KUJDES SEPSE RUSËT E KUPTOJNË NDRYSHE PAQEN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 6 hours ago
- 14 min read

Nga z. Xheims Kërçik (James Kirchik).
Londër, Mbretëria e Bashkuar | Në periudhën e Luftës së Ftohtë kishte një rregull të mirë bazë.
Kur një organizatë kishte në emërtimin e saj fjalën “Paqe” kjo do të thoshte se ajo ishte një organ ose grup organesh të Bashkimit Sovjetik.
Fillimet e kësaj dukurie janë në “Kongresin Botëror të Intelektualëve për Mbrojtjen e Paqes” i mbledhur në vitin 1948 në Breslau, të Polonisë.
Kjo veprimtari masive e sponsorizuar nga Bashkimi Sovjetik dhe regjimi i tij marionetë në Poloni u zhvillua vetëm dy muaj pas vendosjes së bllokadës sovjetike mbi Berlinin Perëndimor, e cila, vazhdoi gati një vit (qershor 1948 - maj 1949).
Ndër emrat e shquar të të huajve perëndimorë të pranishëm në atë takim ishin kritiku kulturor francez Zhulien (Julien) Benda, dramaturgu gjerman Bertolt Brekt (Brecht) dhe shkrimtari amerikan Hauard (Howard) Fast.
Folësit lavdëruan Bashkimin Sovjektik dhe forca të tjera progresive si kampionë të paqes, ndërsa shtetet perëndimore u etiketuan si luftënxitës.
Ndërkohë, në vitin 1949, viti i parë i provave bërthamore sovjetike, në Paris u mblodh “Komiteti Botëror i Luftëtarëve të Paqes”; ndërsa në Hotel “Waldorf-Astoria” në Jorkun e Ri, bastion i proletariatit siç thuhej atëherë me ironi, u zhvillua “Konferenca e Kulturës dhe e Shkencës për Paqe Botërore”.
“Atdheu ynë është për paqen dhe miqësinë mes popujve”, deklaroi Aleksandër (Alexander) Fadejev, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Sovjetikë - një besim ky që i kundërvihej veprimeve të dhunshme nëpërmjet të cilave Bashkimi Sovjetik betononte sundimin e saj mbi Evropën Qendrore dhe Lindore.
Duke e reklamuar veten si partizanë të paqes sovjetikët dhe simpatizantët e tyre në Perëndim, krijuan një diktonomi cinike, sipas të cilës, kushdo që i kundërshtonte ata, në mënyrë indirekte favorizonte luftën.
Në fund të fundit, cili njeri, cili vend mund të kundërshtonte diçka fisnike si paqja?
Mirëpo, ky krim gjuhësor shfrytëzohej për të fshehur krime shumë më të prekshme dhe më të rënda, mbasi kur sovjetikët promovonin me të madhe dashurinë e tyre për paqen, ata ushtronin dhunë ose kërcënime për pushtim territoresh dhe nënshtrimin e popujve.
Sot, Rusia po ecën sipas të njëjtit model dhe bën propozime për paqe, të cilat janë të ngjashme me kërkesat e njëanshme që Putini bënte përpara agresionit kundër Ukrainës.
E, megjithatë, Qeveria e presidentit Tramp (Trump) i përdor ato si pikënisje ujdish dhe duke i bërë presion Ukrainës që ta pranojë atë paqe.
Në këtë kontekst, na vjen në ndihmë historiku i përpjekjeve të mëparshme të Moskës për “Paqe”.
Asnjë organizatë tjetër në Bashkimin Sovjetik nuk ka qenë aq e shquar sa “Këshilli Botëror i Paqes” i krijuar në Paris (World Peace Council - WPC).
Nisma më spektakolare e WPC-së ishte “Apeli i Stokholmit” ku kërkohej ndalimi i përdorimit të armëve atomike.
Sipas pohimeve të ndryshme, atë apel e nënshkruan 600 milionë vetë në gjithë botën dhe me siguri të gjithë të rriturit në Bashkimin Sovjetik.
Franca e përzuri WPC-në qysh në vitin 1951 me arsyetimin se ajo nismë ishte ndërmarrë nga një fuqi e huaj komuniste.
Atëherë ai grup u fut në zonën sovjetike të Vjenës, ku ministri i Brendshëm austriak i akuzoi se e gjithë kjo nuk ka të bëjë me paqen.
Kur edhe atje ata u bënë të padëshirueshëm, ata shkuan në Finlandën asnjanëse ku WPC-ja qëndroi deri në përfundimin e konfliktit Lindje-Perëndim.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, lufta më shkatërrimtare e njerëzimit, miliona njerëz ishin të gatshëm t’i bashkoheshin kryqëzatës sovjetike për paqe.
Gjatë gjithë viteve 1950-1960, në të gjithë botën lindën organizata, të cilat, nën flamurin e paqes artikulonin fraza të njëjta mbi paqen si edhe WPC-ja.
Ato i quanin manovrat e NATO-s si luftënxitëse, ndërkohë që me retorika justifikonin dhe mbronin invazionet sovjetike kundër shteteve sovrane si garanci për paqe.
Në ShBA-ës funksiononin “Liga Amerikane për Paqe dhe Demokraci”, “Kryqëzata Amerikane e Paqes”, “Mobilizimi Amerikan për Paqe”, “Komiteti Kombëtar për Fitoren e Paqes” dhe dhjetëra organizata të tjera paqebërëse në një linjë, e cila, nuk kishte asnjë dallim nga ajo vija e MPJ-së sovjetike.
Shumë nga pjesëmarrësit atje ishin komunistë dhe simpatizantë, edhe pse shumë prej tyre kishin qëllime të mira ose ishin idealistë që besonin lehtë gjithçka.
Atyre që tregonin me gisht hipokrizinë e një perandorie të ndërtuar dhe të sunduar nëpërmjet përdorimit të forcës brutale ushtarake, duke deklaruar pa fund dëshirën e saj për paqe sovjetikët dhe aleatët e tyre në Perëndim e kishin në majë të gjuhës përgjigjen për ta.
“Një nga mësimet bazë të marksizmit është se kapitalizmi çon detyrimisht në imperializëm dhe në luftë. Ndaj dhe mposhtja e kapitalizmit është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”.
Mbështetja për lëvizjet e armatosura revolucionare në vendet jo komuniste (siç bënë sovjetikët në Nikaragua deri në Angolë) apo invazioni në vendet komuniste që donin të devijonin (si në Çeki dhe në Hungari), nuk janë gjë tjetër veçse një mjet për të vendosur në mënyrë parandaluese paqen (këtë e quajnë ndryshe edhe luftë preventive).
Një gazetë komuniste hungareze e përshkruante kështu këtë fakt: “Brenda lëvizjes së paqes, ne nuk mund të lejojmë asnjë shenjë pacifizimi të dëmshëm”.
Në vitin 1954, Ministria Sovjetike e Mbrojtjes jepte të njëjtin argument se: “Kur luftojnë për paqen, komunistët nuk janë pacifistë dhe nuk kufizohen vetëm te paqja dhe te propaganda paqësore. Ata përfaqësojnë idenë se për shmangien e një lufte duhet doemos të shkatërrohet imperializmi. Qëndrimet borgjeze pacifike ndaj luftës, duke theksuar tmerret e luftës dhe urrejtjen ndaj të gjitha luftërave janë të huaja për ta. Komunistët janë kundër luftërave imperialiste, mbasi ato janë luftëra kundër revolucionare, por ata janë në favor të luftërave çlirimtare, antiimperialiste dhe revolucionare”.
Një hipokrizi e tillë e hapur është e njohur për të gjithë për ata që e kanë lexuar romanin distopik të Oruellit (Orwell), “1984”, ku fjalia “Lufta është baras me paqen” simbolizon një shembull paradigmatik të të folurit të dyfishtë totalitar.
Komunistët dhe simpatizantët kishin divizën e tyre: “Çdo veprim ushtarak i Bashkimit Sovjetik quhej antiimperialist, ndërsa çdo akt ushtarak i vendeve perëndimore gjykohej si imperialist”.
Vetëmohimi i kërkuar për të bërë një gjimnastikë të tillë mendore shpjegon si Bashkimi Sovjetik dhe mbështetësit e tij rrëshqitën me lehtësi duke e cilësuar Gjermaninë naziste si fontanën e fashizmit, por duke nënshkruar Traktatin e mossulmimit me Berlinin dhe tre vite më vonë me luftën kundër tij.
Nuk është rastësi që Ofensiva për “Paqe” në vitet e para të Luftës së Ftohtë filloi kur Bashkimi Sovjetik nuk kishte ende potencial kërcënimi bërthamor.
Vala tjetër e madhe e “Paqes” ndodhi në fillim të viteve 19680, kur presidenti Ronald Reagan u shpreh për përmbysjen e komunizmit dhe ndërprerjen e bashkekzistencës paqësore me të.
Fushëbeteja u bë Evropa Perëndimore, ku pati debate të ashpra mbi planin për stacionimin e raketave me rreze të mesme veprimi “Pershing 2” në përgjigje të vendosjes së raketave ruse “SS 20”.
Gazeta “New Jork Times” në vitin 1983 njoftonte me titull të madh se qeveritë e Danimarkës dhe të Zvicrës arritën të zbulonin sovjetikë të veshur me petkun e diplomatit, por, të cilët, ishin oficerë të KGB-së që bënë përpjekje për t’u infiltruar në Grupet në Perëndim që ishin kundër stacionimit të raketave “Pershing”.
Debati më i ashpër ndodhi në Gjermaninë Perëndimore, ku Partia e Gjelbër akuzoi komunistët se kishin sabotuar përpjekjet për organizimin e një demonstrate të madhe kundër Reaganit dhe NATO-s gjatë Samitit të kësaj të fundit në Bon.
Frytet e këtij infiltrimi u panë edhe në rezolutën e kësaj ngjarjeje. Ajo dënonte politikën e jashtme amerikane, por heshte për agresionin sovjetik kundër Afganistanit dhe vendosjen e Ligjit të Luftës në Poloni gjatë sundimit të Juntës Ushtarake atje, përfaqësuesi i të cilës u shfaq edhe në një konferencë të “Këshillit Botëror të Paqes”.
Politika e jashtme e heshtur sovjetike u shfaq edhe në parrullën e lëvizjes së paqes kundër raketave “Pershing”; “Jo më raketa të reja në Evropë”.
Ky shfrytëzim i përpjekjeve njerëzore për paqe që ka vijuar për dekada të tëra tregon se sa shumë ndryshon kuptimi i fjalës paqe.
Në shoqëritë e lira kuptimi i saj është i qartë: “Jo luftë. Por, për burrat në Kremlin, Paqja është koncept subjektiv që i përfshin të gjitha qëllimet e saj, për aq kohë sa aty nuk përmendet fjala dhunë”.
Disidenti sovjetik, Vladimir Bukovski, në vitin 1982 shkruante se: “Ndoshta ideologët bolshevikë kanë qenë të vetëdijshëm qysh në fillim se sa armë e fuqishme është tundimi nga paqja - se sa lehtë mund të besojnë njerëzit dhe sa iracionalë mund të bëhen, për aq kohë sa te ata krijohet qoftë edhe shpresa më e vogël se paqja është afër”.
Lufta e Ftohtë tani mund të konsiderohet vërtet e kaluar, por zhvillimet më të fundit tregojnë se besimi me lehtësi dhe irracionaliteti ndaj iluzionit rus ka vazhduar të përhapet më tej.
Kështu, presidenti Danlld Tramp (Donald Trump) e quajti veten “President i Paqes” dhe qeveria e tij menjëherë ndërmori dy hapa për ta formalizuar këtë vetëvlerësim.
Fillimisht, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Instituti amerikan për Paqe do të quhet “Donald J. Trump Institute of Peace”, duke vlerësuar kësisoj “Ujdibërësin më të madh në historinë e kombit tonë”.
Edhe më domethënëse ishte botimi i strategjisë së re amerikane. Ajo thekson meritat e mëdha të Danlld Trampit (Donald Trump) si paqebërës, por, ndërkohë, kuptimi i saj mbi “Paqen” është shqetësues, mbasi ngjason shumë me konceptin rus mbi paqen.
Në radhë të parë, në Strategjinë e re amerikane, Rusia nuk konsiderohet më si kërcënim.
Një kontrast i madh ky me këndvështrimin e vetë Trampit (Trump) gjatë presidencës së tij të parë, ku në strategjinë e atëhershme të sigurisë kombëtare 2017 shkruhej Rusia po kërkon të formojë një botë në kundërshtim me vlerat dhe interesat amerikane, me synimin të dobësojë ndikimin amerikan në botë dhe të na ndajë nga aleatët dhe partnerët tanë; ajo kërkon të varrosë fuqinë, ndikimin, interesat, sigurinë dhe mirëqenien amerikane.
Strategjia Kombëtare e Sigurisë 2017 e akuzonte Rusinë për programin e saj të armatimit, e cila, synonte të minonte legjitimitetin e demokracive dhe për këtë qëllim Rusia do të ndërmarrë masa subversive për të dobësuar besueshmërinë dhe angazhimin amerikan për Evropën, të minojnë unitetin transatlantik dhe të dobësojnë institucionet dhe regjimet evropiane.
Ndërsa, në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, administrata e presidentit Tramp (Trump) bën thirrje për t’i dhënë fund perceptimit dhe realitetit për NATO-n si një aleancë përherë në zgjerim, duke i dhënë kështu fund 35 vjetëve të mbështetjes dypartiake amerikane për zgjerimin e Aleancës Atlantike me vende demokratike evropiane, të cilat, plotësojnë kriteret e anëtarësimit.
Gjithashtu, administrata amerikane fajëson aleatët tanë demokratikë më shumë sesa shtetin agresor për mungesën e paqes në Ukrainë.
“Sigurisht që një pjesë e madhe e shumicës evropiane duan paqe”, thotë dokumenti.
Mirëpo, problemi tani shtrohet se për çfarë lloj paqeje bëhet fjalë?
Sepse një sondazh i zhvilluar në fillim të muajit dhjetor nga një revistë franceze zbuloi se 80 përqind e evropianëve nuk besojnë se Rusia kërkon me të vërtetë paqe; 61 përqind duan që vendet e tyre të vijojnë dhe të shtojnë mbështetjen ndaj Ukrainës.
Nga ana e tyre, liderët evropianë shprehen me një kuptim më të sofistikuar të fjalës “Paqe”, duke argumentuar se çdo ujdi për një paqe që nuk përfshin garancitë e sigurimit për Ukrainën do të ishte thjesht një pauzë për frymëmarrje derisa Putini ta ndjejë veten të përgatitur për të sulmuar sërish.
Të gjitha këto ngjarje përbëjnë një sfond të rëndësishëm për të kuptuar zinxhirin e ngjarjeve që janë zhvilluar muajt e kaluar, duke përfshirë edhe propozimin më të fundit të Administratës amerikane për “Planin e Paqes” për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Më 20 nëntor të vitit të kaluar në media rrodhi informacioni mbi këtë plan me 28 Pika.
I përgatitur me kujdes nga Stiv Uitkof (Steve Witkoff), një zhvillues i pasurive të patundshme në Jorkun e Ri dhe president i klubeve të golfit me inpute nga shefi i tij emëror, sekretari i Shtetit, Marko (Marco) Rubio, dhe dhëndëri i presidentit, Xherëd Kashnër (Jared Kushner), ky propozim pranonte kërkesat kryesore ruse dhe shkelte shumë vija të kuqe ukrainase.
Në këmbim të përfundimit të armiqësive midis tyre, kjo marrëveshje do t’i jepte Rusisë më shumë territor se sa ka pushtuar; zyrtarisht do ta ndalonte Ukrainën të hynte ndonjëherë në NATO; do të vendoste një tavan në madhësinë e ushtrisë së saj; do të parandalonte ushtarë nga vendet e NATO-s të stacionoheshin në tokën ukrainase; do të zhbllokonte miliarda euro të aseteve ruse të depozituara në bankat perëndimore; dhe, kryesorja, do të hiqte sanksionet ekonomike ndaj Moskës të vendosura qysh në vitin 2014 pas aneksimit prej saj të Krimesë.
