top of page
E BARDHË SHIRIT.png

TIRANË | MUSTAFA MARTINAJ DËSHMOI PARA GJYKATËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR MBI VEPRIMTARINË E TË BIRIT ERVIS MARTINAJ.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 3 days ago
  • 5 min read
TIRANË | MUSTAFA MARTINAJ DËSHMOI PARA GJYKATËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR MBI VEPRIMTARINË E TË BIRIT ERVIS MARTINAJ.

Tiranë, Shqipëri | Para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) dëshmoi:

1- Z. Mustafa Martinaj.


Ai dëshmoi mbi veprimtarinë e të birit, z. Ervis Martinaj.


Deklaratë | “Nga viti 2008 e pas, djali është marrë me pika llotosh me licencë, me detyrime 100% të paguara ndaj kompanisë, si edhe ato vendore.


Të parën pikë nuk e mbaj mend ku e ka hapur. Po të më pyeste mua, do i thosha jo.


Mati Union e kam pasur unë; është llogari transfertash. Llotari fati, unë personalisht, nuk kam pasur. Kam kaluar të gjitha llojet e hetimeve.


Ime shoqe dhe im vëlla kanë pasur prokurë për të kryer veprime me Mati Union.


Edhe sot që flasim, kam person të autorizuar që merret me to. Me djalin kam folur dhjetëra herë për aktivitetin e tij. Jemi përballur tek Ansambli Çiftelia në gjyq. Është marrë vendimi nga Shkalla e Parë.


A. Kaçorri është nipi im, djali i vajzës, është 14-vjeçar (e pyeti prokurorja çfarë marrëdhëniesh ka Ervisi me nipin). A. Kaçorrit i kam bërë unë dhuratë për ditëlindje, fjala bie 1000 euro, se e kam nip.


Kam dijeni që djali është dënuar për lojëra fati. I kam kaluar të gjitha hetimet, nga Banka e Shqipërisë te pastrimi i parave.


Bisere Haton e njoh pas ngjarjes në Bllok, në vitin 2018, ku u plagos djali dhe u vra një tjetër. Vrasësi nuk ka bërë asnjë ditë burg.


Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Bisere Hatos, ia ka falur im bir, Eljo Hatos, me pëlqimin tim.


Falja e banesës është bërë vetëm sepse Eljo Hato, djali i Biseres, i ka shpëtuar jetën Visit.


Makinën e parë të mirë që ka pasur djali e kam blerë me paratë e mia. Ka kushtuar 60 mijë euro, ose 48 mijë euro; nuk e mbaj saktë mend.


Herët ia kam blerë. Në jetën e vet s’më ka sjellë shqetësim në shtëpi. Nuk ka të ri që s’ka konflikte apo zënka, por deri në vitin 2018, kurrë.


Pyesni në Laç, le të flasë dikush keq; i përmendej emri me respekt.


Në vitin 2018 ka ardhur dhe ka jetuar me gjithë familjen tek unë. Iku nga Tirana, bëmë pashaportizimin.


Merrej kryesisht me gjueti peshku, jo për tregti. Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, më 9 gusht të vitit 2022.


Një herë jam thirrur me kërkesën time dhe jam deklaruar. Jetonte me të ardhurat që kishte pasur nga biznesi me të cilin ishte marrë, pastaj ka jetuar me mua.


Me siguri ka blerë ndonjë makinë vetë. Nuk di për ndonjë pronë të tijën në Tiranë. Kishte një apartament tek Qemal Stafa; në dijeninë time, asnjë pronë tjetër.


Hotel Arbëria duhet ta kem blerë në vitet 2016-2017. Ishte i mbyllur në atë kohë. Kam investuar shumë para; duhet të shoh preventivin për të parë koston. Aktiviteti ka vijuar i njëjtë siç ka qenë. Biznesi është blerë nga Mustafa Martinaj.


Pas vdekjes së Visit, pas zhdukjes, 23 herë më ka ardhur policia. Mos të rëntë e liga. Unë s’jam as budalla, as naiv. Pyet Nallbatin me shokë, të të tregojnë ata.


Jam me profesion ekonomist. Kam pësuar një aksident shumë të rëndë në fund të viteve ’90.


Jam kuruar në Romë dhe, pas rikthimit në Shqipëri, kam filluar punë si drejtor i Dhomës Gjyqësore në Laç, Lezhë dhe Mirditë.


Pas vitit 1997, jam marrë me aktivitet privat. E kam nisur me një kancelari dhe fotokopje.


Për rreth 3 vite jam marrë me kambizëm. Më pas kam filluar punë si administrator ekskluziv i UBT-së për rrethin e Laçit, me 3 pika.


Kam punuar në Mirditë, Mat dhe Fushë-Krujë, me aktivitet voluminoz dhe të ardhura të jashtëzakonshme.


Duke pasur parasysh kohën, luftën e Kosovës dhe remitancat shumë të larta, aktiviteti ka qenë shumë i madh.


Kam operuar në gjithë Shqipërinë dhe kam pasur ekskluzivitet në 4 rrethe.


Ervisi ishte në vitin e tretë të gjimnazit, ndërsa motrat ishin edhe më të vogla. Gjatë kësaj kohe, më ka ecur shumë mirë puna. UBT është edhe sot në aktivitet, mund ta verifikoni.


Në vitin 2007 kam punuar si administrator i Union Bank në Laç, por edhe me shërbime bankare.


Nga ky aktivitet, të ardhurat kanë qenë diku te 60 mijë dollarë, por për mua kanë qenë dytësore.


Të gjitha aktivitetet e mia kanë qenë në një periudhë shumë të vështirë, z. Kryetar.


Jam sulmuar padrejtësisht. Banka e Kursimeve, që ka pasur aktivitetin kryesor, nuk ekziston më dhe nuk ka asnjë dokument. Bankat e tjera, kryesisht, nuk kanë pasqyruar as 30% të aktivitetit tim.


Kam rreth 3.5 milionë euro të ardhura dhe rreth 6 milionë kredi.


Këto jam në gjendje t’i vërtetoj me vendimet e bankës. Për shoqërinë UBT është deklaruar një pjesë e madhe.


Kam blerë përmes bankës Hotel Arbëria, ku kam marrë kredi bankare për këtë punë. Për secilin rast, veprimet janë bërë përmes bankës. Mund t’ju paraqes dokumentet në çdo moment.


Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe djali i ndjerë, që nuk është më.


Më vjen turp që vij këtu për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur asnjëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, por nga ana juaj nuk kam pasur asnjë sinjalizim.


Deri në vitin 2008, asnjë nga fëmijët nuk punonte, ishin në shkollë. Ervis Martinaj ishte student në Parma të Italisë.


Ka shkuar rreth viteve 2000-2001 me bursë dhe studioi ekonomi. Vajzat ishin në shkollë në Shqipëri.


Kur ato filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me to dhe më pas u vendos në Tiranë. Më vonë, ata u martuan. Banesa u mor, nëse nuk gaboj, në fund të vitit 2005.


Visi ka qenë mbi mesataren në studime. Dëshironte të vazhdonte shkollën në Itali, por i la përgjysmë studimet dhe erdhi në Tiranë tek motrat.


Deri sa ishte në shkollë, ka qenë shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia. Në Itali nuk kishte bërë asnjë punë. Më ka kërkuar ndihmë për të blerë një shtëpi të përbashkët.


Kam blerë dy makina, një për dy vajzat dhe një për Visin. Për vajzat kam marrë kredi 12500 euro për një makinë të vogël, markë japoneze.


Nuk kam pasur asnjë shqetësim nga djali. Kisha çelësat. ‘Dora e thatë nuk puthet’. Jemi familje tradicionale malësore.


Ka hapur një biznes me një shok. Emrin nuk e kujtoj, por po ta kërkoj mund ta gjej.


Ishte një djalë nga Tirana. Riparonin lodra, lodrat me të cilat luanin fëmijët, me kuaj.


Unë, që më shihni këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar i vetëm në Tiranë me mbi 800 mijë dollarë cash, karta dhe telefona, në orën 12 të natës, në periudhën më të vështirë të vitit 1999, kur bandat ishin në rrugë.


Kam pasur një makinë 2400 dhe i çoja paratë në bagazh në Rubik dhe Rrëshen. Ishin paratë e aktivitetit tim.


UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës. Aty merrja shumat. Asnjë gërvishtje nuk më ka ndodhur.


Kam luajtur me kokën time, ndërsa të tjerëve u ndodhin incidente”, tha ai.


Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.


Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating

LAJM RRUFE | BREAKING NEWS

Donate with PayPal
bottom of page