ÇAD: BURIME SHTYPI THONË SE NJË GRUP PREJ 130 TRAJNERËSH RUSË TË GRUPIT UAGNER ZBARKUAN NË KRYEQYTETIN N'DJAMENA.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Apr 29, 2024
- 5 min read
N'Djamena, Çad | Një grup prej 130 trajnerësh rusë u ul në kryeqytetin e Çadit, N'Djamena, në bordin e një fluturimi të Ethiopian Airlines.
Kjo është bërë e ditur nga burime të inteligjencës të cituara nga faqja e informacionit “Tchad One”, sipas të cilës personat që zbarkuan dje janë anëtarë të ish-grupit paraushtarak Uagner (Wagner), i riemërtuar Trupat e Afrikës (Afrika Corps).
Zbarkimi i trajnerëve rusë vjen pak ditë pas njoftimit për tërheqjen e ardhshme të 75 trainerëve ushtarakë amerikanë nga vendi, pas kërkesës eksplicite të juntës ushtarake të Çadit.
Ndryshimi vjen gjithashtu një javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara në Çad më 6 maj 2024.
Çadi është vetëm i fundit nga vendet afrikane në zonën e Sahelit, në të cilin ka një depërtim gradual të ndikimit rus, që përkon me tërheqjen e francezëve dhe, tani, edhe me praninë amerikane.
Javët e fundit ishte radha e Nigerit, skena - si Mali fqinj, Burkina Faso dhe Guinea - e një grushti shteti që solli në pushtet një juntë ushtarake pro-ruse.
Në fakt, 10 prillin e kaluar, instruktorët ushtarakë rusë mbërritën në Niamei, ku u panë duke shkarkuar pajisje nga një aeroplan mallrash, duke përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore.
Në pamjet e transmetuara nga televizioni kombëtar nigerian, një aeroplan Ilyushin shfaqet me pajisje dhe burra në bord teksa ulet në aeroportin e kryeqytetit nigerian.
Forcimi i bashkëpunimit mes Rusisë, Nigerit dhe tani Çadit është gjithçka tjetër veç një surprizë.
Fqinjët Mali dhe Burkina Faso, me të cilët Nigeri formoi Aleancën e Shteteve të Sahelit (AES), në fakt kanë reklamuar partneritetin e tyre me Moskën për disa muaj.
Mbërritja e instruktorëve rusë në Niamei dhe N'Djamena, për më tepër, pason deklaratat e fundit të dy juntave ushtarake se duan të ndërpresin bashkëpunimin ushtarak fillimisht me Parisin, pastaj me Uashingtonin.
Pas dëbimit përfundimtar të Francës dhe prishjes së marrëveshjeve të mbrojtjes me Bashkimin Evropian, junta ushtarake në pushtet në Niger shpalli muajin e kaluar pezullimin me efekt të menjëhershëm të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara.
Pas presionit nigerian dhe demonstratave të shumta që u zhvilluan në pjesë të ndryshme të vendit për të kërkuar largimin e trupave amerikane, javën e kaluar administrata e presidentit Xhëu Baidn (Joe Biden) iu desh të pranonte kërkesën për të tërhequr kontigjentin e saj prej mbi 1100 burrash nga vendi.
Një vendim që vjen pas njoftimit me të cilin, më 16 mars të kaluar, junta e Niameit ndërpreu me efekt të menjëhershëm marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak të nënshkruar me Shtetet e Bashkuara në vitin 2012.
Në këtë kuptim, bisedimet mes palëve - e fundit javën e kaluar në Uashington mes Zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Kërt Kempbell (Kurt Campbell), dhe kryeministrit nigerian Ali Lamine Zeine - nga ku doli se një delegacion amerikan do të udhëtojë së shpejti në Niamei për të përcaktuar një afat kohor për tërheqjen.
Sikur të mos mjaftonte kjo, më 25 prill të vitit të kaluar, burime të Pentagonit të cituara nga gazeta Kohërat e Jorkut të Ri (New York Times) raportuan se në ditët e ardhshme SHBA do të tërheqë edhe 75 personat e forcave speciale të ushtrisë të stacionuar në kryeqytetin e Çadit, N'Djamena.
Sipas të njëjtave burime, megjithatë, nëse vendimi për t'u larguar nga Nigeri është përfundimtar, shpresa e Pentagonit është të rinisin bisedimet për bashkëpunimin ushtarak me Çadin menjëherë pas zgjedhjeve që do të mbahen në vend më 6 maj 2024.
