top of page
E BARDHË SHIRIT.png

FATI I PUSHTETEVE NË SHQIPËRI NUK VARET NGA PUSHTETARËT SHQIPTARË | NJË TELEGRAM NGA JASHTË NDRYSHON GJITHÇKA.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 7 hours ago
  • 3 min read
Z. Artan Fuga
Z. Artan Fuga

Nga z. Artan Fuga (Prof. Dr. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë).

Tiranë, Shqipëri | Nuk është puna thjesht të bësh studime historike.


Por, ta kuptosh kuptimin e historisë.


Pra, të kuptosh atë që ajo ka të përsëritshme edhe sot.


Kjo është historia si kujtesa e njeriut. Pa kujtesë njeriu nuk bën asnjë hap në të sotmen.


Në këtë kuptim në 99 për 100 të rasteve ne nuk kemi kuptuar as historinë, as gjë prej gjëje prej saj.


Le të marr një shembull:

Ndryshime e brendshme në Shqipëri, madje edhe atëhere kur ajo nuk quhej kështu, duket se janë bërë si refleks i ndryshimeve ose në Perandorinë ku ajo ka pas varur çengelin, ose i ndryshimeve në gjeopolitikën ndërkombëtare.


Në këtë kuptim ta mendosh shtetin në Shqipëri me termat e një shteti në vetvete, pra në sovranitetin e vet të brendshëm absolut, do të thotë të mos kuptosh gjë prej gjëje.


Prandaj ne vuajmë në shkencat politike, sociologji, jurisprudencë kushtetuese, filozofi politike sepse merremi me ide të patretura, të ngjizura dhe të vlefshme ku e di unë në Romën antike, në Amerikë, në Angli, në Francë, por që nuk përputhen fare me realitetin shqiptar.


Ja ta zëmë, çfarë bënë grupet komuniste në Shqipëri nga 39 në 41? Luftuan fashizmin? Aspak.


Ata u futën në këtë rrjedhë kur Gjermania hitleriane sulmoi Bashkimin Sovjetik stalinist, dhe Stalini dha udhëzimet jo të bëhej pakt me Hitlerin, por të niste rrezistenca.


Pa këtë nuk do të kishim fare rrezistencë komuniste në Shqipëri.


Vimë në vitin 47 - 48. Shqipëria që po gllabërohej nga Jugosllavia e Titos ndryshon raportet e brendshme politike, pëson tërmete të brendshme politike, përse?


Sepse në 1948, pak ditë sesa bashkimi Shqipëri - Jugosllavi të përfundonte, Stalini ndahet me Titon dhe ja pret duart nga Shqipëria, vë dorë vetë mbi Shqipërinë.


Pa konfliktin Tito - Stalin, ne do të ishim drejtuar nga Koçi dhe fati i Shqipëri - Kosovës nuk dihej se cili do të ishte.


Vimë në 1960. Hrushovi s’e kishte fare për gjë ta gëlltiste Enverin, brenda një nate po të donte. Por, diçka ndodhi në marrëdhënien midis Maos dhe Hrushovit, ata u konfliktuan.


Enveri përfitoi dhe u lidh me Maon. Po të mos ishte ai konflikt ne do të ishim vend i demokracive popullore i kampit sovjetik si Rumania, Çekia a ku e di unë tjetër.


Në 1978 e më tej në vitet 80 Shqipëria kalon në izolim total dhe njerëzit kanë uri.


Mos harrojmë se ka ndodhur një ndryshim në Kinë. Idetë e Ten Hsiao Pinit për liberalizim nisin të marrin hov dhe Kina hapet ndaj Shteteve të Bashkuara.


Ky ndryshim e bën Enverin të forcojë grushtin mbi shoqërinë.

 

Pse hapet Shqipëria në 90? Mos nga vetja? Aspak. Ka ndodhur ndryshimi në Bashkimin Sovjetik. Ka ardhur Gorbaçovi.


Kështu dhjetëra raste edhe në shekullin e 19, edhe tani, tani, tani që jetojmë.


E vërteta e sistemeve politike, e pushtetarëve, e pushteteve, jona, me një fjalë, ndodhet jashtë nesh, gjetiu, në lëkundjet politike në vendin e madh ku jemi mbëhstetur, përherë e kemi pasur një, dhe nga lëkundjet sado të vogëla në arenën ndërkombëtare, nuk e kam fjalën për luftërat botërore.


Pa këtë analizë nuk mund të gjykohet shteti shqiptar, politika shqiptare.


Fati i pushteteve në Shqipëri nuk varet nga pushtetarët shqiptarë! Një telegram, një deklaratë, një letër e hapur, një intervistë, një vendim, nga jashtë a diçka e tillë ndryshon fatet tona për dhjetëra dekada a shekull.


Nuk më ka impresionuar kot Aliu i Janinës, kur pyeste gjithë ankth Vasiliqinë, a ku e di unë se cilin, ndonjë nga bodiguardët e tij: A erdhi fermani?


Nuk duhet nisur nga brenda për të kuptuar botën e madhe, por duhet nisur nga jashtë për të kuptuar atë që ndodh brenda.


Por, këtë e shohim herë tjetër se më duhet ta ndërpres meqë po më ftohet kafja!


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page