TRASHËGIMTARËT E TERRORIT: CILAT ORGANIZATAT QË KONKURROJNË PËR KONTROLLIN E GAZËS NË NJË EPOKË PAS-HAMASIT?
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 21
- 6 min read

Nga z. Shakar (Shachar) Kleiman.
Jeruzalem, Izrael | Me eliminimin e mundshëm të Muhammad Sinuarit (Sinwar), Hamasi e gjen veten pothuajse tërësisht të privuar nga lidershipi.

Figurat e mbetura janë komandantë batalioni në krahun e tij ushtarak që pritet të marrin kontrollin: Izz al-Din al-Haddad dhe Raed Saad.
Sipas vlerësimeve izraelite, Komandanti i Batalionit Rafah Muhammad Shabana mund të ketë qenë gjithashtu i pranishëm në kompleks dhe mund të jetë vrarë gjithashtu.
Për më tepër, shumica dërrmuese e anëtarëve në byronë politike të Hamasit në Gaza, e ashtuquajtura qeveri hije, ose janë eliminuar ose janë arratisur jashtë vendit.
Në këtë sfond, duket se pozicioni i organizatave të tjera terroriste në Gaza vetëm sa do të forcohet.
Nuk është vetëm Xhihadi Islamik Palestinez, i cili, ende arrin të qëllojë herë pas here raketa; mbi 15 grupe të tjera dhe celula më të vogla janë aktive në Rrip.
Disa veprojnë si përfaqësues të Iranit, të tjerat janë të lidhura me Shtetin Islamik dhe Al-Kaedën.
Xhihadi Islamik Palestinez: Vëllai më i vogël brutal.
Në prag të masakrës së 7 tetorit, rreth 10000 terroristë vepronin nën flamurin e Xhihadit Islamik.
Grupi i dytë më i madh në Gaza, u themelua në vitin 1981 nga Fathi Shakaki (Shaqaqi) dhe mori frymëzim nga Revolucioni Islamik Iranian.
Ekspertët besojnë se tani është në varësi të drejtpërdrejtë të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike dhe merr dhjetëra miliona dollarë në mbështetje.

Ndryshe nga Hamasi, udhëheqja e lartë e XhP-së është ende e vendosur jashtë vendit.
Sekretari i Përgjithshëm Ziad (Ziyad) al-Nakhalah, zëvendësi i tij Muhammad al-Hindi dhe komandanti i krahut ushtarak Akram al-Ajouri.
Struktura e tij në Gaza pasqyron 24 batalionet e Hamasit, secili përgjegjës për një sektor të ndryshëm.
Pas rënies së regjimit të Asadit në Siri, të cilin XhP-ja e mbështeti për shkak të aleancës së tij iraniane, rebelët islamistë erdhën në pushtet, duke çuar në arrestimin e disa udhëheqësve të XhP-së dhe zhvendosjen e të tjerëve.
Komitetet e Rezistencës Popullore: Më radikale se Hamasi.
Organizata e tretë më e madhe në Gaza, pas Hamasit dhe XhP-së janë Komitetet e Rezistencës Popullore, të cilat drejtojnë një krah ushtarak të njohur si Brigadat Salah al-Din.
Në fillim të luftës, komandanti i tyre Raafat Harb Hussein Abu Hilal u eliminua.
Grupi përbëhet nga dezertorë nga Hamasi, Fatahu, Fronti Popullor dhe fraksione të tjera.
U themelua gjatë Intifadës së Dytë nga Abu Jamal Samhadana, një terrorist palestinez që kishte bashkëpunuar me Hamasin.
Grupi hapi tunele kontrabande përgjatë Rrugës së Filadelfias dhe mori mbështetje nga Hezbollahu dhe Irani.
Samhadana u vra në një sulm ajror izraelit në vitin 2006, duke çuar në një ndarje në tre fraksione:
1- Komitetet kryesore të Rezistencës Popullore.
2- Lëvizja Popullore e Rezistencës.
3- Jaish (Jaysh) al-Islam (Ushtria e Islamit).
Dy të fundit janë të lidhur me klanin Durmush, i cili drejton disa milici të armatosura në Gaza.
Disa prej tyre kishin lidhje në të kaluarën me Fatahun dhe madje edhe me Mohammad Dahlanin.
Fillimisht, ata u përpoqën të minonin sundimin e Hamasit në bashkëpunim me Fatahun, por më vonë u bënë edhe më radikalë.
Këtë javë, burime palestineze raportuan se një anëtar i lartë i Komiteteve, Ahmad Sarhan, i dyshuar për rrëmbimin e izraelitëve më 7 tetor, u vra nga një njësi e forcave speciale izraelite në Kan Junisin (Khan Younis) qendror, sipas gazetës saudite “Asharq Al-Awsat”.
Brigadat Muxhahedine: Fraksioni që qëndron pas vrasjeve të familjes Bibas.
Një tjetër grup terrorist që bëri bujë janë Brigadat Muxhahedine.
Ky fraksion u nda nga Fatahu në mesin e viteve 2000 dhe përfshin ish-anëtarë të Brigadave të Martirëve Al-Aksa të Fatahut.
Ashtu si të tjerët, ai ishte pjesë e dhomës së përbashkët të operacioneve të fraksioneve palestineze në Gaza, të udhëhequra nga Hamasi.
Ai bashkëpunoi me operativë nga organizata të ndryshme dhe operoi nën mbrojtjen e Hamasit.

Terroristët e Brigadës Muxhahedine ishin të përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Shiri, Kfir dhe Ariel Bibas.
Një fraksion më i vogël i quajtur “Zotërinjtë e Shkretëtirës” gjithashtu mori pjesë.
Ashtu si Hamasi, XhP-ja dhe Jaish (Jaysh) al-Islami, këto grupe i përmbahen Salafizmit, një rrymë fundamentaliste e Islamit që synon të ringjallë epokën e shokëve të Profetit dhe të krijojë një kalifat që të kujton shekullin e shtatë.
Ndërsa Hamasi ka një strategji afatgjatë të rrënjosur në Vëllazërinë Myslimane, këto grupe të tjera besojnë në xhihadin e menjëhershëm dhe spastrimin e të pafeve.
Frontet Popullore dhe Demokratike: Një trashëgimi terrori dhe përçarjeje.
Dy grupe të tjera terroriste që veprojnë në Gaza janë Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës dhe Fronti Demokratik për Çlirimin e Palestinës.
Dikur të lidhura me ideologjinë marksiste-leniniste dhe bllokun sovjetik, të dyja tani mbajnë lidhje me Iranin dhe Hezbollahun.
Ato gjithashtu morën pjesë në masakrën e 7 tetorit.
Sekretari i Përgjithshëm i Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës Ahmad Saadat, po vuan një dënim me 30 vjet burg për orkestrimin e vrasjes së ministrit Izraelit të Turizmit, Rehavam Ze'evi, në vitin 2001.
Gjatë negociatave për pengjet, Hamasi thuhet se kërkoi lirimin e tij së bashku me terroristë të tjerë simbolikë.

