top of page
E BARDHË SHIRIT.png

PËR VITE TË TËRA KAM PRITUR VRASËSIT E PUTINIT (RREZIKU TANI ËSHTË MË I MADH SE KURRË).

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 2 hours ago
  • 5 min read
Z. Bill Broudër (Browder).
Z. Bill Broudër (Browder).

Nga z. Bill Broudër (Browder).

Londër, Mbretëria e Bashkuar | Këtë javë u mbyll hetimi publik mbi sulmin me noviçok të vitit 2018, ndaj ish-spiunit Sergei Skripal - një “demonstrim i dalldisur i fuqisë ruse” që i la mbetje vdekjeprurëse në një shishe parfumi.


Ajo shishe e hedhur përfundoi në duart e Daun (Dawn Sturgessit), një nëne 44-vjeçare nga Ejmsbëri, e cila e spërkati në kyçin e dorës duke besuar se ishte dhuratë. Ajo vdiq katër ditë më vonë, në dhimbje të tmerrshme.


Ivet Kupër (Yvette Cooper) e tha këtë thjesht: “Putini dhe agjentët e tij janë një kërcënim aktiv për qytetarët e Britanisë, për sigurinë tonë dhe për mirëqenien tonë”.


Dauni (Dawn) nuk ishte spiune. Ajo nuk ishte kundërshtare politike. Ajo ishte një dëm kolateral në një hakmarrje të një shteti mafioz - ashtu si Sergei dhe shumë të tjerë. Dhe, përveç nëse e ballafaqojmë këtë kërcënim me qartësi dhe vendosmëri, ajo nuk do të jetë e fundit.


Kam kaluar gati 20 vjet duke u përballur me njeriun në qendër të kësaj krize; Vladimir Putinin.


Sot, ndërsa hija e tij shtrihet nëpër Evropë - duke kërcënuar me luftë, duke helmuar rrugët tona, dhe kamufluar një marrëveshje false paqeje - rreziku ndihet më i madh se kurrë më parë.


Dhe, unë duhet ta di; pasi jam shpallur kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë, ka pasur disa tentativa për të më vrarë.


Lufta ime me Putinin filloi shumë kohë përpara se tanket të hynin në Ukrainë.


Kam qenë dikur investitori më i madh i huaj në Rusi, duke menaxhuar miliarda në tregun e aksioneve të vendit.


Kjo ndryshoi në momentin kur zbulova korrupsionin që gërryente kompanitë ku investoja - korrupsion që pasuronte rrethin e ngushtë të Putinit.


Reagimi i tij ishte i shpejtë; u dëbova në vitin 2005, zyrat tona në Moskë u bastisën, dhe avokati im, Sergei Magnitski (Magnitsky), zbuloi një mashtrim tatimor prej 230 milionë dollarësh që ishte i kryer nga zyrtarët e afërt me Kremlinin.


Për atë akt guximi, Sergei u arrestua, u torturua për 358 ditë dhe u vra në një qeli të pistë ruse në vitin 2009.


Që prej vdekjes së Sergeit, Putini më ka ndjekur pa pushim; kërcënime me vdekje, tentativa rrëmbimi, njoftime të rreme të Interpolit.


Në Madrid, policia më ndaloi përkohësisht me kërkesë të Rusisë - sapo dola nga hoteli im.


Kërcënimi nuk ka qenë kurrë abstrakt; ai ka skalitur jetën time dhe jetën e atyre që kanë qëndruar përkrah meje.


Miku im Boris Nemtsov - i cili më ndihmoi të loboj për atë që u bë Ligji Magnitski, një grup sanksionesh për të drejtat e njeriut që janë miratuar nga shumë qeveri perëndimore - u vra në një urë në Moskë në vitin 2015.


Vartësi i tij, Vladimir Kara-Murza, i cili udhëtoi nëpër botë me mua për të avokuar për Sergein, u helmua dy herë me noviçok.


Ai i mbijetoi të dyja sulmeve, për t’u dënuar pastaj nga gjykatat e Putinit me 25 vjet në një koloni penale në Siberi për guximin për të thënë të vërtetën.


Kështu që kur them se Putini nuk është një burrë shteti, por bos mafioz me kostum, flas nga përvoja.


Sundimi i tij ndërtohet mbi frikë, vjedhje dhe dhunë.


Oligarkët që ai i ka zhveshur nga pasuritë, gazetarët e qëlluar me armë ose të shtyrë nga dritaret, disidentët e heshtur me helmime ekzotike ... këto nuk janë aksidente, por metoda.


