TRE KUSHTET QË MUNGOJNË PËR NJË KRYENGRITJE NË IRAN.
- Agjencia Telegrafike Vox

- 15 minutes ago
- 4 min read

Nga z. Moshe Fuzaliov (Fuzaylov).
Jeruzalem, Izrael | Pretendimi se një kryengritje në Iran mund të ndizet nëpërmjet veprimit të jashtëm tingëllon dramatik, por është po aq mashtrues.
Një kryengritje nuk është një ngjarje që mund të prodhohet nga jashtë, sigurisht jo me shtypjen e një butoni.
Kushdo që është i njohur me mënyrën se si funksionojnë organizatat e inteligjencës e di se kryengritjet nuk krijohen, por identifikohen, amplifikohen dhe nganjëherë drejtohen.
Nëse raportet se Drejtori i Mossad-it, David Barnea, e paraqiti përmbysjen e regjimit si një objektiv të arritshëm në afat të shkurtër ose të mesëm janë të sakta, ia vlen të shqyrtohen themelet e këtij vlerësimi.
Sipas mendimit tim, nëse Barnea me të vërtetë e vlerësoi qëllimin si të arritshëm, ai po i referohej afatit të mesëm dhe më gjerë.
Regjimet nuk bien sepse dikush nga jashtë vendos t'i rrëzojë; ato bien kur zhvillohet një çarje e brendshme, dhe vetëm atëherë një aktor i jashtëm, nëse vepron siç duhet, mund ta zgjerojë atë.
Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është se si të ndizet një kryengritje, por si të identifikohen kushtet për pjekurinë e saj dhe kur këto kushte ende mungojnë.
Për ta kuptuar këtë, duhet të fillojmë me bazat. Një kryengritje nuk është rezultat i një turme anonime që del papritur në rrugë, por i proceseve grumbulluese (kumulative) brenda grupeve kryesore; studentëve, punëtorëve, sindikatave, zyrtarëve të nivelit të mesëm brenda institucioneve shtetërore dhe, ndonjëherë, udhëheqësve të opinionit në arenat kulturore ose fetare.
Secili prej këtyre grupeve vepron brenda një narrative që shpjegon pse situata aktuale është e preferueshme ose të paktën e tolerueshme.
DUKE NDEZUR NJË KRYENGRITJE HAP PAS HAPI.
Faza e parë është diagnoza; identifikimi i pikave të frustrimit, ndjenjave të poshtërimit, humbjes së kuptimit dhe hendekut midis rrëfimit zyrtar dhe realitetit.
Kjo është një fazë e qetë, pothuajse e padukshme, por kritike. Pa një kuptim të saktë të burimeve të dhimbjes, nuk ka asgjë mbi të cilën të ndërtohet.
Faza e dytë është depërtimi në rrjetet njerëzore, jo në kuptimin romantik të filmave me spiunë, por nëpërmjet ndërtimit të marrëdhënieve, kanaleve të ndikimit dhe njohjes me dinamikat e brendshme.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht rekrutimin e një agjenti, por më tepër zhvillimin e aftësisë për të ndikuar në grupet ekzistuese nga brenda.
Faza e tretë është njohëse, dhe këtu fillon puna e vërtetë; jo bindja e njerëzve që të dalin në rrugë, por ndihma ndaj tyre për të kuptuar se nuk janë vetëm.
Një kryengritje ndodh kur një person kupton se ka 10 të tjerë që mendojnë në të njëjtën mënyrë, dhe kur ata 10 kuptojnë se tashmë janë 100.
Në të njëjtën kohë, kërkohet një rrëfimtari (narrativë) alternative. Jo një rrëfimtari (narrativë) e importuar nga jashtë që tingëllon e huaj, por një e rrënjosur në identitetin vendor; jo rebelim por shpëtim, jo kolaps por riparim. Pa një rrëfimtari (narrativë) të tillë, edhe frustrimi i thellë nuk përkthehet në veprim.
Megjithatë, edhe kur të gjitha këto kushte plotësohen, nuk ka siguri. Mbi të gjitha qëndron një faktor; frika.
Regjimet si ai i Iranit nuk janë thjesht mekanizma qeverisës, por sisteme të sofistikuara mbikëqyrjeje, shtypjeje dhe ndëshkimi.
Kushdo që del në rrugë rrezikon jo vetëm veten, por edhe familjen e tij. Në një realitet të tillë, edhe zemërimi i thellë mund të mbetet i shtypur.
PRESIONI MBI PERËNDIMIN.
Kjo ngre pyetjen se përse kjo nuk po ndodh tani? Përgjigja mund të qëndrojë në hendekun midis destabilizimit të sistemit dhe ndërtimit të një sistemi alternativ.
Veprimet e fundit ushtarake, sado mbresëlënëse që mund të jenë, kanë minuar ndjenjën e imunitetit të regjimit, por vetëm destabilizimi nuk është i mjaftueshëm.
Kur nuk ka një përgjigje të qartë për pyetjen se çfarë vjen më pas, frika është më e madhe se frustrimi.
Për më tepër, duket se brenda grupeve kryesore, ende nuk është formuar një vrull i mjaftueshëm.
Një kryengritje nuk lind vetëm në rrugë, por në kryqëzimin midis rrugës dhe elitës.
Për sa kohë që gradat e nivelit të mesëm, oficerët, burokratët dhe menaxherët nuk sinjalizojnë hezitim ose një çarje, publiku mbetet i izoluar.
Kjo është një infrastrukturë që kërkon vite për t'u ndërtuar, jo një lëvizje e menjëhershme.
Është gjithashtu e mundur që vetë presioni i jashtëm të funksionojë në drejtim të kundërt; në vend që të çmontojë regjimin, ai forcon kohezionin e brendshëm rreth një kërcënimi të përbashkët.
Në kontekstin iranian, ky është një mekanizëm i njohur dhe nganjëherë efektiv.
Sidoqoftë, përfundimi është i qartë se kryengritjet nuk ndizen nga parrulla (slogane) dhe regjimet nuk rrëzohen vetëm nga forca të jashtme.
Ndryshimi ndodh kur tre kushte bashkohen; një çarje e brendshme, një narrativë alternative dhe një njohje kolektive se rreziku i daljes në rrugë është më i ulët se rreziku i qëndrimit në shtëpi.
Pa këto, edhe lëvizjet mbresëlënëse ushtarake mbeten arritje taktike.
Kur ato ekzistojnë, kryengritjet nuk kanë nevojë për ndezje, ato shpërthejnë vetë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)















Comments