top of page
E BARDHË SHIRIT.png

5 SHENJAT QË TREGOJNË SE PUTINI PO PËRGATITET PËR NJË LUFTË MË TË MADHE NË EVROPË.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 7 hours ago
  • 6 min read
ree

Nga z. Rabrt Faks (Robert Fox).

Londër, Mbretëria e Bashkuar | Ofensiva e informacionit e Putinit, me pretendimin se rezidenca e tij u sulmua këtë javë nga dronët e Ukrainës - për të cilin nuk është botuar asnjë provë materiale - pati një sukses të shkëlqyeshëm.


Ka fituar zemërimin e dukshëm simpatizues të Danlld Trampit (Donald Trump). Në të njëjtën kohë, përmbysi çdo mundësi për propozime paqeje të diskutuara nga Ukraina dhe evropianët.


Reagimi i shtirur nga ekipi i Putinit - Lavrovi, zëvendësministri i tij Sergei Riabkov (Ryabkov) dhe zëdhënësi Dmitri (Dmitry) Peskov - përbën kërcënim të hapur se lufta në Ukrainë do të vazhdojë.


Rusia po shton kërkesat e veta - duke kërkuar tani dorëzimin e dy rajoneve të tjera, Zaporizhia-s dhe Kherson-it, krahas Donbas-it dhe Krimesë.


Ka gjithashtu një kërcënim të fshehur, por të qartë ndaj Evropës Perëndimore - përfshirë Mbretërinë e Bashkuar - se lufta në Evropën Lindore do të thellohet dhe zgjerohet.


Kjo do të thotë se shtetet anëtare të NATO-s po kërcënohen - tri shtetet baltike që kufizohen me Rusinë, Finlanda, Polonia dhe Norvegjia.


Finlanda dhe Suedia kanë paralajmëruar se popullsitë civile duhet të jenë të përgatitura për luftë.


Tri distriktet veriore të Norvegjisë, që shtrihen deri te kufiri i përbashkët arktik me Rusinë, kanë hartuar plane evakuimi.


Edhe Britania është zonë në shënjestër.


Pjesa tjetër kryesore në garën informative me Rusinë ishte fotografia në “The Sunday Times” e një fregate britanike që i afrohej - në ujërat territoriale të Mbretërisë së Bashkuar - anijes ruse të zbulimit që kontrollon edhe mjetet nënujore.


Skena po vëzhgohej nga një nëndetëse kërkuese dhe sulmuese britanike e klasit “Astute”.


Deri më tani, Ministria e Mbrojtjes kishte botuar vetëm fotografi të fregatës që i afrohej anijes Jantar (Yantar).


Zbulimi se një nëndetëse po e ndiqte, gjithashtu tregon se bëhet fjalë për një lojë shumë më serioze.


Jantari (Yantar) është anija kryesore sipërfaqësore e drejtorisë ruse për shërbimin e inteligjencës nënujore, e njohur me akronimin “Gugi”.


Ajo filloi gjatë Luftës së Ftohtë, por është përforcuar nga Putini për të kryer vëzhgim nënujor - sidomos të kabllove të komunikimit, tubacioneve të naftës dhe gazit.


Jantari (Yantar) prej vitesh ka bërë kërkime në ujërat britanike - roja bregdetare irlandeze vuri re interesimin e saj të dyshimtë për kabllot transatlantike teksa, dy vjet më parë, qëndroi jashtë Limerikut për një muaj.


Jantari (Yantar) mund të lëshojë dronë nënujorë për vëzhgim dhe sulm.


Platforma më e fuqishme në arsenalin e “Gugi”-t është nëndetësja “Belgorod” - aktualisht nëndetësja më e madhe në botë dhe jashtëzakonisht e vështirë për t’u ndjekur nga NATO.


Ajo mund të lëshojë “Poseidon”-in, një dron i drejtuar nga energjia bërthamore me një rreze veprimi, sipas Putinit, prej dhjetë mijë kilometrash.


Sipas mburrjes së fundit të Putinit, ai është projektuar të mbajë një kokë bërthamore. Kjo i përket së ardhmes.


Potenciali më shqetësues tani - si i “Poseidon”-it ashtu dhe i Jantarit (Yantar) - është aftësia për të lëshuar një gamë të tërë dronësh nënujorë për sulm dhe vëzhgim.


Kjo veçori e flotës “Gugi”, me anije sipërfaqësore dhe nëndetëse, të drejtuara nga njerëz dhe në mënyrë automatike, me madhësi dhe rreze të ndryshme, është ajo që shqetëson Marinën Mbretërore dhe komandantin e saj të ri, gjeneralin Guin Xhenkins (Gwyn Jenkins).


Kohët e fundit ai ka nisur një ofensivë informative për të shpjeguar se pse po urdhëron dislokimin e dronëve sipërfaqësorë dhe të nëndetëseve të marinës britanike, dhe pse po bashkëpunon me Norvegjinë për ta furnizuar me sensorë dhe anije konceptin e Bastionit Atlantik - për të monitoruar aktivitetin e rrezikshëm rus përmes hapësirave midis Ishujve Faro dhe Islandës në Atlantikun e Veriut.


Ekipi i Kremlinit po përdor përrallën e sulmit me dron ndaj rezidencës së Putinit në Novgorod, si një mënyrë për ta shkëputur Trampin (Trump) nga mbështetja për Evropën dhe NATO-n për përkrahje të vazhdueshme ndaj Ukrainës.


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri (Dmitry) Peskov, nuk mundi të sqarojë numrin e dronëve në sulm - Lavrovi tha se ishin 91, Kremlini vetëm 41 - dhe tha se provat s’kanë rëndësi.


