top of page
E BARDHË SHIRIT.png

TMERRI I RUSISË DHE KINËS | TRAMPI (TRUMP) KA LËVIZUR PLLAKAT TEKTONIKE TË LINDJES SË MESME.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 4 hours ago
  • 8 min read
Presidenti Danlld Tramp (Donald Trump) mban marrëveshjen e armëpushimit për Gazën, të nënshkruar në Egjipt.
Presidenti Danlld Tramp (Donald Trump) mban marrëveshjen e armëpushimit për Gazën, të nënshkruar në Egjipt.

Nga z. Çarls (Charles) Lipson, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Çikagos.

Çikago, Amerikë | Marrëveshja e Presidentit Danlld Tramp (Donald Trump) për Gazën është shkatërrimtare për armiqtë e Perëndimit, veçanërisht për Iranin, Rusinë dhe Kinën.


Pasoja më e rëndësishme dhe e menjëhershme e marrëveshjes për Gazën është se ajo ka shumë të ngjarë të nxisë një ujdi më të gjerë me Izraelin.


Për të parandaluar marrëveshjet miqësore, ai ishte sulmuar nga Hamasi më 7 tetor 2023, dhe për këtë arsye Hezbollahu (në Liban) dhe Lëvizja Huthi (në Jemen) u bashkuan menjëherë - të mbështetur nga sponsorët e tyre iranianë.


Të gjithë ata i urrenin hebrenjtë. Dhe, e urrenin shtetin hebre. Por, kjo nuk ishte diçka e re. Brez pas brezi ata e transmetonin atë urrejtje helmuese. Ishte zemra e kurrikulës së tyre “arsimore”.


Nëse urrejtja e tyre është e pandryshuar, çfarë ndryshoi që çoi në sulmet e 7 tetorit?


Përgjigjja ishte perspektiva në horizont që Arabia Saudite t’i bashkohej Marrëveshjeve të Abrahamit, për t’u bërë partner me Izraelin dhe për të izoluar si terroristët ashtu edhe Iranin.


Në muajt para sulmit, sauditët kishin dhënë sinjale të përsëritura se ishin gati të përfundonin marrëveshjen me Izraelin.


Ata madje kishin inkurajuar aleatët e tyre më të vegjël të bashkoheshin për të testuar reagimin lokal. Deri atëherë, çdo gjë po shkonte mirë.


Por, regjimi islamik në Teheran e dinte se vrasja e mbi 1200 izraelitëve në një sulm të paprovokuar do të siguronte një kundërpërgjigje ushtarake dhe do të ndalte çdo marrëveshje më të gjerë rajonale - për aq kohë sa do të zgjaste lufta.


Ata e dinin se mbajtja e pengjeve do ta zgjaste konfliktin.


Ata e dinin gjithashtu se përdorimi i civilëve të Gazës, si mburojë mbrojtëse, do të bënte që mijëra myslimanë të vriteshin në luftë, pavarësisht se sa shumë do të përpiqej Izraeli për të shmangur ato viktima.


Vdekjet e civilëve dhe shkatërrimi do të përbënin pengesë të pakalueshme për paqen rajonale, për aq kohë sa do të vazhdonte lufta.


Ndërkohë, lufta do ta shpërqendronte vëmendjen nga qëllimi bazik strategjik i Iranit; ndërtimi i një arme bërthamore për të kërcënuar Izraelin dhe ndoshta për ta eliminuar atë tërësisht.


Për gati dy vjet, Irani dhe përfaqësuesit e tij terroristë arritën të përmbushnin qëllimet e veta.


Jo se ata patën sukses në aspektin ushtarak. Nuk patën.


Së pari, Izraeli ndaloi sulmin terrorist nga Gaza dhe Libani Jugor.


Më pas filloi të çmontonte sistematikisht unazën e zjarrit, rrjetet terroriste që Irani kishte ngritur përreth Izraelit.


Pasi ato rrjete ishin dëmtuar rëndë dhe nuk përbënin më kërcënim strategjik, shteti hebre iu drejtua objektivit të tij kryesor; Iranit dhe programit të tij bërthamor.


Izraeli arriti të shkatërronte, i vetëm, pjesën më të madhe të atij programi, por disa pjesë ishin të groposura thellë nën tokë, përtej mundësive të aeroplanëve të tij luftarakë.


Për të shkatërruar ato objekte të thella, Izraelit i duhej (dhe mori) një ndihmë nga Amerika me bombat e saj të rënda dhe depërtuese, si dhe aeroplanët e saj të mëdhenj dhe të padukshëm për t’i hedhur ato.


Suksesi i kombinuar i forcave ajrore izraelite dhe amerikane ka shumë të ngjarë të ketë shkatërruar objektet bërthamore të Iranit dhe të ketë vonuar ringjalljen e tyre për vite me radhë.


Irani kurrë nuk e kishte pritur këtë përgjigje shkatërruese, gjithëpërfshirëse, apo suksesin e saj të plotë.


