URREJTJA NDAJ HEBRENJVE NUK NJEH KUFIJ | IZRAELI ËSHTË GJITHÇKA QË REGJIMI IRANIAN URREN.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 25
- 3 min read

Nga z. Ohad Tal.
Jerzualem, Izrael | Një mijë milje e ndajnë Izraelin nga Irani. I pari është një demokraci e vogël me 10 milionë banorë; i dyti është një teokraci e gjerë, afërsisht 75 herë më e madhe se Izraeli, me një popullsi gati nëntë herë më të madhe.
Irani është rreth 2.5 herë më i madh se Teksasi, ndërsa Izraeli është afërsisht sa madhësia e Xhersit të Ri (New Jersey).
Nuk ka konflikt territorial midis dy kombeve. Asnjë konkurrencë për burimet natyrore. Asnjë mosmarrëveshje tregtare. Irani dhe Izraeli as nuk kanë një kufi të përbashkët. Atëherë, pse po lufton Izraeli kundër Iranit?
IRANI KA PLANIFIKUAR TA ZHDUKË IZRAELIN PËR DEKADA TË TËRA.
Për dekada të tëra, Irani ka zhvilluar një luftë rraskapitëse kundër shtetit hebre dhe aleatëve të tij - jo përmes ushtrive konvencionale, por përmes organizatave terroriste që trajnon, financon dhe armatos.
Nga Hezbollahu në Liban te Hamasi dhe Xhihadi Islamik në Gaza, dhe së fundmi në Siri, Irak dhe Jemen, Irani ka krijuar një rrjet rajonal milicish të përkushtuara për shkatërrimin e Izraelit.
Këta përfaqësues kërcënojnë kufijtë e Izraelit dhe shënjestrojnë civilët izraelitë, lëshojnë raketa në qytete, gërmojnë tunele terrori dhe sulmojnë hebrenjtë - duke përfshirë edhe 7 tetorin 2023.
Së dyti, përpjekja e Iranit për të pasur raketa balistike ndërkontinentale dhe armë bërthamore e bën kërcënimin e tij global, jo lokal - siç e kupton Presidenti i ShBA-ës Danlld Tramp (Donald Trump).
Asnjë vend tjetër nuk e deklaron hapur dëshirën e tij për të fshirë një vend tjetër nga harta ndërkohë që ndërton në mënyrë aktive armët për ta bërë këtë.
Ambiciet bërthamore të Iranit nuk janë vetëm një shqetësim për Izraelin - ato rrezikojnë stabilitetin e të gjithë Lindjes së Mesme dhe, përfundimisht, të botës së lirë.
Arsenali i tyre aktual i raketave tashmë mund të arrijë pjesën më të madhe të Evropës. Ata po punojnë në teknologji që së shpejti do të jetë në gjendje të godasë brigjet amerikane.
Por kjo nuk është thjesht një përballje ushtarake. Në thelb, kjo është një luftë qytetërimi, një përplasje morale dhe shpirtërore midis dy botëkuptimeve të kundërta.
Dhe ndoshta kjo është gjithashtu një arsye kryesore për ndërhyrjen e Trampit (Trump).
Ajatollahët e Iranit përfaqësojnë impulset më të këqija të njerëzimit: një regjim shtypës që torturon disidentët, vret gratë për heqjen e shamisë, financon terrorizmin, eksporton xhihadin dhe glorifikon vdekjen.
Është një qeveri që përçmon lirinë dhe demokracinë - një pakicë shiite që synon të shpërbëjë shumicën sunite, të dominojë të gjithë botën myslimane dhe të eliminojë të gjithë ata që refuzojnë t'i nënshtrohen ideologjisë së saj.
Mbi të gjitha, ajo ushqen një urrejtje të thellë dhe të qëndrueshme për shtetin hebraik.
Izraeli, në të kundërt, është gjithçka që regjimi iranian urren. Një shoqëri e lirë, e gjallë dhe inovative. Një mrekulli moderne që u ngrit nga hiri i Holokaustit. Një fener jete në një rajon që shumë shpesh përcaktohet nga vdekja.
Izraeli feston lirinë, kreativitetin, progresin dhe paqen. Ai është thellësisht i rrënjosur në besimin e lashtë dhe i ndërtuar mbi vlera të përjetshme. Dhe është i vendosur të mbrojë veten.
Ky është Davidi kundër Goliathit, në madhësi dhe në substancë. Në këtë betejë, Izraeli përfaqëson vetë idenë e qytetërimit kundër barbarizmit, të jetës mbi vdekjen dhe të së vërtetës mbi tiraninë.
LUFTA E IRANIT KUNDËR IZRAELIT KA TË BËJË ME URREJTJEN.
Lufta e Iranit kundër shtetit hebre nuk ka të bëjë me kufij; ka të bëjë me urrejtje pa kufij.
Është e njëjta urrejtje e lashtë që i ka ndjekur hebrenjtë nga një kontinent në tjetrin, shekull pas shekulli, duke veshur uniforma të ndryshme dhe duke folur gjuhë të ndryshme, por duke predikuar gjithmonë të njëjtin ungjill të errët.
Sot, ajo urrejtje vesh një çallmë të zezë në Teheran. E megjithatë, Izraeli do të triumfojë.
Populli hebre ka parë faraonë dhe romakë, inkuizitorë dhe nazistë, pogrome dhe raketa.
Ne jemi ende këtu. Ne nuk kërkojmë luftë, por nuk do t'i ikim asaj. Ne do të luftojmë për popullin tonë, tokën tonë dhe vlerat tona.
Për hir të fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e botës së lirë, ne duhet të sigurohemi që këtë herë - si në çdo brez - forcat e së keqes të mposhten dhe drita të triumfojë mbi errësirën.
Shkruesi i këtij artikulli është deputet nga Partia Fetare Sioniste dhe anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Knessetit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments