HEQJA E HERSHME E MAKINAVE NUK DO TA SHPËTOJË PLANETIN
- Agjencia Telegrafike Vox

- May 24, 2024
- 2 min read
Romë, Itali | “Kufizimet në kohëzgjatjen e përdorimit të automjeteve të pasagjerëve kanë një efekt të kufizuar në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe mund të rrisin kostot dhe përdorimin e materialeve”, sipas një studimi të ri të botuar në “Environmental Research: Infrastructure and Sustainability”.
Hulumtimet tregojnë se megjithëse automjetet e lehta (LDV) kontribuojnë në 17% të emetimeve vjetore të gazeve serrë në Shtetet e Bashkuara, vendosja e një kufiri 15-vjeçar në jetëgjatësinë e LDV-ve në një skenar biznesi si zakonisht nuk do të çojë në ulje të konsiderueshme në emetimet e gazeve serrë.
Për të luftuar vonesën e përdorimit të automjeteve elektrike (EV-ve), disa kanë mbrojtur futjen e kufizimeve në vitet e përdorimit të automjeteve, të quajtura kufijtë e jetëgjatësisë.
Megjithatë, ky studim zbulon se kufijtë e jetëgjatësisë si një mjet për të nxitur adoptimin e EV-ve mund të përforcojnë disa nga efektet negative të vetë EV-ve, duke përfshirë rritjen e përdorimit të materialeve kritike dhe rritjen e ekotoksicitetit në lidhje me prodhimin e baterive.
Për më tepër, kostot e vendosjes së përshpejtuar të automjeteve elektrike vlerësohen të jenë shumë të larta dhe shpesh tejkalojnë vlerësimet aktuale për kostot sociale të CO2.
Sipas studimit, kufijtë e jetëgjatësisë janë efektive vetëm kur zbatohen së bashku me strategji plotësuese, të tilla si ulja e intensitetit të emetimeve të rrjetit të energjisë, përmirësimi i konsumit të karburantit të automjeteve dhe reduktimi i emetimeve nga prodhimi i automjeteve.
Ekipi hulumtues pas studimit të ri, i udhëhequr nga studiues nga Universiteti i Torontos, përdori modelin FLAME (Fleet Life Cycle Assessment and Material Flow Estimation), i kombinuar me llogaritjet gjithëpërfshirëse të kostos dhe analizat e ndjeshmërisë për mbijetesën e EV dhe degradimin e baterisë, për të vlerësuar efektivitetin dhe kostot e kufijve të jetëgjatësisë së automjeteve në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë nga flotat e automjeteve të lehta në Shtetet e Bashkuara.
Znj. Hithër Mek’Llin (Heather MacLean), profesore në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe Inxhinierisë në Universitetin e Torontos, thotë: “Kufijtë e jetëgjatësisë mund të jenë një mjet i fuqishëm për përshpejtimin e përfitimeve të teknologjive të reja të automjeteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, por mund të gjithashtu rrisin kostot. Gjetjet tona tregojnë se, ndërsa ato mund të jenë të përshtatshme në disa situata, kufijtë e jetëgjatësisë pozicionohen më mirë si pjesë e një strategjie më të gjerë të integruar për të adresuar emetimet e gazeve serrë në transport.”
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































