TIRANË: U ARRESTUAN SULEJMAN SINA; KLINTON SINA; IDAJET MASHOLLARI; BAJRAM IBRALIU; NIKOLETA BEGOLLI | RRËMBYEN DHE MBAJTËN PENG NË FSHATIN KAKUNJË EDVAR AGALLIUN PËR 2 MILIONË LEKË TË RINJ.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 5 hours ago
- 2 min read

Rruga “George W. Bush”, Tiranë, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Sulejman Sina.
2- Z. Klinton Sina.
3- Z. Idajet Mashollari.
4- Z. Bajram Ibraliu.
5- Znj. Nikoleta Begolli.
Ata akuzohen se rrëmbyen z. Edvar Agalliu, me moshë 68 vjeç, dhe e mbajtën peng në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë, të Tiranës.
Dorasit telefonuan bashkëshorten e tij dhe i kërkuan 2 000 000 lekë.
Njoftim | Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç.
Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh.
Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A., thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments