top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KUSH DO TA FINANCOJË RINDËRTIMIN E GAZËS?

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Jul 7
  • 5 min read
ree

Nga z. Nevill Tellër (Neville Teller)*.

Uashington, Amerikë | Më 4 mars, Egjipti paraqiti një plan të detajuar dhe të kushtueshëm për rindërtimin, zhvillimin dhe administrimin e Gazës së pasluftës në një takim të Lidhjes Arabe.


Ai u miratua unanimisht dhe tani është politikë e Lidhjes Arabe.


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili, ishte i pranishëm në takim, e mbështeti fuqimisht planin egjiptian dhe premtoi bashkëpunimin e plotë të OKB-së në zbatimin e tij.


Presidenti i Bashkimit Afrikan, Joao Lourenco, mori pjesë gjithashtu në samitin e Kajros dhe i dha planit mbështetjen e tij të qartë, me një angazhim për të ndihmuar në realizimin e tij.


Që atëherë, ai është mbështetur nga BE-ja. Deklaratat nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta (Costa), konfirmojnë se BE-ja e sheh planin si një bazë serioze për diskutime mbi të ardhmen e Gazës.


Ata kanë ofruar mbështetje konkrete nga të 27 vendet anëtare. Përveç kësaj, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë mbështetur atë veçmas.


Iniciativa egjiptiane adreson si nevojat e menjëhershme humanitare ashtu edhe qeverisjen dhe rindërtimin afatgjatë të Gazës.


Ajo parashikon një proces trefazor:

1- Së pari, veprime të menjëhershme humanitare.

2- Pastaj një përpjekje shumëvjeçare për rindërtim.

3- Dhe së fundmi krijimin e një strukture të re qeverisëse për Gazën.


Faza e parë është planifikuar të përfundojë brenda rreth gjashtë muajsh; reformat e rindërtimit dhe qeverisjes vlerësohet të zgjasin rreth katër deri në pesë vjet të tjerë.


Plani përjashton në mënyrë të qartë Hamasin nga çdo përfshirje në qeverisjen e ardhshme të Gazës.


Ai gjithashtu i ndalon Autoritetit Palestinez kontrollin e drejtpërdrejtë administrativ, por parashikon një këshill të tipit ombrellë të përbërë nga teknokratë palestinezë, që vepron nën kujdesin e Autoritetit Palestinez, por i mbështetur nga një Mision Ndërkombëtar i Ndihmës për Qeverisje.


Përveç kësaj, për të ruajtur sigurinë gjatë tranzicionit, ai propozon krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi që do të drejtohet nga shtetet arabe.

 

KOSTOJA E RINDËRTIMIT TË GAZËS ËSHTË ASTRONOMIKE.


Është e qartë se kostoja e rindërtimit të qyteteve dhe qytezave të Gazës dhe infrastrukturës së tyre do të jetë astronomike.


Plani trefazor i Egjiptit e vlerëson atë në 53 miliardë dollarë, që do të shpenzohen gjatë pesë viteve.


Për gjashtë muajt e parë të ndihmës humanitare, programi i rindërtimit ka një çmim prej 3 miliardë dollarësh.


Faza e dytë, e cila do të përfshijë rindërtimin e infrastrukturës, siç janë rrugët dhe shërbimet, dhe ndërtimin e 200000 njësive të përhershme të banimit, do të kushtojë rreth 20 miliardë paund.


Faza përfundimtare, që zgjat dy vjet e gjysmë dhe kushton 30 miliardë dollarë, synon të përfundojë infrastrukturën, të ndërtojë 200000 njësi të tjera banimi dhe të zhvillojë zona industriale, porte dhe një aeroport.


Për të financuar këtë plan prej 53 miliardë dollarësh, Egjipti propozon krijimin e një fondi besimi të mbikëqyrur ndërkombëtarisht për të marrë, kanalizuar dhe menaxhuar mbështetje financiare nga një gamë e gjerë donatorësh ndërkombëtarë.


Ai kërkon konkretisht përfshirjen e Bankës Botërore: “Do të krijohet një fond besimi i mbikëqyrur nga Banka Botërore për të marrë premtime për të zbatuar planin e hershëm të rimëkëmbjes dhe rindërtimit”.


Plani propozon që Egjipti të organizojë një konferencë ndërkombëtare, në bashkëpunim me OKB-në, për të koordinuar kontributet e donatorëve, me Bankën Botërore që do të ofrojë mbikëqyrje për të siguruar transparencë dhe menaxhim efektiv të fondeve.


Banka Botërore ka një prani të gjatë në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, ku ka menaxhuar fonde të ngjashme besimi dhe është koordinuar me donatorët ndërkombëtarë për projekte zhvillimi dhe rindërtimi.


Detyra e rindërtimit të Gazës është e jashtëzakonshme dhe 53 miliardë dollarë janë një shumë e madhe parash.


Donatorët që ka të ngjarë të financojnë planin e Egjiptit përfshijnë një përzierje aktorësh ndërkombëtarë dhe rajonalë.


Vendet e pasura me naftë si Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit si Emiratet e Bashkuara Arabe kanë xhepa të thellë dhe një histori shpenzimesh rajonale, përfshirë edhe në Gaza.


