top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PRESIDENTI I SHBA-ës DANLLD TRAMP (DONALD TRUMP) FILLON VIZITËN E TIJ NË VENDET E GJIRIT PERSIK ME QËLLIM NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJEVE ME VLERË 1 TRILION $.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 5 hours ago
  • 4 min read

Uashington, Amerikë | Presidenti i ShBA-ës, Danlld Tramp (Donald Trump), fillon sot vizitën e tij në vendet e Gjirit, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës në Shtëpinë e Bardhë, përveç një vizite të shkurtër në Romë të shtunën, më 26 prill, për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut.

 

Ishte gjithashtu në Gjirin Persik që presidenti Tramp (Trump) bëri vizitën e tij të parë zyrtare gjatë mandatit të tij të parë, në vitin 2017, një fakt që vetë presidenti amerikan ua kujtoi gazetarëve në Zyrën Ovale muajin e kaluar.

 

Herën e fundit ata vunë 450 miliardë dollarë (në tryezë). Këtë herë ata janë më të pasur. Ne jemi të gjithë më të vjetër. Kështu që thashë: Do të vij nëse u jepni një trilion dollarë kompanive amerikane në katër vitet e ardhshme, dhe ata ranë dakord”, shpjegoi presidenti Tramp (Trump), duke përshkruar objektivin kryesor të misionit të tij.

 

Presidenti Tramp (Trump) do të zbarkojë nesër, më 13 maj, në Riad të Arabisë Saudite, ku do të takohet me princin e Kurorës Mohammed bin Salman, me të cilin do të diskutojë investimet, bashkëpunimin ushtarak dhe projektet e përbashkëta.

 

Menjëherë pasi presidenti Tramp (Trump) u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Mohammed bin Salman kishte premtuar tashmë të investonte 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme.

 

Sipas mediave amerikane, vetëm në sektorin e mbrojtjes do të nënshkruhen marrëveshje me vlerë të paktën 100 miliardë dollarë.

 

Marrëveshje të tjera mund të kenë të bëjnë me energjinë bërthamore civile, infrastrukturën dhe inteligjencën artificiale.

 

Shtetet e Bashkuara mund të vendosin të ofrojnë teknologjitë e tyre në këmbim të një angazhimi nga Arabia Saudite për të rritur prodhimin e naftës, duke ndihmuar në stabilizimin e çmimeve globale të energjisë, por më e rëndësishmja për të investuar shumë në Shtetet e Bashkuara.

 

Përveç investimeve, presidenti Tramp (Trump) do të donte të arrinte një objektiv të rëndësishëm gjeopolitik në Riad: rinisjen e Marrëveshjeve të Abrahamit dhe promovimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.

 

Megjithatë, kjo nuk është një detyrë e lehtë, pasi në këmbim Riadi ka kërkuar prej kohësh një angazhim serioz nga Izraeli për krijimin e një shteti palestinez.

 

Javën e kaluar, presidenti Tramp (Trump) bëri një njoftim të madh para nisjes së tij për në Gjirin Persik: nuk do të jetë njohja e shtetit palestinez nga Uashingtoni, siç sugjerohet nga një rrjedhje informacioni në shtyp që tashmë është mohuar nga ShBA-ës, dhe ndoshta as vendimi për të ndryshuar emrin e Gjirit Persik në Gjirin e Arabisë ose Gjirin Arabik, i cili, ka shumë të ngjarë të jetë i pamjaftueshëm për të zhbllokuar ngërçin diplomatik.

 

Të nesërmen, përsëri në Riad, presidenti Tramp (Trump) do të jetë presidenti i parë amerikan që do të marrë pjesë në një samit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

 

Diskutimi do të përqendrohet, ndër të tjera, në sigurinë rajonale dhe kërcënimin bërthamor iranian.

 

Ka të ngjarë që në këtë rast presidenti amerikan të përpiqet t’i sigurojë udhëheqësit rajonalë në lidhje me bisedimet që po zhvillohen me Teheranin: takimi i fundit, gjithashtu pozitiv, u zhvillua dje në Oman, dhe negociatat duket se po ecin me shpejtësi drejt një marrëveshjeje, e cila, sipas Uashingtonit, duhet ta parandalojë Iranin nga blerja e një arme bërthamore.

 

Çështja e Huthëve, lëvizjes pro-iraniane Zaidi që kontrollon kryeqytetin e Jemenit, Sana'a, do të jetë gjithashtu në axhendë.

 

Javën e kaluar, vetë presidenti Tramp (Trump) njoftoi një armëpushim me grupin, i cili, u zotua të mos sulmonte më objektiva amerikane.

 

Pastaj, të enjten, më 15 maj, presidenti amerikan do të shkojë në Katar, ku do të takohet me Emirin Tamim bin Hamad al Thani.

 

Në këtë rast, fokusi do të jetë në krizën në Gaza, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm ndërmjetësues që luan Doha.

 

Megjithatë, analistët nuk presin ndonjë zhvillim të madh, veçanërisht në një kohë kur marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë veçanërisht të ftohta.

 

Edhe në këtë rast, do të shpallen marrëveshje të rëndësishme ekonomike.

 

Sipas një burimi të cituar nga “Axios”, në Katar pritet të nënshkruhen marrëveshje me vlerë 200-300 miliardë dollarë, duke përfshirë një marrëveshje me kompaninë Boeing dhe një marrëveshje prej dy miliardë dollarësh për blerjen nga Doha të dronëve Mq-9, të prodhuar nga General Atomics.

 

Emiri Tamim pritet gjithashtu t’i dhurojë presidentit Tramp (Trump) një Boeing 747 që Shtetet e Bashkuara pritet ta ripërdorin si “Air Force One” një veprim që nuk ka munguar të shkaktojë polemika në Uashington.

 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi në rrjetet sociale se do të jetë “një DHURATË, PLOTËSISHT FALAS”.

 

Ndalesa e fundit, më 16 maj, do të jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

Presidenti Tramp (Trump) do të pritet nga presidenti Mohammed bin Zayed al Nahyan.

 

Edhe këtu, fokusi do të jetë te marrëveshjet ekonomike.

 

Marsin e kaluar, Emiratet premtuan të investojnë 1.4 trilion dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së ardhshme.

 

Fokusi i misionit të presidentit Tramp (Trump) në ekonomi dhe investime demonstrohet edhe nga fakti se një delegacion i rëndësishëm sipërmarrësish amerikanë do të mbërrijë në Gjirin Persik së bashku me presidentin, i cili, do të marrë pjesë nesër në Riad në Forumin e Investimeve Arabi-Amerikane.

 

Ndër të tjerë, do të jenë drejtuesit ekzekutivë të Nvidia-s, Jensen Huang, të BlackRock-ut, Leri Flink (Larry Fink), të IBM-it, Arvind Krishna.

 

Sipas entit mediatik “Axios”, drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, pritet gjithashtu në Gjirin Persik këto ditë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page