SHBA | NJË ISH-INXHINIER KUNDËR BOEING-ut | DEFEKTE TË RËNDA NË AVIONË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Apr 10, 2024
- 4 min read
Uashington, Amerikë | Autoritetet federale amerikane po hetojnë gjigantin e hapësirës ajrore Boeing, pasi një ish-inxhinier i kompanisë, z. Sam Salehpour, iu ankua atyre se kompania ishte hakmarrë për paralajmërimin rreth defekteve të projektimit dhe prodhimit në dy avionë me trup të gjerë, të prodhuar nga kompania, 777 dhe 787 Dreamliner.
Ankesa e z. Salehpour fillimisht u raportua në mënyrë anonime nga gazeta amerikane Kohërat e Jorkut të Ri (New York Times), dhe më pas u rilançua nga mediat amerikane, përpara se ish-inxhinieri të paraqiste një ankesë zyrtare në agjencinë federale të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) janarin e kaluar.
Ankesa u bë publike vetëm dje, dhe nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me një tjetër model të prodhuar nga Boeing-u, avionin 737 Max, i cili, gjithashtu ka qenë në qendër të rrëzimeve të avionëve, dhe modelet e të cilit janë ndalur dy herë nga autoriteti amerikan.
Dje z. Salehpour tha se çështjet e cilësisë mund të zvogëlojnë në mënyrë dramatike jetën e dobishme të avionëve të prodhuar nga Boeing.
“Unë po e bëj të gjithë këtë jo sepse dua të shoh Boeing të dështojë, por sepse dua që ai të ketë sukses dhe të parandalojë aksidentet”, tha dje ish-inxhinieri.
“E vërteta është se Boeing nuk mund të vazhdojë të ecë në këtë mënyrë. Ai duhet të bëjë më mirë.”