Me një interes në frenimin e ndikimit iranian dhe stabilizimin e rajonit, ata pritet të jenë kontribuesit kryesorë, potencialisht pritet të ofrojnë të paktën 20 miliardë dollarë fillimisht.


Një numër i tyre kanë treguar se kushti i tyre i vetëm është që Hamasi, me lidhjet e tij me Vëllazërinë Myslimane dhe Iranin, të mos ketë asnjë rol në rindërtimin dhe qeverisjen e ardhshme të Gazës.


Plani egjiptian parashikon mobilizimin e burimeve të ndryshme të ndihmës dhe investimeve ndërkombëtare, kështu që organizata si OKB-ja dhe institucionet financiare globale, përfshirë Bankën Botërore dhe BE-në, pritet të ofrojnë mbështetje financiare.


Agjencitë e zhvillimit, fondet e investimeve dhe bankat e zhvillimit nga vende të ndryshme do të jenë gjithashtu në shënjestër.


Egjipti është një aleat strategjik i ShBA-ës, i mbështetur tashmë me mbi 1 miliard dollarë në vit, kështu që nuk është e pamundur të parashikohet ndihma e ShBA-ës në programin e rindërtimit.


Uashingtoni është i interesuar në stabilitetin rajonal, luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e përhapjes së refugjatëve në rajone të tjera.


Mbështetja mund të ofrohet ose nëpërmjet furnizuesve të specializuar në ndërtim dhe infrastrukturë të kontraktuar nga administrata, ose nëpërmjet donacioneve të drejtpërdrejta financiare të ofruara nën maskën e ndihmës humanitare - një lloj iniciative e stilit të Planit Marshall pas konfliktit.

 

KINA KA LIDHJE TË NGUSHTA ME EGJIPTIN.


Një tjetër donator i mundshëm i madh është Kina. Kina dhe Egjipti janë tashmë të lidhur ngushtë, pasi firmat kineze janë të përfshira në ndërtimin e kryeqytetit të ri administrativ të Egjiptit dhe në zhvillimin e një zone të madhe industriale në rajonin e Kanalit të Suezit.


Kina mund t'i përgjigjet pozitivisht një kërkese nga Egjipti për të ndihmuar në realizimin e planit të rindërtimit të Gazës, ndoshta duke e konsideruar atë si një mundësi për të forcuar pozicionin e saj strategjik në Lindjen e Mesme.


Kina tashmë po investon shumë në rajon përmes iniciativës së saj “Një brez, një rrugë”, si dhe me investime strategjike, partneritete tregtare, zhvillim të infrastrukturës dhe angazhim diplomatik.


Duke gëzuar një pozicion relativisht neutral në konfliktin Izrael-Palestinë, Kina është në një partneritet formal strategjik me Arabinë Saudite dhe ka lidhje të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat, janë një qendër kyçe e rieksportit për mallrat kineze në rajon dhe Afrikë.


Firmat kineze janë gjithashtu të përfshira në rindërtimin e infrastrukturës pas luftës në Irak, dhe Kina ka investuar shumë në projekte infrastrukturore dhe të energjisë së rinovueshme në Turqi, Jordani dhe Liban.


Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Egjiptit po përgatit në mënyrë aktive një konferencë të madhe donatorësh që synon sigurimin e angazhimeve të kërkuara financiare.


Plani i Egjiptit kërkon në mënyrë të qartë pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare, duke përfshirë shtetet arabe, BE-në, Kinën, ShBA-ës dhe aktorë të tjerë globalë.


Mund të ngrihen vetullat nga ideja që ShBA-ës dhe Kina të ulen së bashku për të diskutuar financimin e rindërtimit të Gazës, por në fakt të dyja kanë marrë pjesë në procese të ngjashme shumëpalëshe donatore në të kaluarën, edhe kur marrëdhëniet e tyre më të gjera ishin të tensionuara.


Shembuj janë konferenca e Fondit Global të vitit 2019 dhe konferenca e Donatorëve Ndërkombëtarë “Së bashku për Popujt në Turqi dhe Siri” në vitin 2023.


Urgjenca e krizës humanitare të Gazës dhe nevoja për legjitimitet të gjerë ndërkombëtar e bëjnë pjesëmarrjen e tyre të mundshme.


Të dyja do të prisnin të përfitonin nga kontrata me vlerë miliona dollarë për të ndërtuar ose rindërtuar elementë të një Gaze të restauruar.


Por edhe kështu, drejtorët e programit mund të duhet të kërkojnë më tej për të gjetur firma të specializuara për të ndërmarrë elementë të operacioneve të gjera të ndërtimit dhe infrastrukturës së kërkuara.


Kur të shpallen tenderët për këto kontrata fitimprurëse, konkurrenca do të jetë e ashpër.


Sa i përket konferencës së donatorëve, ajo ka pritur përfundimin e armiqësive në rajon. Duke pasur parasysh klimën aktuale politike, ajo mund të mblidhet së shpejti.


*Shkrimtari është korrespondent për Lindjen e Mesme për “Eurasia Review”. Libri i tij i fundit është “Trump dhe Toka e Shenjtë: 2016-2020”.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page