top of page
E BARDHË SHIRIT.png

UKRAINA DHE MËSIMET E “MYNIHUT” | SAKRIFICA E KOMBEVE MË TË VOGLA NË KAUZËN E PAQES ËSHTË NJË STRATEGJI JASHTËZAKONISHT E RREZIKSHME.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Feb 13
  • 5 min read
ree

Bruksel, Belgjikë | Negociatat e paqes të propozuara nga presidenti Tramp (Trump) për Ukrainën do të jenë të ndërlikuara.

 

Betimi i fushatës për t'i dhënë fund luftimeve brenda 24 orëve është zhdukur, i zëvendësuar nga një mandat ambicioz, por më i realizueshëm për të dërguarin special, gjeneral-lejtant (ret.) Keith Kellogg për t'i dhënë fund luftës në 100 ditë.

 

Një pjesë e sfidës së z. Kellogg do të jetë që në një negociatë çdo afat kohor i paracaktuar mund të ndihmojë palën tjetër.

 

Siç do t'ju thotë çdo negociator, sa më e dukshme të jetë dëshira e njërës palë për një marrëveshje, aq më shumë do të shtyjë pala tjetër.

 

Për më tepër, çdo diskutim i tepërt i fokusuar në koncesionet ukrainase mund të ngrejë perspektivën e një “Mynihu” tjetër. Dhe një kapitullim i stilit të Mynihut është pikërisht ajo që kërkon z. Putin.

 

Mynihu konsiderohet ende si standardi i artë i tradhtive. Më 29 shtator 1938, kryeministri britanik Nevaill Çembërllein (Neville Chamberlain), i tmerruar nga perspektiva e një lufte më të gjerë, ndihmoi Francën të hiqte dorë nga angazhimi i saj për të mbrojtur Çekosllovakinë sipas Traktatit të Aleancës dhe Miqësisë midis Francës dhe Çekosllovakisë të vitit 1924, duke nënshkruar një marrëveshje për të qetësuar Gjermaninë naziste.

 

Çmimi për paqen ishte shpërbërja e Çekosllovakisë, e cila dorëzoi zonat e saj gjermanishtfolëse - Sudetenland - dhe bashkë me të një rrjet të frikshëm të mbrojtjes fikse çeke.

 

Pushtimi territorial i Hitlerit u pasua nga aneksime më të vogla të territorit çekosllovak nga Hungaria dhe Polonia.

 

Vlen të përmenden disa kompleksitete shtesë në këtë rast: fuqitë e mëdha evropiane si Franca, Britania, Bashkimi Sovjetik, madje edhe Italia, nuk arritën të koordinojnë kundërshtimin ndaj agresionit gjerman.

 

Ata u penguan nga dyshimi i ndërsjellë. Secili ndjeu se do të mbetej vetëm për t'u përballur me zemërimin e Gjermanisë nëse do të kërkonin të mbronin Çekosllovakinë.

 

Franca dhe Britania ishin veçanërisht të ndjeshme ndaj mosgatishmërisë së perceptuar të popullatës së tyre për t'u përfshirë në një luftë tjetër. Udhëheqësit e secilit komb besonin se lëshimet ishin të nevojshme dhe të dëshirueshme.

 

Fqinjët më të vegjël të Çekosllovakisë, në vend që t'i rezistonin agresionit të Gjermanisë në parim, kërkuan paliativin e përkohshëm të përfitimit territorial nga kufoma e Çekosllovakisë.

 

Për Poloninë dhe Hungarinë, ky oportunizëm i poshtër do t'i ndjekë kur trupat gjermane pushtuan vendet e tyre në vitet 1939 dhe 1944 respektivisht.

 

Në fund të fundit, siç e dinë të gjithë, uria e Hitlerit nuk u kënaq me blerjen e Sudetit.

 

Në vend të kësaj, oreksi i tij u rrit me të ngrënët. Paqja ishte e përkohshme. Për të parafrazuar një paralajmërim që shpesh i atribuohet Çërçillit (Churchillit), udhëheqësit britanikë, duke pasur parasysh zgjedhjen midis luftës dhe çnderimit, zgjodhën çnderimin dhe gjithsesi morën luftën.

 

Paralajmërimi i supozuar i Çërçillit (Churchill) përbën bazën e të kuptuarit modern të Mynihut; Koncesionet frikacake përballë kërcënimit të dhunës vetëm sa çojnë në dhunë më të madhe gjatë rrugës.

 

Duke ndjerë dobësi, autoritarët agresivë do të shtyjnë për lëshime të mëtejshme në vend që të respektojnë angazhimet e tyre për paqen.

 

Nëpërmjet koncesioneve, udhëheqësit frikacakë e vënë veten në disavantazh ku duhet të përballen me një armik më të fortë më vonë.

 

Implikimi është se është më mirë të luftosh tani për të shmangur luftimet më të vështira më vonë.

