DUKE FILLUAR NGA KJO E MARTË E 1 KORRIKUT 2025 MERR FUND ZYRTARISHT ROLI I AGJENCISË AMERIKANE PËR ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (USAID) | FONDET TANI I MENAXHON DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 16 hours ago
- 2 min read

Uashington, Amerikë | Duke filluar nga kjo e martë e 1 korrikut, merr fund zyrtarisht roli i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Sekretari amerikan i Shtetit, Marko (Marco) Rubio, përmes një njoftimi zyrtar, njoftoi ndryshimin në mënyrën se si do të menaxhojë ndihmën e huaj, duke thënë se:
1- “Për amerikanët dhe shumë njerëz në të gjithë botën, 1 korriku shënon fillimin e një epoke të re të partneritetit global, paqes, investimeve dhe prosperitetit.
Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID-i ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë.
Nga 1 korriku, USAID-i do të pushojë së zbatuari ndihmën e huaj.
Programet e ndihmës së huaj, që përputhen me politikat e administratës amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet”.
Sekretari Rubio kritikoi ashpër mënyrën sesi USAID-i ka funksionuar, duke thënë se agjencia shpesh promovonte ide dhe grupe anti-amerikane dhe e kishte modelin e saj të ndihmës si një bamirësi dhe jo si instrument të politikës së jashtme që shërben për interesat amerikane.
USAID-i shpërndante fonde edhe në vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Nga të dhënat që publikoi i dërguari special i Presidentit Danlld Tramp (Donald Trump) për krizat, Riçërd (Richard) Grenell, në fillim të këtij viti, rezultonte se organizatat joqeveritare në Ballkan kishin përfituar nga fondet e USAID-i vlerën prej 1.7 miliardë dollarësh në periudhën 2020-2024.
Sipas të dhënave të z. Grenell, në Shqipëri organizatat joqeveritare kishin marrë 189 milionë dollarë nga USAID-i për 4 vjet.
Mbyllja e zyrave të USAID-it në të gjithë botën dhe menaxhimi i ndihmës së huaj nga DASH-i - sipas Sekretarit Rubio - do t’i vendosë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një pozicion më të fortë kundër modeleve shfrytëzuese të ndihmës, si ai i Kinës, dhe do të sjellë një epokë të re partneriteti global, paqeje, investimesh dhe prosperiteti.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments