top of page
E BARDHË SHIRIT.png

SI MUND T’I JAPIM FUND MARTESËS SË FËMIJËVE NJËHERË E PËRGJITHMONË?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 1 day ago
  • 4 min read
E martuar që në fëmijëri, Kanadaja, tani drejton garazhin e saj të motoçikletave në Kamboxhia dhe ëndërron të angazhojë gra të tjera të reja.
E martuar që në fëmijëri, Kanadaja, tani drejton garazhin e saj të motoçikletave në Kamboxhia dhe ëndërron të angazhojë gra të tjera të reja.

Nga znj. Rina (Reena) Ghelani.

Uashington, Amerikë | Çdo tre sekonda, një vajzë martohet përpara se të bëhet 18 vjeçe.


Dymbëdhjetë milionë vajza çdo vit martohen në fëmijëri - 12 milionë fëmijëri të ndërprera.


Kjo është ajo që i ndodhi Binitës në Nepal.


E martuar në moshën 13-vjeçare me një burrë 11 vjet më të madh, Binita tha se abuzimi është i zakonshëm në një lidhje si ajo që përjetoi.


Të zhveshura nga autonomia dhe mundësitë, vajzat e martuara kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë nga partneri intim.


Ajo detyrohet të qëndrojë në shtëpi, edhe nëse rrihet apo është e palumtur”, thotë Binita, tani 18 vjeçe.


Si Binita, vajzat në mbarë botën përballen me rreziqe serioze kur martohen në fëmijëri.


Ato detyrohen të kryejnë marrëdhënie seksuale përpara se trupat dhe mendjet e tyre të jenë gati - shpesh pa qasje në kontraceptivë, pa njohuri për trupin dhe të drejtat e tyre, apo pa shërbime të shëndetit riprodhues.


Shpeshherë, martesa e fëmijëve përfundon arsimimin e vajzave - me 87 për qind të adoleshenteve të martuara që janë jashtë shkollës në nivel global.


Kjo kufizon mundësitë e vajzave dhe aftësinë e tyre për të ndërtuar të ardhmen.


Në një kërkim të ri nga Plan International, ne folëm me 250 vajza dhe gra të reja nga e gjithë bota, për të kuptuar çfarë do të thotë të martohesh si fëmijë.


Së bashku, rrëfimet e tyre na ndihmojnë të kuptojmë pse kjo praktikë e dëmshme mbetet kaq e rrënjosur në shumë komunitete.


Shumica e vajzave me të cilat folëm vijnë nga vendet të cilat kanë miratuar ligje kundër martesës së fëmijëve, por - paradoksalisht - përpjekjet për ta bërë të paligjshme martesën e fëmijëve po çojnë gjithnjë e më shumë në formimin e bashkëjetesave joformale.


Këto marrëdhënie të paregjistruara, ku çiftet jetojnë së bashku si bashkëshortë pa njohje ligjore, i lënë vajzat pa mbrojtje, pa të drejta kujdestarie dhe pa qasje në mbështetje në rast abuzimi.


Kërkimi ynë gjithashtu tregon se hapësirat digjitale po ndryshojnë mënyrën se si po ndodh martesa e fëmijëve.


Rrjetet sociale po krijojnë mundësi të reja që të rinjtë të krijojnë lidhje jashtë kontrollit prindëror.


Kjo mund të përjetohet si vetëvendosje për disa vajza, por nën këtë zgjedhje mund të fshihet manipulimi dhe shfrytëzimi - që kalon shpejt nga interneti në jetën reale - nga burra shumë më të mëdhenj në moshë.


Në të njëjtën kohë, dëgjuam histori të jashtëzakonshme force dhe qëndrueshmërie.


Në Kamboxhia, Kanadaja ishte 17 vjeçe kur mësoi se do të martohej. Ajo ishte ende në shkollë, ende një fëmijë, por e ardhmja e saj tashmë ishte vendosur.


Martesa në atë moshë mund të kishte nënkuptuar fundin e arsimit, të pavarësisë dhe të së drejtës për të zgjedhur të ardhmen e vet.


Por, nuk ishte fundi i historisë së saj. Me mbështetjen e Plan International, Kanada u regjistrua në një kurs për riparimin e motoçikletave - e vetmja vajzë në klasë.


Ajo sfidoi stereotipat se kjo punë nuk është për gra, injoroi skeptikët dhe më në fund hapi një garazh.


Sot ajo fiton të ardhurat që ia japin njëfarë pavarësie, ndërsa ëndërron të punësojë gra të tjera. Ajo beson me vendosmëri se vajzat mund të bëjnë të njëjtën punë si djemtë.


Historia e Kanadës na jep një pasqyrë të asaj që bëhet e mundur kur vajzat kanë zgjedhje përtej martesës. Janë të qarta mësimet nga përvoja e saj dhe e vajzave të tjera.


Së pari, duhet të vazhdojmë të sfidojmë besimet e dëmshme që martesa e fëmijëve të pranohet si diçka “normale”.


Në shumë komunitete, ajo justifikohet si një formë mbrojtjeje - e nderit të vajzës, reputacionit të familjes apo sigurisë ekonomike.


Në të vërtetë, është shkelje e të drejtave të saj. Duhet të transformojmë bindjet që i mbajnë vajzat të bllokuara, dhe burrat e djemtë duhet të jenë pjesë e këtij ndryshimi.


Së dyti, vajzat kanë nevojë për alternativa reale.


Mbrojtja më e sigurt ndaj martesës së fëmijëve janë mundësitë.


Të mbash vajzat në shkollë, t’u ofrosh aftësi për punë dhe t’u sigurosh qasje në kujdes shëndetësor dhe kontraceptivë, kjo ndryshon gjithçka - sepse një vajzë me zgjedhje ka shumë më pak gjasa të martohet herët.


Por, edhe vajzat e martuara duhet të dinë të drejtat e tyre dhe mënyrat për të ndërtuar një të ardhme për veten.


Duhet të sigurohemi që çdo vajzë - e martuar apo në rrezik - të ketë qasje në arsim, trajnime, kujdes shëndetësor, kontraceptivë dhe dikë tek i cili mund të drejtohet për ndihmë.


Së treti, ligjet duhet të zbatohen dhe të mbyllen boshllëqet.


Po forcohet gjithnjë e më shumë konsensusi ndërkombëtar që mosha minimale për martesë të jetë 18 vjeçe, si një hap kyç për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve.


Por, boshllëqet ligjore dhe zbatimi i dobët bëjnë që miliona vajza të mbeten të pambrojtura.


Prandaj, martesa e fëmijëve vazhdon në hije.


Bashkëjetesat joformale, edhe pse shpesh të padukshme për ligjin, duhet të njihen si një formë e martesës së fëmijëve dhe të trajtohen me të njëjtin vëmendje për të mbrojtur çdo vajzë në praktikë, jo vetëm në letër.


Garazhi i Kanadës është dëshmi e asaj që është e mundur kur një vajzë ka mundësinë të zgjedhë vetë të ardhmen e saj.


Pyetja tani është: a do të veprojmë me urgjencën që kërkohet, për t’u siguruar që çdo vajzë të ketë të njëjtën liri?


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page