Ai sukses jo vetëm që do të thotë se unaza e zjarrit ishte shumë më e dobët, por ishte gjithashtu shumë më e varfër.


Irani nuk mund të përballojë më të paguajë terroristët apo të rimbushë arsenalin e tyre.


Kjo krijoi terrenin për dorëzimin efektiv të Hamasit (edhe nëse jo çarmatimin e tij të plotë në praktikë), përfundimin e luftimeve të mëdha në Gazë dhe shterjen e Iranit si shteti më i fuqishëm i rajonit pas Izraelit.


Pasoja më e rëndësishme rajonale është se Izraeli ka dalë plotësisht fitimtar si kalë i fortë i Lindjes së Mesme.


Ai ka dëshmuar të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm, jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht dhe në aspektin teknologjik në një rajon që respekton vetëm forcën.


Për më tepër, ai ka dëshmuar, përtej çdo dyshimi, se është i gatshëm të përdorë forcën e tij ushtarake për të mbrojtur interesat e veta jetike.


Nuk është thjesht një kalë i fortë; është i gatshëm të tërheqë peshën e vet, pavarësisht sa e kushtueshme të jetë kjo.


Tani që marrëveshja e armëpushimit është nënshkruar dhe pengjet janë kthyer (të gjithë ata që ishin gjallë; disa nga të vdekurit), pyetja kryesore është: Çfarë ndodh më pas?


Shumica e komentuesve janë fokusuar, me të drejtë, tek e ardhmja e pasigurt e Gazës - nëse Hamasi apo grupet e tjera terroriste atje do të rishfaqen (siç do të përpiqen, padyshim) dhe nëse “Faza e Dytë” e planit të paqes do të zbatohet në të vërtetë.


Sado të rëndësishme të jenë ato çështje, ato nuk janë më të rëndësishmet, as në nivel lokal, as global.


Cilat janë këto pasoja kryesore gjeopolitike?


Shkatërrimi i Teheranit do të thotë se iranianët dhe palestinezët nuk mund ta pengojnë më një marrëveshje më të gjerë rajonale.


Ajo marrëveshje varet nga partneritetet me Izraelin.


Çelësi do të jetë Arabia Saudite, kur ajo më në fund të nënshkruajë Marrëveshjet e Abrahamit të hartuara nga Xherëd Kashnër (Jared Kushner), gjatë mandatit të parë të Trampit (Trump), dhe që me shumë gjasa do të zgjerohen tani nga përpjekjet e tij dhe të Stiv Uitkofit (Steve Witkoff).


Por, Rusia dhe Kina janë gjithashtu edhe më shumë të margjinalizuara si aktorë në Lindjen e Mesme.


Rusia, në veçanti, kishte kaluar dekada të tëra duke projektuar fuqinë e saj dhe duke zgjeruar pozicionin e saj rajonal.


Ai rol bazohej kryesisht në aleancën e saj me regjimin e Assadit në Siri dhe me Republikën Islamike të Iranit.


Sot, regjimi i Assadit ka rënë dhe zëvendësuesi i tij, ndonëse nuk është mik i Izraelit, do të jetë i kujdesshëm për të përballuar fqinjin e tij të fuqishëm pa një mbështetje të konsiderueshme të jashtme.


Nuk mund ta marrë atë mbështetje nga Irani, i cili, tani është shumë i dobët për ta ofruar atë.


Me Iranin të dobësuar, pritet që Turqia të ndërhyjë si udhëheqëse e botës islame.


Ankaraja shpreson ta bëjë Sirinë një partnere të vogël, të kufizojë ndikimin e kurdëve dhe të forcojë statusin e saj si kundërshtarja kryesore rajonale e Izraelit.


Kjo është një perspektivë shqetësuese për Jerusalemin, por jo aq e keqe sa një Iran i fuqishëm në prag të armëve bërthamore.


Në nivel global, Trampi (Trump) ka dalë të jetë udhëheqësi më me ndikim amerikan që nga Ronald Reagani.


Është e paprecedentë arritja, nga ana e tij, e një marrëveshjeje rajonale që përfshin si Izraelin ashtu edhe shtetet myslimane.


Me atë zhvendosje tektonike, Amerika dhe Izraeli kanë konsoliduar pozicionet e tyre si fuqi kyçe në Lindjen e Mesme - ushtarakisht dhe ekonomikisht.


Kjo mbetet e vërtetë, edhe nëse “Faza e Dytë” në Gazë shkon keq.


Qëllimet e Izraelit janë të lehta për t’u kuptuar, edhe nëse të vështira për t’u zbatuar.


Ai dëshiron të pengojë kërcënimet ndaj popullsisë së tij civile dhe të vazhdojë të rritet ekonomikisht.


Qëllimet e Amerikës janë më të ndërlikuara.