Në këmbim për të gjitha këto të mira nga Rusia, Ukraina do të kishte disa garanci të paqarta sigurie që nuk ishin më shumë se një e rënë në shpatulla.
Përshtypja se Uitkofi (Witkoffit) kishte rënë viktimë e kuptimit rus të fjalës “Paqe” u përforcua nga një telefonatë e tij më 14 tetor me homologun rus, e cila, rrodhi e zbardhur te “Bloomberg” në nëntor të vitit të kaluar.
Uitkofi (Witkoffi) i kishte thënë Juri (Yuri) Ushakovit (këshilltari më i lartë i Putinit për politikën e jashtme) se Federata Ruse ka dashur gjithmonë një plan paqeje, diçka e çuditshme ta thuash për një vend që në mënyrë të paprovokuar ka sulmuar ushtarakisht fqinjin e tij 11 vjet më parë.
“Unë e besoj këtë. I tregova edhe presidentit që e besoj atë”. Uitkofi (Witkoff) i kishte sugjeruar Ushakovit që Putini ta telefononte Trampin (Trump) përpara se ky i fundit të takonte presidentin Zelenski më 17 Tetor.
Ushakovi e zbatoi sugjerimin e Uitkofit (Witkoff) dhe më 16 Tetor Trampi (Trump) foli mbi dy orë në telefon me Putinin.
Të nesërmen, Trampi (Trump) refuzoi t’i dërgonte Ukrainës raketat e fuqishme “Tomahawk” që ai kishte lënë të kuptonte se do t’ia dërgonte disa ditë më parë dhe i bëri presion Zelenskit që t’i dorëzonte tokat që rusët aktualisht nuk i kanë nën kontroll.
Dy ditë pas rrjedhjes se transkriptit të telefonatës së Uitkofit (Witkoff), Putini e mbrojti atë nga akuzat si pro-rus, duke thënë se Uitkofi (Witkoff) është njeri inteligjent.
Mirëpo, ashtu si “Paqe” edhe fjala “Inteligjent” në rusisht ka kuptim të ndryshëm.
Rusët kanë kohë që i konsiderojnë afaristët amerikanë të tipit Uitkof (Witkoff) si objektiva të lehtë.
Pavarësisht të gjitha sulmeve të tyre kundër të këqijave të kapitalizmit, shpesh liderët sovjetikë janë rreshtuar në një vijë me afaristët perëndimorë, duke kundërshtuar kryesisht gjithçka që pengon tregtinë Lindje-Perëndim.
Në fakt, AFL-CIO (Federata Amerikane e Punës dhe Kongresi i Organizatave Industriale) ka kontribuar shumë më tepër për të përmbysur komunizmin në Evropën Lindore se sa “Fortune 500”.
Afërsia ndërmjet kapitalizmit shtetëror dhe Kremlinit u bë edhe më e theksuar pas shembjes së komunizmit, kur Rusia u kthye në një sindikatë kriminale, duke u hequr si ekonomi kombëtare.
Putini e di mirë se afaristët nuk njihen për merakun e tyre mbi moralin, mbasi fitimi i parave për ta ka epërsi mbi koncepte të tilla abstrakte si paqja.
Ndaj, edhe Kremlini i drejtohet mentalitetit të administratës së presidentit Tramp (Trump), e cila, ngjason me mentalitetin e bordit të një korporate, duke evidentuar përfitimet ekonomike që do të kenë ShBA-ës (dhe afaristët, sidomos), nëse konflikti do të përfundojë sipas kushteve ruse.
Mirëpo, suksesi për çdo lloj ujdie kërkon domosdoshmërisht heqjen e sanksioneve ruse.
Në zbatim të këtij objektivi, Uitkofi (Witkoffi) i ka anashkaluar kanalet normale diplomatike, shpesh duke refuzuar të bashkërendohet me aleatët evropianë.
Kjo pasi, sipas tij, përdorimi i metodave të sigurta është e bezdisshëm për të. Ishte pikërisht kjo pakujdesia e treguar me sigurinë operacionale që shkaktoi interceptimin dhe rrjedhjen e telefonatës së tij me Ushakovin.
Ndryshe nga teoria e paqes demokratike, pohimi i vërtetë empirik se demokracitë nuk shkojnë në luftë kundër njëra-tjetrës si edhe nocioni se vendet që bëjnë tregti nuk luftojnë kundër njeri-tjetrit është një ide e vjetër absurde, e cila empirikisht nuk është e vërtetë.
Ajo është pjesë e besimit amerikan (dhe më shumë e republikanëve) se vendi qeveriset më mirë si biznes, një broçkull që shkon deri te obsesioni për fitime e Trampit (Trumpit) në vitet 1980 kur ai premtonte në fushatat presidenciale të Ross Perotit, Stiv (Steve) Forbesit, Herman Kainit (Cain) dhe Karli (Carly) Fiorinas se mund t’i jepte fund me një dorë Luftës së Ftohtë brenda një ore.
Ashtu si tradita e politikës së jashtme realiste prej nga ajo vjen, edhe ky këndvështrim teknokratik i një mendjeje të vetme racionaliste nuk ka vend për moral ose ideologji në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe as për t’u joshur nga mundësia që kur Putini të ligjërojë pafund mbi pandashmërinë e popujve të Rusisë dhe Ukrainës, ai ka seriozisht dhe është gati të sakrifikojë qindra mijra të rinj për ta realizuar atë ide.
Ashtu siç ndodh edhe në një ekip me afaristë kokëfortë të cilët rrahin gjoksin për aftësitë e tyre të forta negociuese, Trampi (Trump), Uitkofi (Witkoff) dhe Kashnëri (Kushner) po ushtrojnë trysni në mënyrë aspak proporcionale mbi viktimën e konfliktit, ndërkohë që po e lejojnë agresorin ta kalojë lumin pa u lagur.
Në rastin më të mirë, ato duket se besojnë që të dy vendet janë fajtorë në të njëjtën masë dhe se ShBA-ës nuk duhet të mbajë anë midis një demokracie të lidhur me Perëndimin (pavarësisht nga defektet e saj) dhe një kundërshtari të vjetër antiamerikan.
“Ai duhet ta dijë se do të bjerë kokëposhtë”, i tha Uitkofi (Witkoff) gazetarit Takër Karlson (Tucker Carlson), për Zelenskin, duke rënë dakord me pohimin se Ukraina do ta humbasë luftën, diçka e çuditshme për një diplomat amerikan që flet kështu duke krijuar shqetësime edhe për dhënien e miliarda dollarëve ndihma ushtarake të ShBA-ës.
Këto deklarata ilustrojnë në mënyrë të dhimbshme mungesën e përvojës diplomatike të Uitkofit (Witkoff) dhe besimin e tij te rrëfimtaria ruse se pengesë për paqen na qenka Zelenski.
Përpara bisedimeve të paqes në fillim të muajit dhjetor, Putini vlerësoi takimin e tij me Uitkofin (Witkoff) dhe Kashnërin (Kushner), sepse, sipas tij, veprimet e vendeve evropiane synojnë vetëm një gjë: të bllokojnë tërësisht këtë proces paqeje.
Që Uitkofi (Witkoff) duhet jetë ai tip njeriu që i merr si të mirëqena fjalët e diktatorit, kjo u duk sheshit qysh në fillimet e administratës së re amerikane.
Në intervistën e tij me gazetarin Karlson (Carlson) në muajin mars, Uikofi (Witkoffi) diskutoi mbi një takim që ai kishte zhvilluar me Putinin për të diskutuar paraprakisht një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës.
Uitkofi (Witkoff) kishte propozuar një ndërprerje 30-ditore të sulmeve ruse ndaj objekteve energjetike ukrainase, të cilin, Putini e formalizoi gjatë bisedës telefonike me Trampin (Trump) gjashtë ditë më vonë.
“Ishte diçka e fisshme prej tij të më pranonte dhe të më priste mua” i tha Uitkofi (Witkoff), gazetarit Karlson (Carlson), për presidentin rus - të cilin Uitkoifi (Witkoffi) e lavdëroi se kishte qenë i sjellshëm - edhe pse në fakt Putini e detyroi atë të priste plot tetë orë.