Putini është një njeri për të cilin jeta e njeriut është mall, dhe pushteti është valuta e vetme.


Për 15 vjet kam udhëtuar nga Uashingtoni në Uestminstër, duke i nxitur qeveritë të veprojnë.


Sanksionet Magnitski që tani ekzistojnë në 35 vende, kanë ngrirë miliarda pasuri të paligjshme dhe kanë ndaluar të afërmit e tij të shijojnë luksin e Perëndimit.


Por, të arrish deri aty ishte një rrugë e vështirë. Grupet e biznesit, të dehur nga nafta dhe gazi rus, hodhën poshtë paralajmërimet e mia: “Ka para për t’u fituar”, thanë ata, sikur fitimi mund të tejkalonte vrasjen e sponsorizuar nga shteti.


U desh pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022 që bota të shihte atë që kisha thënë zëshëm për vite të tëra.


Papritur, njerëzit më njihnin në Kapitol-Hill: “Ke pasur të drejtë për Putinin”.


Ishte një pohim bosh. Do të kisha dhënë gjithçka sikur të kisha gabuar. Dhe, megjithatë, ja ku jemi sërish - në prag të një tjetër vlerësimi të gabuar katastrofik.


Muajin e kaluar, Danlld Trampi (Donald Trump) prezantoi një “plan paqeje” me 28 pika për Ukrainën, që dukej sikur ishte hartuar në Kremlin.


Plani kërkon nga Ukraina të dorëzojë territorin e pushtuar, kufizon ushtrinë e saj, e bllokon përgjithmonë anëtarësimin në NATO dhe e rikthen Rusinë në G8 pa dëmshpërblime apo përgjegjësi për krimet e luftës.


Ukraina - viktima - merr vetëm disa “garanci sigurie” të paqarta. Kjo nuk është paqe - është kapitullim.


Pastaj erdhi raporti i jashtëzakonshëm i fundjavës së kaluar sipas të cilit, bashkëpunëtorët e Trampit (Trump), Xherëd Kashnër (Jared Kushner) dhe Stiv Uitkof (Steve Witkoff), janë takuar fshehurazi me njeriun e Putinit, Kirill Dmitriev.


Interesi i tyre duket se nuk është diplomacia, por përfitimi. Skema në zemër të planit do të shkrinte 300 miliardë dollarë në asete ruse për një “fond rindërtimi” të udhëhequr nga ShBA-ës.


Kompanitë amerikane - disa me lidhje me rrethin e Trampit (Trump) - do të përfitonin marrëveshjet fitimprurëse nga sektorët e energjisë dhe të minierave të Rusisë.


Kushdo që ka bërë biznes në Rusi e di saktësisht se si përfundon kjo. Të mirëpresin me buzëqeshje dhe kontrata; largohesh i mashtruar, i rrënuar, ose - nëse je i pafat - i vdekur.


Është fantazi ideja se biznesmenët perëndimorë do të përfitojnë teksa Putini rindërton makinerinë e tij të luftës.


Ai do t’i marrë paratë, do të shtrëngojë kontrollin, dhe do të përgatitet për aktin tjetër të agresionit.


Ndërkohë, Putini tashmë po zvarrit negociatat teksa forcat e tij përparojnë.


Dita e Falënderimeve - afati fillestar i planit - ka kaluar. Presidenti Zelenski përballet me zgjedhje të pamundur; të pranojë një marrëveshje që shpërblen pushtuesin e tij ose të rrezikojë humbjen e mbështetjes amerikane.


Britania dhe Evropa nuk mund t’i përballojnë iluzionet. Vendosni sanksione reale për naftën.


Sekuestrojeni pasurinë e ngrirë ruse dhe drejtojeni për rindërtimin e Ukrainës, jo në xhepat e oportunistëve që premtojnë paqe të rreme.


Zgjeroni dhe zbatoni sanksionet Magnitski. Dhe, kundërshtoni çdo marrëveshje që ia jep fitoren një krimineli lufte.


Putini nuk është vetëm armiku im. Ai është armik i demokracisë, i sovranitetit, i vetë jetës së njeriut.


Nëse mbyllim sytë tani - nëse lejojmë lakminë, lodhjen ose dëshirat të mjegullojnë gjykimin tonë - ai do të godasë sërish.


Nga burgjet e Moskës, në rrugët e Solisbeit e deri te istikamet e Ukrainës, mesazhi është i njëjtë.


Bosi mafioz në Kremlin nuk do të ndalet përveç nëse ne e ndalim atë. Dhe, kostoja e dështimit do të matet në jetë shumë përtej kufijve të Rusisë.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page