PUTINI BËRI NJË GABIM TË TMERRSHËM.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 5 hours ago
- 4 min read

Nga z. Samuel Ramani.
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Dukej se shtyrja e samitit të shumëpritur mes Danlld Trampit (Donald Trump) dhe Vladimir Putinit në Budapest, konfirmonte gjithë frikën e kritikëve.
Të martën, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti shpjegoi se nuk donte një “takim bosh”.
Ai gjithashtu tregoi se Rusia ende nuk ishte e gatshme të ngrinte armiqësitë në Ukrainë përgjatë vijave aktuale të frontit.
Nuk ka shumë dyshime se strategjia e Putinit ka qenë ta mbajë Trampin (Trump) të angazhuar për të fituar kohë.
Si pasojë, pati kritika të ashpra ndaj Shtëpisë së Bardhë, e cila, dukej se besonte - edhe një herë - se përparimi ishte i mundur dhe se Kremlini do të pranonte kompromisin.
Sipas këtij interpretimi, shtyrja e samitit në Budapest ishte një turp i pritshëm të cilin një udhëheqës më i zgjuar do ta kishte parashikuar.
Disa e akuzuan Trampin (Trump) se ishte “manipuluar”.
Vetëm disa ditë më vonë, kjo duket e pabazë.
Ndoshta është e vërtetë që Trampi (Trump) ka qenë shumë i gatshëm për të besuar Putinin, dhe shumë kritik ndaj ukrainasve.
Por, jo vetëm që ShBA-ës po vendos sanksione të reja të rëndësishme ndaj Rusisë, por raportet sugjerojnë se do të heqë edhe kufizimet ndaj përdorimit, nga Ukraina, të raketave me rreze të gjatë (edhe pse kjo e fundit është kundërshtuar nga vetë Trampi).
Kjo i shtohet një tendence më afatgjatë dhe më të qetë veprimi. Pa shumë bujë, ShBA-ës kanë filluar t’i shkaktojë dëme reale makinerisë ushtarake ruse. Trampi (Trump) po e rrit gradualisht presionin mbi Kremlinin.
Një nga shenjat më të qarta, së fundmi, ishte debati për dërgimin e raketave lundruese Tomahok (Tomahawk) në Ukrainë.
Administrata Baidn (Biden) u ngatërrua në lejen që Kievi të godasë Rusinë me raketa me rreze të gjatë, duke qenë qartazi e frikësuar se Moska do të hakmerrej në ndonjë mënyrë përshkallëzuese.
Kjo ndoqi një model të njohur, në të cilin, ShBA-ës duhej të tërhiqeshin në ofrimin e armëve më serioze për Ukrainën. Uashingtoni dukej sikur po ndiqte ritmin e Kremlinit.
Tani, megjithatë, Trampi (Trump) ka thënë hapur se po shqyrton mundësinë t’i ofrojë Ukrainës raketat lundruese Tomahok (Tomahawk).
Ato kanë një rreze goditjeje prej 2500 kilometrash dhe teorikisht mund të mundësojnë sulmin ukrainas ndaj Moskës.
Në takimin e tij me Volodimir Zelenskin, javën e kaluar, u duk se Trampi (Trumpi) e zbuti qëndrimin për idenë e Tomahokëve (Tomahawk).
Por, vetë fakti që ato u vunë në tryezë ndryshoi llogaritë e Putinit.
Uashingtoni ka sinjalizuar se nuk ka më frikë nga kërcënimet e Kremlinit, duke e lënë Putinin të pasigurt.
Presidenti rus mund të zgjedhë të humbasë kohën e Uashingtonit, siç po bën aktualisht, por ai nuk mund të jetë i sigurt se kjo nuk do të rezultojë me furnizimin e Ukrainës me raketat, të cilat, mund të godasin vetë Kremlinin.
Ndoshta vendimi për përdorimin e raketave të tjera me rreze të gjatë do të rezultojë si paralajmërim i hershëm për Putinin për atë që mund të vijë.
Trampi (Trump) në mënyra të tjera po e komplikon situatën për ushtrinë ruse.
Teksa administrata Baidn (Biden) e qortoi privatisht Ukrainën për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, Shtëpia e Bardhë nuk i ka bërë presion Kievit për këtë çështje.
Ky fleksibilitet politik ka lejuar Ukrainën të hakmerret në mënyrë asimetrike kundër agresionit të përditshëm të Rusisë ndaj infrastrukturës civile.
Dhe, që nga samiti i Alaskës, në muajin gusht të vitit 2025, ShBA-ës i kanë dhënë Ukrainës mbështetje të shtuar të inteligjencës për të goditur infrastrukturën energjetike të Rusisë, me disa rezultate spektakolare në fushëbetejë.
Për shembull, në fundjavë Ukraina kreu dy sulme shkatërrimtare me dronë ndaj infrastrukturës energjetike në Orenburg, në rajonin Samara të Rusisë.
Përveç se shkaktuan kaos në një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të gazit në botë, i pari, shkaktoi ndërprerje të mëdha në marrjen e gazit të Rusisë nga Kazakistani.
I dyti goditi rafinerinë e naftës Novokujbishevsk të Rosneft-it, duke dëmtuar njësitë kryesore të rafinimit që përpunojnë miliona tonë naftë në vit.
Rusia me shumë gjasa nuk do të jetë në gjendje të përballojë përgjithmonë ndikimin e këtyre goditjeve.
Ndërsa pajisjet e vjetra tradicionalisht mbajnë joaktive 22 përqind të kapacitetit të rafinimit të naftës së Rusisë, besohet se sulmet me dronë të Ukrainës e kanë rritur këtë në 38 përqind.
Vlerësohet se kjo shtetit rus i kushton dhjetëra milionë dollarë - çdo ditë.
Për më tepër, Rusia është detyruar të ulë eksportet e dizelit ndërsa çmimet e energjisë po rriten në vend.
Momentalisht, Kremlini i injoroi taktikat e presionit të Trampit (Trump) me krekosjen e zakonshme.
Kreu i komitetit të mbrojtjes së Dumës së Rusisë, Andrei Kartapolov, paralajmëroi se nëse Trampi (Trump) jep dritën e gjelbër për transferimin e Tomahokëve (Tomahawk) në Ukrainë, Rusia do të shënjestrojë lëshuesit, duke përfshirë secilin specialist ushtarak amerikan që mund të ndihmojë Kievin t’i përdorë ato.
Zëvendëskryetari ngucakeq i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri (Dmitry) Medvedev, dha paralajmërime të errëta për pasojat e çdo dërgese të Tomahokëve (Tomahawk).
Pas dështimit të samitit të Budapestit, Putini mbikëqyri një test gatishmërie nga forcat strategjike bërthamore të Rusisë.
Edhe pse duket se Kremlini nuk është i shqetësuar, situata ka ndryshuar qartësisht.
Pas titujve kryesorë të përpjekjeve të ndryshme për të arritur një marrëveshje, Rusia tani është nën presion real.
Putini mund të mos e shohë tani propozimin e Trampit (Trump) për armëpushim si të favorshëm, por së shpejti mund të ndodhë të pendohet për kokëfortësinë e tij.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)


















































Comments