Por, ajo çka i ka lënë më shumë mbresa Uitkofit (Witkoff) nga takimi me liderin rus ishte hendeku i thellë midis një burracaku keqbërës të portretizuar nga media perëndimore dhe Putini i vërtetë që Uitkofi (Witkoffi) ka njohur gjatë takimeve ballë për ballë me të.
Në fakt, të gjitha provat që Uitkofi (Witkoff) donte dhe kishte nevojë të kuptonte kornizën e fisshme mendore të ish-oficerit të KGB-së, ishte dhurata e Putinit me një portret të Trampit (Trump) dhe lutja e tij për presidentin pas dështimit të atentatit kundër tij gjatë korrikut 2024.
Për fat të keq, nuk ka transkript të kësaj bisede, por edhe nëse do të kishte një të tillë, ne nuk do të mund të mbështeteshin tek ajo mbasi Uitkofi (Witkoffi), duke injoruar çdo protokoll dhe logjikën diplomatike, nuk pranoi të merrte me vete një përkthyes nga Departamenti i Shtetit.
“Është një lloj lidhje të cilën ne kemi mundur ta rivendosim në një fjalë të thjeshtë që quhet komunikim, për të cilën, siç e dini shumë njerëz, thonë se unë nuk duhet ta bëja sepse Putini është njeri i keq”, ka shpjeguar më vonë Uitkofi (Witkoff).
“Mirëpo, unë nuk e shoh Putinin si njeri të keq”, tha ai.
Ashtu si edhe presidenti të cilit ai i shërben, Uitkofi (Witkoff) shfaq besim të verbër gjatë bisedave me një kundërshtar.
Kur ai i referohet në mënyrë sarkastike një fjale të thjeshtë si komunikim, ai po krijon një njeri kashte, si krijesë e MAGA-s, duke pohuar se edhe vetë kritikët e politikës së jashtme të Trampit (Trump) janë kundër diplomacisë.
Por, problemi këtu nuk është se po bisedohet me një kundërshtar, por se këto bisedime po bëhen si qëllim në vetvete.
Ja, më konkretisht për çështjen në fjalë, lidhur me ndalimin e bombardimeve ruse mbi objektet energjetike ukrainase për një afat 30-ditor që Uitkofi (Witkoff) pretendon se e siguroi nga Putini.
Në fakt, rusët e kanë shkelur atë me dhjetëra herë dhe kjo mjafton për të treguar se sa burrë i mirë është Putini.
Sot, “Këshilli Botëror i Paqes” është praktikisht jashtë funksionit, por misioni, taktikat dhe retorika e tij vazhdojnë.
Llomotitjet e pareshtura të Kremlinit për “Paqe” kanë të njëjtin qëllim që kishin edhe gjatë Luftës së Ftohtë; të zbutin Perëndimin me qëllim që t’i hapin rrugën agresionit dhe ekspansionit të mëtejshëm rus.
Duke përfituar nga frika perëndimore ndaj një Lufte të Tretë Botërore (një model tjetër sovjetik që Trampi dhe shokët e tij e propaganduan gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016), ajo shpreh një dëshirë vetëm në dukje për paqe, por në realitet nënkupton kërcënim për luftë.
Dikur naivët që ranë preh e këtij mentaliteti ishin nga e majta, ndërsa sot viktima të sofizmave gjuhësore ruse të epokës sovjetike po bëhen gjithmonë e më shumë sektorë në rritje të së djathtës.
Të dyja palët vuajnë sepse nuk arrijnë të kuptojnë natyrën e vërtetë të regjimit në Kremlin, i cili, mbështetet në dhunë dhe në kërcënim të përhershëm për mbijetesë.
Ndaj, të pranosh “Paqen” sipas kushteve të Moskës, do të thotë t’i lejosh rusët të bëjnë ç’tu dojë qejfi.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









___.png)








































Comments