Fronti Demokratik për Çlirimin e Palestinës u nda nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës në fund të viteve 1960.
Udhëheqësi i saj 90-vjeçar, Naief Hauatmeh (Nayef Hawatmeh), jeton në Siri.
Grupi ka raportuar dhjetëra viktima midis luftëtarëve të tij gjatë betejave me Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Një tjetër fraksion në dhomën e operacioneve të Hamasit është Fronti Popullor - Komanda e Përgjithshme, i themeluar në vitin 1968 nga Ahmad Jibril pas ndarjes nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës për shkak të besnikërisë së tij ndaj Hafez Assad-it të Sirisë.
Jibril vdiq në vitin 2021.
Sekretari i përgjithshëm aktual, Talal Naji, me seli në Damask, u ndalua për pak kohë këtë muaj nga regjimi i ri islamist i Sirisë nën drejtimin e Ahmad al-Sharaa (Abu Mohammad al-Julani).
Celula të pavarura: Nënkontraktorët e Hamasit.
Në Gaza veprojnë edhe qeliza të ndryshme terroriste të përbëra nga dezertorë të Fatahut, të grupuara në të paktën katër Brigada të pavarura të Martirëve të Al-Aksës, të financuara nga Irani.
Një grup tjetër, Lëvizja Palestineze e Kërkuesve të Lirisë, u themelua nga Ahmad Abu Hilal, i cili, e udhëhoqi atë deri në vitin 2021 përpara se t'i premtonte besnikëri Hamasit.
Ashtu si degët e tjera të Fatahut, këta operativë shpesh funksionojnë si nënkontraktorë të Hamasit.
Deri më tani, kemi identifikuar 12 organizata që bashkëpunojnë me Hamasin:
1- Xhp-ja.
2- Komitetet e Rezistencës.
3- Tre Frontet.
4- Katër fraksione të Brigadave Al-Aksa.
5- Grupi i Abu Hilal.
6- Brigadat Muxhahedine.
7- “Zotërinjtë e Shkretëtirës”.
Këto grupe madje zhvilluan stërvitje të përbashkëta para luftës, të koordinuara nga Aiman (Ayman) Nofal - Komandanti i Brigadës së Kampeve Qendrore të Hamasit - i cili u vra gjatë luftës.
Shteti Islamik dhe Al-Kaeda: Besnikë ndaj askujt tjetër përveç vetes.
Përveç kësaj, disa qeliza terroriste të palidhura me Hamasin janë aktive në Gaza, duke synuar të krijojnë kalifate besnike ndaj Shtetit Islamik ose al-Kaedës.
Fraksioni kryesor i lidhur me al-Kaedën është Jaish (Jaysh) al-Islam, i cili, siç u përmend, u nda nga Komitetet e Rezistencës dhe ka lidhje me klanin Durmush.

Është interesante se ky klan u konsiderua madje si një kanal për ndihmë humanitare në fillim të luftës.
Në vitin 2007, Jaish (Jaysh) al-Islam rrëmbeu gazetarin britanik Alan Johnston, i cili u lirua pas katër muajsh.
Dy gazetarë amerikanë u rrëmbyen nga një qelizë e lidhur me Jaish (Jaysh) al-Islamin e njohur si “Brigadat e Xhihadit të Shenjtë”.
Krahas Hamasit dhe Komiteteve të Rezistencës Popullore, Jaish (Jaysh) al-Islam ishte gjithashtu i përfshirë në rrëmbimin e ushtarit të IDF-së në vitin 2006, Gilad Shalit.
Zyrtarët egjiptianë i kanë akuzuar këto qeliza për bashkëpunim me operativët e Shtetit Islamik në Gadishullin Sinai dhe me bombardimin e kishës në vitin 2011 në Aleksandri.
Grupi gjithashtu mori përgjegjësinë për sulme të tjera terroriste në Egjipt.
Çarmatosja e Gazës: Mision i pamundur?
Në fund të fundit, shqyrtimi i hartës së fuqisë së grupeve terroriste në Gaza çon në një përfundim të kthjellët.
Pavarësisht planeve të ndryshme për të çarmatosur Rripin si pjesë e një marrëveshjeje pas Hamasit, numri i madh i fraksioneve të armatosura ngre dyshime serioze nëse një qëllim i tillë është i arritshëm.
Disa nga këto grupe nuk janë besnikë ndaj Hamasit dhe u përgjigjen fuqive të huaja si Irani.
Duke pasur parasysh këtë kompleksitet, e ardhmja e Gazës në fund të luftës mbetet më e pasigurt se kurrë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments