza e parë e sistemit të përfundojë brenda rreth gjashtë muajsh, ndoshta edhe më shpejt. Sistemi i plotë do të zgjasë 24 muaj për t’u përfunduar”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Cezary Tomczyk për entin mediatik britanik “The Guardian”, në Varshavë.
Ai shpjegoi se sistemet e reja të mbrojtjes ajrore do të integrohen në një linjë ekzistuese mbrojtjeje të ndërtuar një dekadë më parë.
Ai tha se sistemi do të përfshijë shtresa të ndryshme mbrojtjeje, duke përfshirë mitralozë, topa, raketa dhe sisteme bllokimi të dronëve.
“Disa prej tyre janë të destinuara për përdorim vetëm në kushte ekstreme ose në kohë lufte. Për shembull, këto mitralozë janë të vështirë për t'u përdorur në kohë paqeje”, tha ai.
Më shumë se një duzinë dronësh të dyshuar rusë hynë në hapësirën ajrore polake në muajin shtator; një incident që çoi në mbylljen e aeroporteve, ngritjen e avionëve luftarakë dhe dëmtimin e ndërtesave ndërsa dronët u rrëzuan.
Ministri i Jashtëm Radoslau (Radosław) Sikorski i tha atëhere entit mediatik britanik “The Guardian”, se sulmet të cilat përfshinin dronë që nuk mbanin municion, ishin një përpjekje nga Rusia për të na testuar pa filluar një luftë.
Që atëherë, Polonia ka përditësuar planet e saj për të forcuar kufirin e saj lindor.
Ndërsa asnjë sistem kundër dronëve nuk mund të jetë plotësisht efektiv kundër llojit të sulmit sistematik dhe masiv që ka pësuar Ukraina, vendet evropiane përgjatë krahut të saj lindor po nxitojnë të përmirësojnë sistemet e tyre për t'iu përgjigjur kërcënimit të ri.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)












































Comments