 

Fuqia e këtyre mësimeve, së bashku me tmerret e lëshuara nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939, i bëjnë të zakonshme paralajmërimet kundër Mynihut të ri në diskutimet e kontureve të një marrëveshjeje paqeje për t'i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.

 

Ukraina, territori dhe siguria e saj nuk mund të shiten në kërkimin e kotë të një paqeje që nuk do të mbajë, për të kufizuar oreksin rus që nuk do të kënaqet.

 

Por ka një rrudhë të rëndësishme në rrëfimin konvencional të Mynihut që i shton një element të rëndësishëm të brendshëm çështjes.

 

Ndërsa Çambërlleini (Chamberlain), Daladier-i dhe Mussolini diskutuan ndarjen e Çekosllovakisë me Hitlerin, gjeneralët e Führer-it po komplotonin një grusht shteti për ta rrëzuar atë dhe për t'i dhënë fund sundimit të Partisë Naziste në Gjermani.

 

Në vitin 1938, ministria gjermane e luftës dhe shërbimet e inteligjencës besonin se vendi nuk ishte i përgatitur për luftë.

 

Ata e konsideruan mbrojtjen e Çekosllovakisë të frikshme dhe një konflikt të hapur kundër Britanisë dhe Francës të pafitueshëm.

 

Si rezultat, ata e shihnin agresionin e Hitlerit si një lojë të rrezikshme që po e çonte vendin drejt rrënimit.

 

Në krye të komplotit ishte gjenerali Ludvig Bek (Ludwig Beck) - i cili deri në gusht 1938 kishte qenë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm - dhe z. Hans Oster, zëvendëskryetari i Inteligjencës Ushtarake Gjermane (Abwehr).

 

Mes komplotistëve ishin shumë oficerë gjeneralë në pozita të larta, duke përfshirë: Walther von Brauchitsch, Franz Halder, dhe kreun e Admiralaris.

 

Kapitullimi në Mynih preu këmbët nga poshtë komplotistëve. Pa një kërcënim të besueshëm lufte, nuk kishte asnjë mënyrë për të mobilizuar një masë kritike kundër regjimit nazist.

 

Komploti u shemb. Ky është një mësim i anashkaluar shpesh nga Mynihu, por që liderët perëndimorë duhet ta kenë parasysh ndërsa shqyrtojnë negociatat me z. Putin.

 

Regjimet autoritare janë shpesh thelbësisht të brishta, siç u demonstrua kohët e fundit në Siri.

 

Sa më pak të suksesshme të jenë përpjekjet e tyre ndërkombëtarisht, aq më i madh është potenciali për presion ndaj tyre brenda vendit.

 

Kjo dobësi do të thotë se dhënia e fitoreve diplomatike diktatorëve, veçanërisht kur ata nuk janë në një pozicion të vërtetë avantazhi, pengon çdo lloj kundërshtimi të brendshëm dhe vetëm u lejon atyre të konsolidojnë pushtetin e mëtejshëm mbi vendimet e luftës dhe paqes.

 

Nëpërmjet këtij konsolidimi, ata bëhen në gjendje të zhvillojnë fushata ushtarake më të mëdha dhe më ambicioze.

 

Në rastin e Rusisë sot, kontrolli i z. Putin në pushtet duket i ngushtë, por dhënia e fitores - ose diçka si një fitore në Ukrainë - do ta lejojë atë vetëm ta konsolidojë atë pushtet më tej.

 

Ajo vetëm do të gërryejë çdo gjë që mbetet nga kundërshtimi ndaj sundimit të tij. Ai jo vetëm që do të sigurojë një bazë fizike për agresion të mëtejshëm, por një bazë politike të brendshme për atë agresion.

 

Nëse duam të mësojmë nga Mynihu, duhet të marrim parasysh se si lëshimet ndërkombëtare ndaj autoritarëve agresivë luajnë me audiencën e tyre vendase, si rrit fuqinë e tyre dhe se si zvogëlon aftësinë e të tjerëve brenda vendeve të tyre për të hequr kontrollin e vendimeve mbi luftën dhe paqen.

 

Nëse ka një mësim nga Mynihu, ai duhet të jetë që edhe kur diktatorët duken më të fuqishëm dhe kërcënues, ata shpesh janë më të prekshëm dhe më të pasigurt sesa mund ta pranojnë ose dinë ndonjëherë.

 

Shënim: Z. Andrew R. Novo është profesor i studimeve strategjike në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington, DC.

 

Pikëpamjet e shprehura janë tërësisht të tija dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, të Departamentit të Mbrojtjes ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

 

Europe's Edge  është revista online e CEPA-s që mbulon tema kritike në doket e politikës së jashtme në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut.

 

Të gjitha opinionet janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin ose pikëpamjet e institucioneve që ata përfaqësojnë ose të Qendrës për Analizë të Politikave Evropiane.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page