Lajmi për një largim të afërt të kontingjentit ushtarak amerikan nga Çadi kishte qarkulluar tashmë prej disa javësh dhe tani duket se konfirmohet në një letër drejtuar nga qeveria N'Djamena udhëheqësve ushtarakë amerikanë, në të cilën ajo kërcënon të i jepte fund sigurisë me Uashingtonin, ende në fuqi.
Letra, shkruan “NYT”, nuk kërkon drejtpërdrejt nga forcat e armatosura amerikane të largohen nga Çadi, por e kufizon kërkesën vetëm në task forcën e operacioneve speciale, e cila, operon nga një bazë ushtarake çadiane në kryeqytetin N'Djamena dhe vepron si një pikë e rëndësishme për koordinimin e misioneve të trajnimit dhe këshillimit ushtarak të SHBA në rajon.
Aktualisht, rreth 75 Bereta të Gjelbra nga Grupi i 20-të i Forcave Speciale, një njësi e Gardës Kombëtare të Alabamës, shërbejnë në grupin e punës.
Letra, sipas “NYT”, është dërguar nga shefi i shtabit të Forcave Ajrore Çadiane, Idriss Amine, dhe do të kishte kapur në befasi diplomatët dhe oficerët ushtarakë amerikanë, edhe për shkak se nuk ishte dërguar përmes kanaleve zyrtare diplomatike.
Një lëvizje që, sipas disa zyrtarëve, mund të jetë një taktikë negociuese nga disa anëtarë të ushtrisë dhe qeverisë çadiane për të bërë presion ndaj Uashingtonit për të arritur një marrëveshje më të favorshme përpara zgjedhjeve të majit.
Me përjashtim të zhvillimeve diplomatike të minutës së fundit, trupat amerikane duhet të fillojnë të largohen nga vendi në ditët në vijim dhe të përfundojnë nisjen e tyre drejt Gjermanisë (ku ndodhet selia e Komandës së Afrikës së SHBA-së, Africom) deri në 1 maj 2024.
Ndërsa Franca, ish-fuqia koloniale e rajonit, ka një prani shumë më të madhe ushtarake në Çad, Shtetet e Bashkuara janë mbështetur gjithashtu te vendi si një partner i besueshëm i sigurisë.
Garda presidenciale e Çadit është në fakt një nga më të trajnuarat dhe pajisurat në Sahel.
Vendi ka pritur gjithashtu stërvitje ushtarake të udhëhequra nga SHBA dhe është një partner i rëndësishëm në përpjekjet që përfshijnë disa vende në pellgun e liqenit Çad për të luftuar grupin xhihadist nigerian Boko Haram.
Mbërritja e instruktorëve rusë në Niamei pason një marrëveshje të fundit midis juntës së Nigerit dhe Rusisë për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë.
Vendi Sahel rrëshqiti në orbitën ruse pas grushtit të shtetit të 26 korrikut të kaluar, i cili çoi në shkarkimin e presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Bazoum, aktualisht në arrest shtëpiak, dhe që atëherë junta ushtarake ka ndërprerë lidhjet ushtarake dhe diplomatike me Francën dhe - si dhe fqinjët Mali dhe Burkina Faso - po i drejtohet Moskës për mbështetje në zmbrapsjen e një kryengritjeje xhihadiste.
Në mënyrë të ngjashme, Çadi, megjithëse deri më tani është kursyer nga grushtet e hapura pro-ruse (për tre vjet vendi është udhëhequr nga një juntë ushtarake e kryesuar nga Mahamat Deby Itn, ose djali i ish-presidentit Idriss Deby Itno, i vrarë nga rebelët në muajin prill të vitit 2021), konsiderohet nga vëzhgues të shumtë si objektivi i radhës i Moskës dhe paraushtarakëve të ish-grupit Uagner (Wagner) - tani i riemërtuar Afrika Corps - në strategjinë e saj për të depërtuar në Afrikë.
Një alarm në këtë kuptim u lëshua vitin e kaluar nga “New York Times”, e cila, duke cituar burime të inteligjencës, raportoi se SHBA e kishin paralajmëruar Presidentin Debi (Deby) për një komplot të mundshëm nga mercenarët rusë për ta vrarë atë dhe tre zyrtarë të nivelit të lartë të juntës ushtarake në pushtet në N'Djamena.
Moska, sipas të njëjtave burime, do të mbështeste rebelët çadianë - tashmë përgjegjës për vrasjen e presidentit Idriss Deby Itno - të cilët po grumbullohen në Republikën fqinje të Afrikës Qendrore, e cila nga ana tjetër është tashmë e vendosur në orbitën ruse.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)











































Comments