MILITANTI LIBANEZ PRO-PALESTINEZ XHORXH (GEORGES) IBRAHIM ABDALLAH U LIRUA NGA BURGU | PRITET TË DËBOHET SOT PËR NË LIBAN PAS MË SHUMË SE 40 VITESH QËNDRIMI NË BURG PËR VRASJEN E DY DIPLOMATËVE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Jul 25
- 3 min read

Paris, Francë | Një nga të burgosurit më jetëgjatë të Francës, militanti libanez pro-palestinez Xhorxh (Georges) Ibrahim Abdallah, u lirua nga burgu dhe pritet të deportohet të premten, pas më shumë se 40 vitesh pas hekurave për vrasjen e dy diplomatëve.
Rreth orës 3:40 të mëngjesit (01:30 GMT), një karvan prej gjashtë automjetesh u largua nga burgu Lannemezan me dritat që ndizeshin, panë gazetarët e agjncisë së lajmeve “AFP”.
Një burim i afërt me rastin konfirmoi për “AFP”-në se 74-vjeçari Abdallah ishte larguar nga burgu.
Z. Abdallah u arrestua në vitin 1984 dhe u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 1987 për përfshirjen e tij në vrasjen e atasheut ushtarak amerikan Çarls Rabrt Rei (Charles Robert Ray) dhe diplomatit izraelit Jakov (Yacov) Barsimantov në Paris.
Gjykata e Apelit e Parisit kishte urdhëruar lirimin e tij që hyn në fuqi më 25 korrik me kusht që ai të largohej nga territori francez dhe të mos kthehej më kurrë.
Ndërsa ai kishte të drejtë për lirim që nga viti 1999, kërkesat e tij të mëparshme u refuzuan nga Shtetet e Bashkuara - një palë civile në çështje - që vazhdimisht kundërshtonin lirimin e tij nga burgu.
Të burgosurit që vuajnë dënime të përjetshme në Francë zakonisht lirohen pas më pak se 30 vjetësh.
Militanti pro-palestinez libanez Georges Ibrahim Abdallah është një nga të burgosurit që ka vuajtur më shumë dënim në Francë.
“Sapo të dalë nga burgu, z. Abdallah do të transportohet në aeroportin e Tarbes, ku një aeroplan policie do ta çojë atë në Roisi (Roissy) për një fluturim drejt Bejrutit”, sipas një burimi të afërt me çështjen.
Avokati i z. Abdallah, Zhan Luis Kalanset (Jean-Louis Chalanset), e vizitoi për herë të fundit të enjten.
“Ai dukej shumë i lumtur për lirimin e tij të afërt, edhe pse e di se po kthehet në Lindjen e Mesme në një kontekst jashtëzakonisht të vështirë për popullatat libaneze dhe palestineze”, tha avokati Kalanset (Chalanset) për agjencinë e lajmeve “AFP”.
“AFP”-ja vizitoi z. Abdallah javën e kaluar pas vendimit të gjykatës për lirimin e tij, duke shoqëruar një ligjvënës në qendrën e paraburgimit.
Themeluesi i Fraksioneve të Armatosura Revolucionare Libaneze (FARL) - një grup marksist anti-Izrael i shpërbërë prej kohësh - tha se për më shumë se katër dekada ai kishte vazhduar të ishte një militant me një luftë.
Pas arrestimit të tij në vitin 1984, policia franceze zbuloi mitralozë dhe stacione marrës-transmetuesish në një nga apartamentet e tij në Paris.
Gjykata e apelit në shkurt vuri në dukje se FARL nuk kishte kryer një veprim të dhunshëm që nga viti 1984 dhe se z. Abdallah sot përfaqësonte një simbol të së kaluarës së luftës palestineze.
Gjyqtarët e apelit gjithashtu e gjetën kohëzgjatjen e paraburgimit të tij joproporcionale me krimet dhe duke pasur parasysh moshën e tij.
Familja e z. Abdallah tha se planifikojnë ta takojnë atë në sallonin e nderit të aeroportit të Bejrutit përpara se të nisen për në qytetin e tyre të lindjes, Kobaiat (Kobayat), në veri të Libanit, ku është planifikuar një pritje.

Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)










































Comments