FUKUSHIMA: UJËRAT E NDOTURA DO TË DERDHEN NESËR NË DET | ÇFARË THONË EKSPERTËT?
- Agjencia Telegrafike Vox

- Aug 24, 2023
- 2 min read

Fukushima, Japoni | Operacionet e derdhjes kanë provokuar zemërimin e Kinës dhe shqetësimin e Koresë së Jugut, por, sipas OKB-së nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Me përjashtim të kushteve të pafavorshme të motit, nesër do të nisë puna për shkarkimin e ujit të ndotur (kontaminuar) të Fukushimës në det të hapur. Për këtë flitej prej disa kohësh, por, njoftimi zyrtar u bë dje nga qeveria e Tokios. Pikërisht në kohë për të zemëruar qeveritë e dy vendeve që do të preken më shumë nga derdhja: Kina dhe Koreja e Jugut. Qeveria e Pekinit ka thirrur ambasadorin japonez, duke e kërcënuar me miratimin e “masave të nevojshme për të mbrojtur në mënyrë të vendosur mjedisin detar, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.” Me këtë çështje merret vetë ministri i Jashtëm kinez Uang Uenbin (Wang Wenbin), i cili, deklaroi: “Nëse ky ujë radioaktiv është i sigurt, nuk ka nevojë të hidhet në det. Nëse nuk është i sigurt, nuk duhet ta shkarkoni.” Shqetësim ka edhe nga Seuli, i cili, megjithatë ka vendosur të mos përdorë rrugën e përballjes. Debati për këtë çështje është qendror në Korenë e Jugut, ku opozita ka ngritur barrikadat, ndërsa qeveria ka vendosur të mos kundërshtojë vendimin japonez, dhe të mbështesë konkluzionet e arritura nga IAEA, agjencia atomike e OKB-së, e cila, vlerësoi një “ndikim të papërfillshëm radiologjik, mbi njerëzit dhe mjedisin”. Fukushima, sipas ekspertëve të OKB-së nuk ka asnjë rrezik. Z. Ulfango Plastino (Wolfango Plastino), një profesor i fizikës së aplikuar në Universitetin Roma Tre, dhe një anëtar i grupit të përhershëm këshillues të IAEA për aplikimet bërthamore, i tha gazetës italiane Republika (La Repubblica), se lëshimi në det i më shumë se 1 milion ton ujërave të përdorura për të ftohur uraniumin, pas aksidentit bërthamor të vitit 2011, “do të jetë një operacion i kryer në siguri maksimale, dhe që nuk do të ketë asnjë ndikim në mjedisin detar.” Uji i kontaminuar, përpara se të lëshohet në oqean përmes një tuneli nënujor, që ndodhet një kilometër larg uzinës, do të hollohet me ujë deti, deri në një të dyzetën e përqendrimit të lejuar, sipas standardeve japoneze të sigurisë. Një hollim, i cili, megjithatë, nuk do të eliminojë plotësisht praninë e tritiumit, një izotop hidrogjeni që është i vështirë për t'u ndarë nga uji, dhe që do të mbetet i pranishëm në përqendrime të larta. Sipas profesor Plastinos “përqendrimet e tritiumit që do të hollohen me kalimin e viteve në sektorin veriperëndimor të Paqësorit, të karakterizuara nga prania e rrymës oqeanike Kuroshio, do të përcaktojnë një ndryshim jo të rëndësishëm të pranisë së tij natyrore në ato ujëra.” Një variacion, i cili, “nuk do të ketë ndikim në mjedis, sepse, ndryshimet në krahasim me përqendrimet natyrore të tritiumit tashmë të pranishme në oqean, nuk do të jenë më të mëdha se luhatjet normale të regjistruara në atë sektor të Paqësorit përpara Aksident në Fukushima”, përfundon profesori. Nga z. Erton Duka. © Copyright | Agjencia Telegrafike Vox









___.png)


















































Comments