Nën Trampin (Trump), ajo dëshiron të paraqitet si e vetmja fuqi e jashtme në rajon, por, në mënyrë thelbësore, dëshiron ta bëjë këtë me një prani më të vogël dhe më pak të kushtueshme.


Kjo do të thotë që fuqitë rajonale do të paguajnë për rindërtimin dhe sigurinë në Gazë.


Ajo që dëshiron Trampi (Trump) është një rajon i qetë që nuk tërheq burimet e ShBA-ës, që mban marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin, që përjashton fuqitë e tjera të mëdha, që pompon shumë naftë dhe që nxit rritjen ekonomike amerikane përmes çmimeve më të ulëta të energjisë.


Rastësisht, ato çmime më të ulëta u shtohen dëmeve që Amerika dhe Ukraina tashmë po ia shkaktojnë Rusisë.


Nëse Amerika synon të ketë më pak trupa në tokë në Lindjen e Mesme dhe më pak anije në det atje, ku do të shkojnë ato?


Në Lindjen e Largët, për të frenuar Kinën dhe për të penguar kërcënimet ndaj Tajvanit, Koresë së Jugut dhe Japonisë.


Ai rajon është sfida e ardhshme e madhe e Amerikës. Trazirat në Lindjen e Mesme e kishin vonuar atë angazhim të plotë ushtarak. Tani kjo ka ndryshuar.


Po lufta në Ukrainë?


Trampi (Trump) nuk do të shpërqendrohet dhe të futet në një angazhim më të thelluar atje.


Ai është i vendosur që t’ua lërë evropianëve atë barrë. Le të blejnë ata armët për Kievin, të cilat, vetëm Amerika mund t’i prodhojë. Fitim-fitim (win-win).


Trampi (Tramp) vazhdon të thotë se kjo përpjekje e përbashkët ShBA-BE mund ta çojë Vladimir Putinin në tryezën e bisedimeve.


E mundshme, por e pamundur. Putini e ka vënë në rrezik regjimin dhe jetën e vet për fitoren në Ukrainë.


Ai nuk mund të ndalet tani me kaq pak gjëra për t’u mburrur dhe pas një sakrifice kaq monumentale.


Marrëveshja e vetme të cilën Putini do ta merrte parasysh është ajo të cilën do ta hidhte poshtë porsa ta rimbushte ushtrinë e vet.


Kjo është një pauzë, jo paqe.


Anëtarët e NATO-s e kuptojnë këtë logjikë të zymtë mashtrimi dhe do të vendosin trupa në Ukrainë si një tel me gjemba nëse Putini tërhiqet nga marrëveshja.


Ai tel do të thotë se një pushtim rus do të vriste pashmangshëm ato trupa perëndimore dhe do të përfshinte anëtarët e NATO-s në një luftë të cilën Rusia nuk do të mund ta fitonte.


Kjo perspektivë ka për qëllim që ta pengojë Kremlinin të pushtojë përsëri.

 

Duke e ditur se nuk mund të realizojë një pauzë mashtruese dhe duke pasur frikë për jetën e vet nëse pranon një barazim të kushtueshëm, Putini është shumë pak i gatshëm ta përfundojë luftën e tij të shtrenjtë.


Trampi (Trump) mund të flasë në mënyrë optimiste për negociata me Putinin, por diktatori rus ka më shumë gjasa të përfundojë mbi tryezën e morgut sesa të ulet në tryezën e bisedimeve duke kërkuar një kompromis të sinqertë.


Në mungesë të një marrëveshjeje të qëndrueshme (dhe kjo është e pamundur), rezultati më i mundshëm është përparimi i ngadaltë i Ukrainës në fushëbetejë, duke rimarrë territor teksa ekonomia ruse shkatërrohet dhe humb në luftë nga rraskapitja.


Këto çështje më të gjera strategjike janë tani në qendër - për shkak të suksesit të Trampit (Trump) dhe Benjamin Netanjahut në Lindjen e Mesme.


Për Izraelin, ai sukses do të thotë një rol shumë më i madh, shumë më i sigurt në rajon - për herë të parë që nga themelimi i tij në vitin 1948.


Ky rol bazohet në aftësinë ushtarake dhe ekonomike dhe - më në fund - në njohjen nga shumica e shteteve myslimane se Izraeli është këtu për të qëndruar dhe se është më i vlefshëm si partner ekonomik dhe i sigurisë e jo si vend përgjithmonë i përjashtuar. (Qeveritë e Keër Starmërit - Keir Starmer- dhe Emanuel Makronit nuk e kanë kuptuar këtë mësim).


Për Shtetet e Bashkuara, marrëveshja për Gazën do të thotë një prani më e vogël dhe më pak e kushtueshme në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, por, në mënyrë paradoksale, një rol edhe më me ndikim atje.


Këto ndryshime janë lajme të këqija për armiqtë e Perëndimit në Iran, Kinë dhe Rusi.


Por janë lajme shumë të mira për Amerikën dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme, Evropë dhe Azi.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page