Peskovi pastaj shtoi se kushtet për paqe janë ashpërsuar, se janë kthyer te kërkesa fillestare e vitit 2021 - e përsëritur në verën e 2022, pas pushtimit - që Ukraina duhet të denazifikohet me zgjedhje të reja që do ta sillnin një president kukull në Kiev i cili do ta ndiqte linjën e Moskës.


Është domethënëse vërejtja e Trampit (Trump) për lajmin se rezidenca e Putinit ishte sulmuar: “E dini kush ma tha? Presidenti Putin, herët në mëngjes më tha se ishte sulmuar. Nuk është mirë”.


Si rrjedhojë, Evropa tani duhet të ketë një plan alternativ për të arritur paqe dhe siguri në Ukrainë.


Janë pesë shenja që tregojnë se Putini po përgatitet për një luftë më të gjerë:

 

1- Së pari, janë shpallur planet për thirrje të mëtejshme të rezervistëve. Humbjet në fushëbetejë janë ende të mëdha - deri në 400 mijë vetëm këtë vit dhe më shumë se 1500 në ditë në Donbas këtë muaj.


Rezervistët do të dërgohen në vijën e parë të frontit - në kundërshtim me rregullat normale të shërbimit.


Putini mund të jetë duke menduar për ngritjen e një ushtrie tjetër, deri në një milion e gjysmë ushtarë brenda dy vjetësh - dhe është i gatshëm të humbasë një pjesë të madhe të saj.

 

2- Së dyti, vendet mike ish-sovjetike - stacionimi në Bjellorusi i raketës hipersonike dhe me potencial bërthamor “Oreshnik”, orientuar drejt Evropës.


Por, kjo armë ende nuk është e provuar.


3- Së treti, në shtetet baltike. Presioni tashmë po rritet mbi Letoninë.


Pakica ruse atje, që përbën një të katërtën e popullsisë, bombardohet dhe shqetësohet nga propaganda ruse dhe nga ndikues të sponsorizuar nga Rusia.


Kohët e fundit Rusia ka ndërtuar rrugët hyrëse drejt kufijve të Estonisë dhe Letonisë.


4- Së katërti, ka kërcënime të paqarta dhe presion ndaj shteteve të NATO-s në kufi - duke shtyrë emigrantë dhe refugjatë të padëshiruar drejt kufirit me Finlandën - duke komprometuar postat dhe patrullat kufitare në Norvegji dhe Estoni.


5- Së pesti, rritja e ritmit të aktiviteteve të flotës “Gugi” që monitoron infrastrukturën nënujore jetike - nga Norvegjia përtej Baltikut perëndimor dhe në rajonin më të gjerë të ujërave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës.


Hetimet e vazhdueshme do të shoqërohen me veprimtari misterioze të dronëve rreth porteve dhe aeroporteve - ndonëse këto janë zbehur gjatë muajit dhjetor.


Po vazhdon kërcënimi i aktiviteteve kibernetike armiqësore, që zakonisht është i kryer nga palë të treta dhe grupe përfaqësuese (Proxy).


Ato janë të shumta; 50 mijë në vit në Mbretërinë e Bashkuar; shumica janë të paqarta dhe mohuese.


Përzierja vdekjeprurëse e kërcënimit dhe rrezikut tani e gjen Mbretërinë e Bashkuar - me mbrojtjen e saj - kryesisht të papërgatitur, prandaj vjen paralajmërimi nga gjenerali Xhekins (Jenkins) dhe Marina.


Pavarësisht premtimeve të mëdha në Rishikimin e Mbrojtjes në qershor, forcat e armatosura janë të pakta dhe me financim të mangët.


Ushtria Britanike ka pajisje vetëm për një forcë prej 20 mijë trupash dhe aktualisht janë të pezulluara programet kryesore për artileri, tanke dhe transportues këmbësorie - kryesisht për shkak të konfuzionit dhe pavendosmërive në Qeveri dhe mungesës së fondeve.


Forcat Ajrore Mbretërore kanë mungesë të pilotëve të trajnuar dhe Marina Mbretërore nuk ka sa duhet marinarë për të manovruar të gjithë flotën e saj të anijeve.


Shqetësimi më i madh - nga ajo që tashmë mund të quhet mashtrimi i madh me dronë në Novgorod - është ajo që nënkupton shpërthimin e ri të arrogancës së Putinit.


Ai tashmë rrezikon me një përballje të drejtpërdrejtë me NATO-n - qoftë në Baltik, në Arktik apo përmes Mesdheut.


Kjo do të nënkuptonte aktivizimin e Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut, i cili, thotë se nëse një aleat sulmohet, të gjithë aleatët janë të detyruar të vijnë në ndihmë.


Për Britaninë, kjo shtron pyetjen nëse është e aftë të përmbushë atë që i kërkohet.


Për ShBA-ës dhe Trampin (Trump), kjo shtron çështjen e angazhimit.


Disa mbështetës të Trampit (Trump) kanë tentuar të argumentojnë se kushtet e Nenit 5 nuk janë të detyrueshme - dhe duhet të zbatohen për partnerët evropianë vetëm nëse ndonjëri prej tyre sulmohet.


Por, kushtet e traktatit janë të qarta - mbrojtja e ndërsjellë e të gjithë 32 aleatëve të NATO-s është detyrim sipas traktatit të ratifikuar nga Kongresi.


Lajm i keq për Danlld Trampin (Donald Trump) - çfarëdo që t’i ketë thënë shoku i tij në telefon nga Moska.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page