TREGUESI I I RSF-së: LIRIA E SHTYPIT VUAN NGA NIVELI MË I ULËT HISTORIK MES KRIZËS EKONOMIKE DHE SHTYPJES NGA QEVERITË AUTORITARE.
- Agjencia Telegrafike Vox
- 4 hours ago
- 3 min read

Uashington, Amerikë | Reporterët pa Kufij (RSF) njoftoi të premten se treguesi ekonomik në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit 2025 ka rënë në një nivel të ulët të paprecedentë dhe kritik, duke bërë që gjendja globale e lirisë së shtypit të klasifikohet si një situatë e vështirë për herë të parë në historinë e Indeksit.
Nga pesë metrikat që ndjek RSF-ja, treguesi që mat kushtet financiare të gazetarisë dhe presionin ekonomik mbi industrinë uli rezultatin e përgjithshëm botëror, duke e shtyrë mesataren nën 55 pikë për herë të parë.
RSF-ja paralajmëroi se pronësia e përqendruar e medias, ndihma publike jo transparente ose mungesa e saj, si dhe presioni nga reklamuesit dhe mbështetësit i detyrojnë mediat në një garë për të tërhequr audienca në kurriz të raportimit cilësor.
Në 160 nga 180 vendet e vlerësuara, organizatat e lajmeve arrijnë stabilitet financiar me vështirësi ose aspak, dhe gati një e treta e vendeve kanë parë tashmë mbylljen e mediave për arsye ekonomike.
Edhe demokracitë e rangut të lartë si Zelanda e Re (e 16-ta) dhe Afrika e Jugut (e 27-ta) po përballen me modele të tendosura të të ardhurave që kërcënojnë pavarësinë editoriale.
“Pa pavarësi ekonomike, nuk mund të ketë shtyp të lirë”, tha znj. En Bokande (Anne Bocandé), drejtoreshë editoriale e RSF-së.
“Ekonomia e medias duhet të rikthehet urgjentisht në një gjendje që është e favorshme për gazetarinë dhe siguron prodhimin e informacionit të besueshëm, i cili është në thelb i kushtueshëm”.
Raporti i RSF-së i përshkruan Shtetet e Bashkuara (të 57-tat, dy vende më poshtë) si udhëheqësin e depresionit ekonomik, duke vënë në dukje se treguesi i saj ekonomik ka rënë me më shumë se 14 pikë gjatë dy viteve.
Gazetaria lokale në rajone të gjera të ShBA-ës po bëhet e paqëndrueshme: mbi 60 përqind e gazetarëve të anketuar në Arizona, Florida, Nevada dhe Pensilvani thonë se është e vështirë të fitosh një pagë jetese si gazetar dhe 75 përqind besojnë se media mesatare lufton për qëndrueshmëri ekonomike.
Indeksi gjithashtu nxjerr në pah kushtet katastrofike në zonat e konfliktit dhe shtetet autoritare.
Në Gaza, ku objektet e shtypit janë shkatërruar dhe gati 200 gazetarë janë vrarë, Palestina renditet e 163-ta.
Nikaragua (e 172-ta), Bjellorusia (e 166-ta), Irani (i 176-ti), Mianmari (i 169-ti), Sudani (i 156-ti), Azerbajxhani (i 167-ti) dhe Afganistani (i 175-ti) janë midis 34 vendeve që përjetojnë mbyllje masive të mediave, duke çuar në dëbim të gjerë të gazetarëve.
Dominimi i gjigantëve të teknologjisë në reklamat online e përkeqëson krizën.
RSF vëren se Google, Meta, Apple, Amazon dhe Microsoft thithën një pjesë gjithnjë e në rritje të të ardhurave nga reklamat, me shpenzimet globale për reklamat në mediat sociale që u rritën me 14 përqind në 247.3 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2024.
Ndërkohë, përqendrimi i pronësisë së medias është i rëndë në 46 vende, duke përfshirë kontrollin shtetëror ose të oligarkëve në Rusi (vendi i 171-të) dhe mediat e favorizuara nga shteti në Hungari (vendi i 68-të) dhe Gjeorgji (vendi i 114-të).
Për më shumë se një dekadë, RSF-ja ka ndjekur rënien e lirisë së shtypit.
Në vitin 2025, presionet e kombinuara të brishtësisë ekonomike dhe shtypjes politike, për herë të parë, e kanë vendosur shtypin global në një situatë të vështirë.
Raporti nënvizon nevojën urgjente për financim transparent dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur gazetarinë e pavarur.
Organizata u bën thirrje qeverive të zbatojnë politika që mbështesin pluralizmin e medias, mbrojnë gazetarët dhe sigurojnë qëndrueshmërinë ekonomike të organizatave të lajmeve.
Pa masa të tilla, rënia e lirisë së shtypit ka të ngjarë të vazhdojë, duke dëmtuar shoqëritë demokratike në mbarë botën.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments