SHEFI I INTELIGJENCËS USHTARAKE KIRILO (KYRYLO) BUDANOV U EMËRUA DREJTUES I ZYRËS SË PRESIDENTIT TË SHTETIT TË UKRAINËS ME DEKRET PRESIDENCIAL.


Kiev, Ukrainë | Presidenti Volodimir Zelenski ka emëruar shefin e inteligjencës ushtarake Kirilo (Kyrylo) Budanov si kreun e ri të Zyrës së Presidentit të Ukrainës.
Ai zëvendësoi z. Andri Jermak (Andriy Yermak), i cili, u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të përfshirjes së tij në një rast korrupsioni.
“Ukraina tani ka nevojë për vëmendje më të madhe ndaj çështjeve të sigurisë, zhvillimit të Forcave të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës, si dhe rrugës diplomatike të negociatave, dhe Zyra e Presidentit do t'i shërbejë kryesisht përmbushjes së këtyre detyrave të shtetit tonë”, tha Presidenti Zelenski në rrjetin social virtual Iks (X).
“Kirilo ka përvojë të specializuar në këto fusha dhe forcë të mjaftueshme për të dhënë rezultate.
Gjithashtu kam udhëzuar Shefin e ri të Zyrës së Presidentit, në bashkëpunim me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës dhe udhëheqës dhe institucione të tjera përkatëse, që të përditësojë dhe të paraqesë për miratim themelet strategjike të mbrojtjes dhe zhvillimit të shtetit tonë, si dhe hapat e ardhshëm”, tha Presidenti Zelenski.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit









Comments