top of page
E BARDHË SHIRIT.png

MERGËRET THEÇËR (MARGARET THATCHER) LINDI 100 VJET MË PARË DHE SUNDIMI I SAJ DUKET I LARGËT POR PSE NDIKIMI I SAJ ËSHTË ENDE KAQ I MADH?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 1 day ago
  • 5 min read
Mergëret Theçër (Margaret Thatcher) 1925-2013.
Mergëret Theçër (Margaret Thatcher) 1925-2013.

Londër, Britania e Madhe | Duhet të jesh afërsisht në mesin e të pesëdhjetave ose më i madh për të qenë në moshën me të drejtë votimi gjatë periudhës së Mergëret Theçërit (Margaret Thatcher) si kryeministre.


Vetëm një e treta e atyre prej nesh që janë gjallë sot ishin të rritur kur ajo më në fund u largua nga Kryeministria (Downing Street) në muajin nëntor të vitit 1990.


Edhe më e vogël është përqindja e atyre që kujtojnë 11 vjetët që Theçër (Thatcher) kaloi në Kryeministri.


Për të paktën dy të tretat e britanikëve, ajo është një emër nga e kaluara dhe asgjë më shumë.


Fakti se do të kishte mbushur 100 vjet të hënën që vjen, kjo vetëm thekson hendekun e madh që tashmë e ndan epokën e saj nga e tanishmja.


Por, ky qindvjetor mund të jetë gjithashtu një moment i dobishëm. Mund të ofrojë një mundësi bashkëkohore për të reflektuar mbi atë që ajo vërtet përfaqëson - dhe nuk përfaqëson - për Britaninë moderne.


Kjo duket më e vështirë në disa mënyra për ne që e kujtojmë atë. Ishim të prirë të merrnim anë.


Mbështetësit mendonin se Theçëri (Thatcher) nuk mund të bënte asnjë gjë të gabuar.


Kundërshtarët mendonin se ajo nuk mund të bënte asgjë të mirë. Nuk është për t’u befasuar që e vërteta është më e nuancuar, më komplekse dhe interesante - siç mund ta dëshmoj nga dy herët që e kam intervistuar shkurtimisht (njëherë, çuditërisht, në operën e Kievit).


Si subjekt studimi, Theçëri (Thatcher) nuk ka pasur shumë favore as nga ata që e adhurojnë, as nga ata që e kritikojnë ashpër.


Duke i dëgjuar të dyja palët, është e dobishme të kemi parasysh se zonja që në publik nuk pranonte të bënte kthesën 180 gradë, ishte gjithashtu zonja që privatisht mendonte gjatë e thellë për të bërë ndryshime të mëdha në udhëheqje.


Për shembull, mbretëresha luftarake që refuzoi të bënte kompromis me grevistët e urisë së IRA-s, në fillim të viteve 1980 të shekullit XX, ishte gjithashtu një Theçër (Thatcher) që autorizoi bisedimet e fshehta me IRA-n dhe që lejoi kabinetin e saj të debatonte për bashkimin e Irlandës.


Por, betejat individuale që Theçër (Thatcher) zhvilloi në vitet 1980 të shekullit XX tani i përkasin kryesisht të kaluarës.


Bota ka ecur përpara. Nga kjo distancë, ajo që ka rëndësi nuk është vetë Theçëri (Thatcher), sado e jashtëzakonshme që ishte, por më shumë ndikimi i saj.


Ndikimi i saj është i vështirë për t’u harruar, por rrallëherë pranohet plotësisht.


Secili prej nesh jeton në një vend të shënuar më thellë nga Theçëri (Thatcher) sesa nga çdo politikan tjetër i epokës së pasluftës.


Edhe sot ajo është pjesë e arsyes pse nuk arrijmë të balancojmë financat kombëtare dhe pse politikanët kanë kaq shumë frikë nga ndryshimet në taksa.


Ajo është pjesë e arsyes pse jemi ende kaq të ndarë dhe në mënyrë kaq të dëmshme për Evropën.


Megjithatë, ajo është gjithashtu pjesë e arsyes pse e marrim seriozisht krizën klimatike, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, është pjesë e arsyes pse lumenjtë dhe liqenet tona janë kaq të ndotura.


Aspekti më i rëndësishëm i trashëgimisë së saj ishte gjithmonë vendosmëria për të folur në emër të biznesit - të vogël dhe të madh - kundrejt shtetit.


Ajo e shihte ndërmarrësinë dhe taksat e ulëta si themelin e një shoqërie të suksesshme dhe gjatë viteve të saj në pushtet, nuk u largua kurrë nga kjo bindje.


Ajo donte të shkurtonte shpenzimet e qeverisë dhe të zvogëlonte rolin e saj në të gjitha fushat, përveç sigurisë kombëtare.


Është e lehtë të harrohet se kur ajo erdhi në pushtet në vitin 1979, pikëpamja e saj ishte pothuajse kryengritëse.


Kur u largua në vitin 1990, ajo ishte bërë urtake. Në shumë mënyra, ende është.


Pjesë të tjera të trashëgimisë së saj gjithashtu ndihmojnë për të vërtetuar pikëpamjen e Hugo Jungut (Young) - i cili ka shkruar për të më mirë se kushdo tjetër - se karriera e saj ofron dëshmi të qarta se individët kanë rëndësi në histori.


Theçëri (Thatcher) nuk ishte një libertariane, por ajo la një trashëgimi individualiste.


Ajo mendonte se familja dinte më mirë se zyrtari në Qeveri (Whitehall) - dhe në bashkitë e qytetit e të qarkut gjithashtu - se çfarë ishte më e mirë për ta.


Ajo e ndryshoi sistemin e strehimit për të nxitur pronësinë e banesave në mënyrat që ende e deformojnë tregun e banesave dhe vendimet e planifikimit sot - si dhe politikën zgjedhore.


Sidoqoftë, në vitet pas rënies së saj në 1990, deri në vdekjen e saj në vitin 2013, shumë prej admiruesve të saj besonin se ajo ishte një dritë udhëzuese për atë që duhej të ndodhte më pas.


Ajo nuk kishte bërë thjesht gjëra të mëdha radikale, besonin këta ndjekës.


Ajo gjithashtu kishte përcaktuar agjendën për ata që do të vinin pas.


Funerali i Theçërit (Thatcher) në Katedralen e Shën Palit, ku isha i pranishëm, ishte një përpjekje për ta paraqitur atë si një Çërçill (Churchill) të dytë.


Ajo nuk ishte kurrë një i tillë. Por, ishte gjithashtu një përpjekje për të pretenduar se revolucioni theçerian ishte tashmë realiteti i pranuar i Britanisë moderne.


As kjo nuk ishte e vërtetë. Ajo që ishte e vërtetë ishte se Theçëri (Thatcher) dhe thaçërizmi kishin ofruar një grup përgjigjesh në një kohë të caktuar - në fund të një periudhe të mbushur me kriza - për probleme endemike që përballojnë të gjitha shtetet moderne.


Ndër më të mëdhatë prej këtyre problemeve ishin reforma e efikasitetit të sektorit publik dhe e efektivitetit të kostos, si dhe kërkimi për një ekuilibër me virtyte shoqërore dhe ekonomi kreative mes sektorit privat dhe atij publik.


Megjithatë, Theçëri (Thatcher) nuk zgjidhi asnjë nga këto probleme. Në disa mënyra, ajo i bëri ato më të vështira.


Laburistët e Rinj duhej të përballeshin shpejt me to në mënyra të reja.


Kur ajo vdiq në vitin 2013, qeveria e koalicionit e Deivid Kemëronit (David Cameron) tashmë po përballej sërish me to.


Të njëjtat probleme kanë rezultuar po aq të pazgjidhshme dhe përgjigjet mbeten po aq të pakapshme.


Edhe Theresë Mei (Theresa May), Boris Xhonson (Johnson), Liz Truss, Rishi Sunak dhe tani Keër Starmër (Keir Starmer) janë përballur me to.


Pra, mësimi nga Theçëri (Thatcher) në 100-vjetorin e saj nuk është se gjithçka nga trashëgimia e saj duhet të zhbëhet derisa të rizbulojmë kodrat me diell të viteve para saj.


Kjo do të përfundonte në lot. Por, as nuk është se ajo disi mban çelësin për të zgjidhur problemet e Britanisë. Forma e saj e udhëheqjes është e papërsëritshme.


Ajo as nuk mund t’i zgjidhë problemet e Partisë Konservatore.


Statusi ikonik i Theçërit (Thatcher) bëri që Kemi Bedenok (Badenoch) ta kujtonte trashëgiminë e saj.


Por, Bedenok (Badenoch) është thjesht udhëheqësja më e fundit konservatore që nuk arrin të shohë atë që është haptas para syve për partinë - dhe gjithashtu për vendin.


Theçëri (Thatcher) nuk është zgjidhja. Në shumë mënyra, ajo është ende problemi.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page