KINA PO ORGANIZON NJË PUSHTIM TË HESHTUR DHE ARMIQËSOR TË BRITANISË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 3 days ago
- 3 min read

Nga z. Ain Danken Smith (Iain Duncan Smith).
Londër, Britani e Madhe | Qeveria e Keër Starmërit (Keir Starmer), në dëshpërimin e saj për rritje ekonomike, ka vendosur të mbyllë sytë ndaj përmasave të kërcënimit për Mbretërinë e Bashkuar - dhe për demokracitë e tjera - nga fuqia gjithnjë në rritje e Kinës.
Përderisa ministra të njëpasnjëshëm - nga kancelari e teposhtë - kanë nxituar drejt Kinës për të kërkuar investime, është bërë e qartë se ata kanë humbur çdo ndjenjë të sigurisë kombëtare.
Megjithatë, Qeveria duket se ende nuk e ka kuptuar nevojën për të mbrojtur infrastrukturën tonë kritike kombëtare.
Në mesin e gushtit, kur Parlamenti ishte në pushim, zyrtarët e Defra-s (Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale – shënim i përkthyesit) informuan se sekretari i shtetit, Steve Reid, ishte i gatshëm ta fuste kompaninë private britanike të shërbimeve për furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të ndotura në pjesën më të madhe të Londrës (shënim i përkthyesit - Thames Water) në një Regjim të Administrimit të Posaçëm (SAR).
Kjo, në çdo aspekt praktik, do të thotë se ai po e shtetëzon Thames Water-in.
Ndërsa kjo do të ofronte një mënyrë për t’u përballur me gati 17 miliardë paundë borxh (shuma e përafërt me 19.7 miliardë euro) që i janë ngarkuar kompanisë, kjo, sigurisht, do t’i linte taksapaguesit si përgjegjës.
Kjo është arsyeja se pse ai më herët kishte mohuar se po planifikonte të bënte diçka të tillë.
Më pas, gjërat u ndërlikuan më shumë.
Gazetarëve u është thënë, disa ditë më vonë, se ishte krejtësisht e pamundur që Departamenti ta mbante kompaninë në SAR për ndonjë kohë, duke preferuar ta kalonte atë te ndonjë ofertues privat.
Ky ishte sinjali që CKI-ja, një kompani me bazë në Hong-Kong, të bënte menjëherë të qartë se ishin të interesuar për të bërë ofertë për Thames Water-in nëse Qeveria do ta shiste atë.
Qeveria nuk duhet ta marrë parasysh CKI-n, çfarëdo që të jetë vendimi përfundimtar mbi Thames-in.
Në fund të fundit, Thames Water është pjesë e infrastrukturës sonë kritike kombëtare.
Sepse, nëse CKI-ja do të lejohej të merrte kontrollin e Thames Water-in, kjo do të thotë që një kompani kineze, tashmë subjekt i Ligjeve të Sigurisë Kombëtare dhe të Inteligjencës Kombëtare të qeverisë së Partisë Komuniste Kineze, do të zotëronte pjesë të mëdha të infrastrukturës sonë kritike kombëtare.
Vlen të kujtojmë se Ligji Kombëtar i Inteligjencës i Kinës i vitit 2017 (NIL) vendos kërkesa të ndryshme për ndarjen e informacionit - mbi të gjitha organizatat dhe kompanitë në Kinë për të “mbështetur, ndihmuar dhe bashkëpunuar me përpjekjet kombëtare të inteligjencës”, përfshirë edhe nëpërmjet ndarjes së të dhënave me shërbimet e inteligjencës së Kinës.
Çuditërisht, CKI-ja tashmë zotëron (operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike – shënim i përkthyesit) UK Power Networks-in - rrjetin më të madh të shpërndarjes së energjisë elektrike në Mbretërinë e Bashkuar, që furnizon me energji 8.3 milionë shtëpi dhe biznese në Londër, në Juglindje dhe në Lindje të Anglisë.
Ajo gjithashtu zotëron (kompaninë që ofron shërbimet kryesore të ujit dhe kanalizimeve në disa qarqe angleze - shënim i përkthyesit) Northumbrian Water, e cila, furnizon me ujë 2.7 milionë njerëz në Verilindje dhe Jug të Anglisë, si dhe Northern Gas Networks, një nga tetë rrjetet kryesore të shpërndarjes së gazit në Mbretërinë e Bashkuar që shpërndan gaz për 2.9 milionë shtëpi dhe biznese.
Po ashtu, në portofolin e CKI-së është edhe Wales and West Gas Networks, një tjetër rrjet i madh i shpërndarjes së gazit në Mbretërinë e Bashkuar, që furnizon 2.5 milionë familje në Uells dhe në Jugperëndim të Anglisë, si dhe Seabank Power, e cila, zotëron dhe operon Termocentralin Seabank pranë Bristolit.
Blerje të tjera përfshijnë Phoenix Energy-n, që është rrjeti kryesor i shpërndarjes së gazit në Irlandën e Veriut, UU Solar, e cila, zotëron rreth 70 projekte të vogla të prodhimit të energjisë së rinovueshme, si dhe 32 parqe me erë që më parë zotëroheshin nga Aviva Investors.
Mbi të gjitha, ekziston edhe bashkimi (i telefonisë mobile – shënimi i përkthyesit) Vodafone-Three.
CKI -ja do të zotërojë 49 për qind të kompanisë së re pas bashkimit të Vodafone-it me Three-n.
E vërteta është se nuk ekziston një kompani vërtet private në Kinë, pasi qeveria kineze ka kontrollin përfundimtar.
Victor Li Tzar-kuoi, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i CKI-së, shërben si anëtar i Komitetit të 14-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (CPPCC) të Republikës Popullore të Kinës.
Ai është këshilltar i Partisë Komuniste Kineze, jo një biznesmen normal.
Qeveria duhet të mbrojë infrastrukturën tonë kritike kombëtare nga aktorë keqdashës dhe nga kërcënimi i vendeve si Kina.
CKI-ja nuk duhet të lejohet të blejë Thames Water-in, dhe duhet të rishikohen zotërimet e saj tashmë të gjera në infrastrukturën britanike.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments